Thinking ...
Connect with us

Politike

KARTA E ADRIATIKUT/ Hoxha kërkesë nga Nju Jork për Kosovën: Rrit sigurinë në rajon

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka kërkuar në Nju Jork që të avancojë procesi për anëtarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut, mekanizëm rajonal i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe integrimit euroatlantik.

Kërkesa u bë gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të Kartës së Adriatikut, të zhvilluar nën kryesimin e Kroacisë. Hoxha tha se kërkesa e Kosovës për anëtarësim ka mbetur në pritje prej një periudhe të gjatë dhe se përparimi i saj, sipas tij, do të forconte bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në përballimin e sfidave të sigurisë.

“Kërkesa e Kosovës për anëtarësim ka mbetur në pritje prej shumë kohësh”, deklaroi Hoxha, duke shtuar se një Kartë Adriatiku më gjithëpërfshirëse do të mundësonte një bashkëpunim më të gjerë përballë kërcënimeve të reja.

Në fjalën e tij, ministri u ndal edhe te ndryshimet në mjedisin e sigurisë, duke përmendur kërcënimet kibernetike, sigurinë energjetike dhe ndërhyrjet e huaja në informacion si disa prej sfidave që kërkojnë koordinim më të madh mes vendeve të rajonit.

Sipas Hoxhës, më shumë se dy dekada pas krijimit, Karta e Adriatikut duhet të përshtatet me këto zhvillime dhe të forcojë mekanizmat e bashkëpunimit rajonal.

Ai argumentoi se përfshirja më e gjerë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në mekanizmat e sigurisë do të kontribuonte në koordinimin dhe përgjegjësinë e përbashkët për përballimin e sfidave rajonale.

Advertisement