Aktualitet
Rast i rëndë/ 13 vjecarja amerikano-shqiptare abuzohet seksualisht në disa qytete të vendit
Një rast i rëndë i dyshuar i abuzimit seksual ndaj një 13-vjeçareje amerikano-shqiptare po hetohet nga Policia dhe Prokuroria, pas zhdukjes së saj për disa ditë dhe gjetjes në Tiranë. Sipas të dhënave paraprake të hetimit, e mitura dyshohet se është abuzuar nga persona të rritur në disa qytete të vendit.
Ngjarja u denoncua nga nëna e vajzës, pasi 13-vjeçarja ishte larguar nga banesa dhe nuk ishte kthyer. Pas disa ditësh kërkimesh, ajo u gjet në Tiranë, në gjendje të rënduar psikologjike, dhe iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore.
Nga dëshmia e saj dhe provat e mbledhura nga grupi hetimor, dyshohet se e mitura ka qëndruar në disa qytete, mes tyre Fier, Gjirokastër, Vlorë, Durrës dhe Burrel, përpara se të gjendej në kryeqytet. Lëvizjet e saj, sipas hetimeve, janë dokumentuar edhe nga kamerat e sigurisë, ndërsa ajo dyshohet se ka udhëtuar me autobusë dhe taksi.
Deri tani, disa persona janë arrestuar, ndërsa të tjerë janë shpallur në kërkim. Hetuesit po verifikojnë dyshimet se disa prej personave të përfshirë mund t’i kenë dhënë para të miturës. Operacioni vijon dhe nuk është përmbyllur ende.
Aktualisht, 13-vjeçarja ndodhet në një qendër sociale në Tiranë, ku po merr kujdes mjekësor dhe psikologjik. Rasti po ndiqet nga institucionet përkatëse, ndërsa është përfshirë edhe Ambasada Amerikane.
Hetimet po vijojnë për të përcaktuar përgjegjësinë e secilit person dhe rrethanat e plota të ngjarjes. Për shkak të moshës së saj, çdo pretendim për abuzim duhet trajtuar me seriozitet, ndërsa përgjegjësia penale u takon organeve të drejtësisë ta përcaktojnë.