Kosova
Kosova paguan çmim në siguri, në stabilitet dhe në orientimin e saj drejt së ardhmes
Përtej shpresës së krijuar tani e 13 vjet, zhvillimet në terrenin Kosovë-Serbi tregojnë se përparimi në pikën kyç të marrëveshjeve – krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë – ka mbetur i kufizuar.
Nga këndvështrimi i ish-diplomatit austriak, Wolfgang Petritsch, bllokimi i procesit të Brukselit mbart pasoja më të menjëhershme për Kosovën sesa për Serbinë.
Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, ai vlerëson se Kosova paguan çmim në siguri, në stabilitet dhe në orientimin e saj drejt së ardhmes, derisa politikat e saj mbeten kryesisht të brendshme dhe jo të përshtatura mjaftueshëm në kontekstin më të gjerë evropian dhe gjeopolitik.
“Sa herë që jam në Prishtinë ose flas me njerëzit atje, më krijohet përshtypja se ekziston vetëm Kosova dhe asgjë tjetër. Kjo është një qasje krejtësisht e gabuar. Zoti Kurti ka cilësi të dukshme, por nëse nuk kupton se duhet të veprojë si pjesë e një ekipi – si brenda vendit, ashtu edhe në arenën evropiane – gjërat nuk do të shkojnë mirë për zhvillimin e Kosovës”, thotë Petritsch.
Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesja amerikane deklaroi këtë javë se presidenti Donald Trump pret angazhim të qartë nga Kosova dhe Serbia për të punuar së bashku, për të ulur tensionet dhe për t’u rikthyer në një dialog real, jo vetëm deklarativ. Sipas Tammy Bruce, SHBA-ja do të punojë nga afër vetëm me liderë që “shohin nga e ardhmja, e jo kah e kaluara”.
Për Petritschin, hapi i parë duhet të vijë nga Prishtina, e cila duhet t’u ofrojë serbëve përgjegjësi konkrete kulturore, gjuhësore dhe administrative, sipas Marrëveshjes së Brukselit. Kjo do të sinjalizonte, sipas tij, një qasje të re bashkëpunuese dhe do të krijonte mundësinë për një marrëdhënie të vërtetë me përfaqësuesit serbë. Edhe nëse Serbia do ta kundërshtonte, do të dilte ajo si bllokuese e procesit.
Petritsch vë në dukje se garancitë nga Brukseli janë thelbësore në këtë drejtim.
“Ka qenë e qartë që nga fillimi se evropianët nuk do të lejojnë krijimin e një tjetër Republike Sërpska. Kemi paguar një çmim të lartë për të në Bosnje e Hercegovinë dhe nuk duam që ajo të përsëritet në Kosovë. Andaj, qartazi, bëhet fjalë për çështje kulturore, gjuhësore dhe administrative që duhet të zgjidhen”, thotë Petritsch.