✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

Meloni ‘kërcënon’ me zgjedhje të parakohshme, koalicioni italian në krizë

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka paralajmëruar aleatët e saj në koalicion se nuk është e gatshme ta çojë qeverinë deri në fund të mandatit nëse vazhdojnë përplasjet e brendshme. Sipas gazetës “Corriere della Sera”, Meloni u ka kërkuar drejtuesve të Legës dhe Forza Italia-s të ndryshojnë qasjen, duke theksuar se tensionet po pengojnë funksionimin e qeverisë.

“Jeni ju që më kërkoni të shkojmë deri në fund të mandatit. Dhe mendoni se unë do të pranoj ta bëj këtë në këto kushte?”, mësohet t’u ketë thënë ajo aleatëve.

Kryeministrja ka paralajmëruar edhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, duke lënë të kuptohet se votimet mund të zhvillohen që në nëntor të këtij viti, në vend të nëntorit të vitit të ardhshëm.

Pakënaqësitë e Melonit lidhen me disa përplasje të fundit brenda koalicionit. Mes tyre janë qindra amendamentet e paraqitura nga Lega e Matteo Salvinit për buxhetin, debatet për ndihmën ndaj Ukrainës dhe vota kundër e Forza Italia-s për një dispozitë që synonte uljen e kostos së librave shkollorë në format digjital.

Megjithatë, sipas “Corriere della Sera”, Meloni do të preferonte që zgjedhjet të mbaheshin në maj të vitit të ardhshëm. Ajo mund të pranojë vazhdimin e mandatit deri në përfundim, nëse partnerët e koalicionit u japin fund mosmarrëveshjeve dhe krijojnë kushtet për funksionimin normal të qeverisë.

Edhe presidenti i Senatit, Ignazio La Russa, ka përmendur mundësinë e zgjedhjeve në pranverë ose në vjeshtë. Sipas tij, Italia nuk mund ta mbajë qeverinë të bllokuar nga fushata zgjedhore për nëntë muaj, përveç rastit kur krijohen kushtet që ajo të vijojë punën.

Përplasjet nuk janë të kufizuara vetëm te marrëdhëniet mes partive aleate. Edhe brenda Fratelli d’Italia, partisë së Melonit, po shqyrtohen ndryshime në mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve. Sipas gazetës, një propozim parashikon rritjen nga 49 në 61 të vendeve të rezervuara për kandidatët që kryesojnë listat zgjedhore, me synimin për të mbrojtur rizgjedhjen e deputetëve që rrezikojnë të mbeten jashtë Parlamentit.

Një tjetër burim tensioni është gara mes partive për të marrë meritat për nismat politike. Përfaqësues të Legës dhe Forza Italia-s ankohen se Meloni po merr përsipër çështje që tradicionalisht janë pjesë e programeve të tyre.

Mosmarrëveshje ka edhe për pensionet. Matteo Salvini ka kërkuar 500 milionë euro shtesë mbi 800 milionët e parashikuar për skemën e njohur si “Kuota 64”, por kërkesa është refuzuar nga kryeministrja. Ajo i është përgjigjur me ironi propozimit të aleatit të saj.

Për momentin, Meloni kërkon që marrëveshjet brenda koalicionit të respektohen dhe që partnerët të shmangin përplasjet që rrezikojnë stabilitetin e qeverisë. Paralajmërimi për zgjedhje të parakohshme mbetet një sinjal i qartë i tensioneve që po shoqërojnë koalicionin qeverisës në Itali.

Advertisement