Kronike
Itali/ Prokuroria kërkon gjykim të menjëhershëm për shqiptarin, polici vdiq gjatë ndjekjes
Prokuroria e Milanos ka kërkuar gjykim të menjëhershëm për 26-vjeçarin shqiptar Genti Berisha, i akuzuar në lidhje me vdekjen e policit lokal Francesco Imprezzabile gjatë një ndjekjeje me automjete.
Ngjarja ndodhi në qershor në zonën e Milanos. Sipas hetimeve të autoriteteve italiane, Berisha drejtonte një SUV me qira dhe nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar.
Pas kësaj nisi një ndjekje me shpejtësi të lartë, e cila sipas raportimeve të mediave italiane arriti deri në rreth 180 km/h.
Gjatë ndjekjes, polici 39-vjeçar Francesco Imprezzabile, i cili po ndiqte automjetin me motor, u rrëzua dhe humbi jetën.
Berisha akuzohet sipas legjislacionit italian për vdekjen si pasojë e një vepre tjetër penale. Kërkesa e Prokurorisë për gjykim të menjëhershëm synon kalimin e çështjes drejt gjykimit pa zhvillimin e seancës paraprake.
Gjatë marrjes në pyetje, 26-vjeçari kishte pranuar se ishte larguar nga policia dhe kishte shprehur keqardhje për atë që kishte ndodhur. Sipas versionit të tij, ai ishte larguar pasi mbante me vete një sasi të vogël droge dhe pretendonte se nuk kishte kuptuar që polici ishte rrëzuar.
Këto mbeten deklarimet e të pandehurit dhe çështja do të shqyrtohet nga drejtësia italiane.
Berisha ndodhet aktualisht në burg edhe për shkak të një procedure tjetër të autoriteteve italiane në Brescia, e lidhur me trafik droge.