Politike
Këshilli i Tiranës kërkon Veliajn në mbledhje/ Cila do jetë përgjigjia e SPAK dhe Burgjeve?
Këshilli Bashkiak i Tiranës i ka kërkuar SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të mundësojnë pjesëmarrjen e kryebashkiakut Erion Veliaj në mbledhjen e 29 shtatorit, e cila është parashikuar të zhvillohet në orën 15:00.
Në shkresën drejtuar institucioneve, Këshilli kërkon që Veliaj të lejohet të marrë pjesë fizikisht në mbledhje ose, nëse kjo nuk është e mundur për shkak të masave kufizuese ndaj tij, të marrë pjesë përmes videokonferencës apo një forme tjetër të përshtatshme komunikimi.
Kërkesa lidhet me çështjet që pritet të shqyrtohen në mbledhjen e radhës, mes tyre edhe pika për projektligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”. Sipas Këshillit Bashkiak, në këtë proces kërkohet një qëndrim zyrtar si nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, ashtu edhe nga Këshilli Bashkiak.
Në argumentimin e saj, kërkesa i referohet edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 66, datë 3 nëntor 2025, si dhe të drejtës funksionale të kryetarit të bashkisë për të marrë pjesë në çështjet që lidhen me administrimin e njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Këshilli shprehet i gatshëm të bashkëpunojë me institucionet për çdo kërkesë që lidhet me sigurinë, protokollin apo aspektet logjistike të pjesëmarrjes së Veliajt.
Në fund të shkresës, SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve u kërkohet që të informojnë me shkrim Këshillin Bashkiak për vendimmarrjen lidhur me kërkesën.