Aktualitet
GRABITJE SPEKTAKOLARE! Hajdutët futen në banesën e kardinalit Ernest Simoni në Firence
Një grabitje është regjistruar në banesën e kardinalit shqiptar Ernest Simoni në Firence, ndërsa autorët kanë përdorur mjete të forta për të depërtuar në apartament. Sipas mediave italiane, dëmi dhe sendet e vjedhura kapin një vlerë prej rreth 30 mijë eurosh.
Ngjarja ka ndodhur në një apartament në Piazza Duomo, në një banesë të administruar nga Kuria, ku 97-vjeçari Ernest Simoni jeton së bashku me nipin e tij, Tonin Simoni. Në momentin e grabitjes, banesa ishte bosh. Kardinali ndodhej në Londër për një takim me Mbretin Charles III, ndërsa nipi dhe bashkëshortja e tij ishin larguar nga banesa.
Kur u kthyen, ata gjetën dyert dhe dhomat të dëmtuara dhe konstatuan se grabitësit kishin kontrolluar garderobat, sirtarët, valixhet dhe kasetat në kërkim të sendeve me vlerë.
Sipas raportimeve, autorët kishin dëmtuar një pjesë të murit pranë derës së blinduar dhe më pas e kishin hapur atë me forcë. Për hetuesit, mënyra e hyrjes ngre pikëpyetje, pasi ndërhyrja duhet të ketë shkaktuar zhurmë të konsiderueshme. Megjithatë, deri në momentin kur familjarët u kthyen, nuk ishte raportuar ndonjë aktivitet i dyshimtë.
Nga banesa janë marrë para në dorë, sende floriri, bizhuteri, medalje dhe një vulë floriri. Mes sendeve të vjedhura raportohet edhe leja e qëndrimit e kardinalit Ernest Simoni.
Në vendngjarje mbërritën karabinierët dhe ekspertët e policisë shkencore, të cilët kanë kryer këqyrjen e apartamentit dhe po analizojnë gjurmët e lëna nga autorët. Në fokus të hetimit janë edhe kamerat e sigurisë në zonën e Piazza Duomo.
Sipas nipit të kardinalit, pasi mori lajmin për grabitjen, Ernest Simoni nuk u interesua fillimisht për paratë apo sendet me vlerë. Pyetja e tij e parë ishte nëse grabitësit kishin prekur statujat fetare në dhomën e tij, veçanërisht ato të Zojës së Medjugorjes dhe Atë Pios.
Hetimi vijon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të mënyrës se si është realizuar grabitja në një prej zonave më të monitoruara të Firences.corrierefiorentino
