Politike
IBAR/ BE-JA KOMPROMIS PER SHQIPERINE
Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të vijojnë të enjten diskutimet për Shqipërinë në kuadër të procesit të anëtarësimit, ndërsa një kompromis mbi draftin e pozicionit të përbashkët të BE-së për vlerësimin e ndërmjetëm të kritereve themelore duket gjithnjë e më pranë.
Një dokument i Këshillit të Bashkimit Evropian, tregon se në mbledhjen e COELA-s të datës 21 maj, Shqipëria do të jetë pjesë e agjendës me pikën: “Draft Interim EU Common Position: Exchange of views”.
Kjo vjen ndërsa burime në Këshill bëjnë të ditur se vendet anëtare janë afër arritjes së një kompromisi mbi draftin e pozicionit të përbashkët të lidhur me Interim Benchmark Assessment Report (IBAR) të Shqipërisë.
Megjithëse ende nuk ka marrëveshje formale, sipas burimeve, klima në Bruksel është më pozitive krahasuar me fillimin e prillit, kur afatet për këtë hap mbeteshin të paqarta.
Nëse konsensusi arrihet në nivelin e COELA-s, hapi procedural i radhës do të ishte kalimi i çështjes në COREPER më 22 maj, ku ambasadorët e vendeve anëtare mund ta miratojnë si një “I-item”, pra pa debat politik.
Në praktikën e Bashkimit Evropian, kjo do të nënkuptonte se shtetet anëtare kanë arritur dakordësi paraprake, duke hapur rrugën për një Konferencë Ndërqeveritare (IGC) me Shqipërinë në ditët në vijim.
Megjithatë, burimet theksojnë se nuk mund të ketë konfirmim formal për IGC-në përpara përfundimit të procedurës në COREPER.