Kosova
Hashim Thaçi nga Haga kritikon raportet aktuale të Kosovës me aleatët Perëndimorë
Ish presidenti I Kosoves Hashim Thaçi, tashmë në Gjykatën e Hagës, ka kritikuar edhe raportet aktuale të Kosovës me aleatët.
“Pesë vitet e fundit duket se janë humbur për Kosovën në marrëdhëniet e saj me BE-në, SHBA-në dhe Perëndimin në tërësi. Kjo është e rëndësishme për një shtet dhe shoqëri në tranzicion. Sanksionet kundër institucioneve të Kosovës janë një shkak për shqetësim. Mbajtja e marrëdhënieve të mira dhe të ndershme me aleatët tanë strategjikë është në interesin kombëtar të Kosovës”.
Thaçi është pyetur nga media gjermane edhe për këshillat politike që do t’i ofronte Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në situatën aktuale politike në të cilën ndodhet vendi, por ka thënë se prioriteti i tij është procesi ligjor që po kalon aktualisht.
Megjithatë, ai ka potencuar se në Kosovë gjithmonë duhet të vendosen interesat e qytetarëve mbi ato partiake.
Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës më 5 nëntor 2020.
Po atë ditë, së bashku me ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, dhe ish-kryetarin e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ai udhëtoi me aeroplan drejt Hagës, ku më pas u transferua në qendrën e paraburgimit.
Thaçi po gjykohet për të ashtuquajtura krime lufte, si dhe në fund të vitit 2024 i është ngritur edhe një aktakuzë për pengim të administrimit të drejtësisë. Vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të shpallet në maj të këtij viti, ndërsa nëse gjykata ka nevojë për kohë shtesë, i njëjti pritet të shpallet në korrik.