Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Goditi me grusht në bark protestuesin, Hita pezullon efektivin e “Shqiponjave”

Një efektiv i Forcës së Posaçme “Shqiponja” është pezulluar nga detyra pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqet duke goditur me grusht një protestues të shoqëruar gjatë tubimit të zhvilluar sot në Tiranë.

Pamjet janë filmuar në Rrugën e Durrësit dhe, pas publikimit të tyre, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar menjëherë pezullimin nga detyra të efektivit me inicialet J. H., pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Paralelisht me pezullimin, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim disiplinor ndaj punonjësit të policisë. Sipas Policisë së Shtetit, hetimi lidhet me dyshimet për përdorim të paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës, si dhe për veprime që mund të cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë dhe imazhin e institucionit.

Në reagimin zyrtar, Policia e Shtetit thekson se nuk do të tolerojë shkeljet e ligjit dhe standardeve profesionale nga punonjësit e saj, duke paralajmëruar reagim ndaj çdo rasti të ngjashëm.

Ndërkohë, hetimi disiplinor pritet të përcaktojë rrethanat e plota të incidentit dhe përgjegjësinë e efektivit për veprimet e shfaqura në pamjet e publikuara.

Advertisement