Aktualitet
“Ku dreqin po shkon ky vend?!”/ Të sëmurët me kancer pa ilaçe, shteti u siguron transgjinorëve hormone
Një urdhër sa absurd aq edhe zhgënjyes për sistemin shëndetësor në vendin tonë u dha në mars të këtij viti nga ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala. Pas datës 20 të çdo muaji, pacientët në spitalet e vendit nuk mund të kryejnë analizat mjekësore, pasi sipas ministres mungojnë fondet për përballimin e tyre.
Situata bëhet edhe më alarmante në një kohë kur pacientë të diagnostikuar me sëmundje të rënda, përfshirë ata me kancer, presin me muaj të tërë për të kryer kimioterapitë apo për të siguruar medikamentet jetike. Në shumë raste, familjarët janë detyruar të kërkojnë ndihmë jashtë institucioneve shtetërore, ndërsa vetë pacientët përballen çdo ditë me ankthin dhe pasigurinë për jetën e tyre.
Por ndërsa spitalet publike përballen me mungesa të theksuara fondesh, një tjetër vendim ka shkaktuar debat të fortë publik. Për herë të parë në vendin tonë, personat transgjinorë do të mund të marrin terapi hormonale në spitalet shtetërore, kryesisht në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Ministria e Shëndetësisë ka miratuar kriteret mjekësore, procedurat klinike dhe monitorimin për terapinë hormonale, e cila do të mbulohet nga fondet publike. Sipas udhëzimit të publikuar një ditë më parë, trajtimi do të ofrohet si për të rriturit, ashtu edhe për adoleshentët nga mosha 16 vjeç, ndërsa në raste të veçanta mund të konsiderohet edhe nga mosha 14 vjeç, bazuar në vlerësimin e specialistëve dhe miratimin e familjes.
Në vendim theksohet se terapia hormonale do të jetë e aksesueshme për burrat transgjinorë përmes hormonit të testosteronit, si dhe për gratë transgjinore përmes estrogjenit dhe antiandrogjenëve. Ministria argumentoi se ky vendim vjen si një përpjekje për të shmangur trajtimet informale dhe mungesën e monitorimit mjekësor, situatë me të cilën janë përballur deri më tani shumë persona transgjinorë në Shqipëri.
Megjithatë, vendimi ka sjellë reagime të shumta në opinionin publik. Lidhur me këtë ka reaguar edhe gazetarja Ermelinda Hoxhaj, e cila ka shprehur shqetësimin e saj për prioritetet e sistemit shëndetësor në vend.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ajo shprehet se sistemi shëndetësor shqiptar vazhdon të vuajë mungesën e ilaçeve, kushteve dhe trajtimit dinjitoz për pacientët, ndërsa shton se fokusi tek terapia hormonale për adoleshentët ngre pikëpyetje të forta sociale dhe psikologjike.
“Shendetesise sone i mungojne shume gjera: ilaçet, kushtet, trajtimi dinjitoz per pacientet. Por duket se prioritet u be terapia hormonale per adoleshentet. Nje i ri ne ate moshe ende formon identitetin, mendimet dhe veten.
Po nese pas disa kohesh ndryshon mendim, pasojat jane te pakthyeshme. Trupi, shendeti fizik dhe ai psikologjik mund te preken pergjithmone. Ne vend qe te investohet te mbeshtetja psikologjike, edukimi dhe kujdesi afatgjatë per te rinjte, po normalizohet nje trajtim me pasoja serioze.
Kjo nuk eshte urrejtje ndaj askujt; eshte frike dhe shqetesim per politika dhe vendime qe mund te ndryshojne jeten e nje adoleshenti pergjithmone. Ku dreqin po shkon ky vend?!”, shkruan ajo./newsbomb