Connect with us

Aktualitet

Kërkoi shuarje të masës ‘pezullim nga detyra’, Apeli i Posaçëm rrëzon kërkesën e Belinda Ballukut

Apeli i Posaçëm në GJKKO ka rrëzuar kërkesën e deputetes Belinda Balluku, për heqjen e masës ‘pezullimi nga detyra’ masë e cila nuk është më në fuqi sipas mbrojtjes, përderisa Balluku nuk është më as zv/kryeministre dhe as ministre.

Gjykata e Posaçme firmosi vendimin për ‘pezullim nga detyra’ për Belinda Ballukun më 19 nëntor, në kohën kur Balluku mbante funksionin e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Nga ana tjetër në datën 9 prill në Gjykatën e Lartë një trupë tjetër gjyqësore do të dëgjojë avokatët që insistojnë edhe heqjen e masës së sigurisë ndalim për të dalë jashtë vendit të deputetes Balluku

Kujtojmë që më 13 mars, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar rrëzoi kërkesën e ish-zv.kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për shuarjen e masës së pezullimit nga detyra, pasi është marrë e pandehur nga SPAK.

Belinda Balluku ankimoi vendimin për masën e sigurisë “pezullim nga detyra”, pas vendimit të GJKKO më datë 22 nëntor.

Gjykata e Posaçme caktoi dy masa sigurie për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, “pezullim i ushtrimit të detyrës dhe funksionit” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” në kuadër të hetimeve për shkelje të barazisë në tenderë.

Ndërkohë SPAk kërkoi pak kohë më vonë heqjen e imunitetit për zëvendësen e Ramës që ta arrestonte. Por kërkesa u refuzuar nga mazhoranca socialiste me forcën e kartonëve në Kuvend.

Belinda Balluku akuzohet për veprën penale ‘shkelje e barazisë në tendera’ dhe është marrë e pandehur për ndërtimin e tunelit të Llogarasë ndërsa po hetohet për 7 lotet e Unazës së Madhe, si dhe dyshohet për 3 procedura të tjera tenderuese.

Kuvendi i Shqipërisë nga ana tjetër ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes Belinda Balluku.

Në votimin e zhvilluar në seancën plenare të 12 marsit, 82 deputetë votuan kundër, ndërsa 47 votuan pro, duke mos i hapur rrugë kërkesës së organit të akuzës.

Seanca parlamentare u shoqërua me përplasje politike brenda sallës dhe protestë të opozitës jashtë godinës së Kuvendit.

Gjatë seancës u prezantuan raportet e opozitës dhe të shumicës parlamentare lidhur me kërkesën e SPAK-ut.

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, duke lexuar raportin e opozitës, kërkoi që Kuvendi t’i hapë rrugë organit të akuzës për të vijuar procedurat ndaj deputetes.

“Deputetët të votojnë pro kërkesës së SPAK, duke vendosur dhënien e autorizimit për arrestimin apo heqjen e lirisë për Belinda Ballukun”, u shpreh ai.

Sipas Bylykbashit, imuniteti parlamentar nuk duhet të përdoret si mburojë ndaj drejtësisë dhe Kuvendi nuk duhet të ndërhyjë në kompetencat e pushtetit gjyqësor.

Ai paralajmëroi gjithashtu se refuzimi i kërkesës së SPAK do të dëmtonte procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

“Sot hapet rruga që ky Kuvend të jetë përsëri strehë kriminelësh. Kjo është plagë e madhe dhe aktuale e politikës shqiptare. Bën hap pas në rrugën drejt BE”, tha deputeti i opozitës.

Nga ana tjetër, deputeti socialist Ulsi Manja prezantoi raportin e shumicës, duke theksuar se situata juridike ka ndryshuar pas largimit të Ballukut nga funksionet ekzekutive.

Në të njëjtën kohë, Partia Demokratike zhvilloi protestë para godinës së Kuvendit, ndërsa Policia e Tiranës mori masa të shumta sigurie.

Zona përreth Parlamentit u rrethua me gardh metalik dhe rreth 1 mijë e 500 efektivë policie u vendosën në gatishmëri, ndërsa autobotet me ujë u pozicionuan në rast tensioni.

 

Advertisement