Connect with us

Lifestyle

“Mendova se do të më arrestonin”, Ismail Kadare flet për marrëdhënien me Enver Hoxhën

Shkrimtari Ismail Kadare rikthehet në libraritë italiane me një roman të shkruar rreth 40 vjet më parë. “Pallati i ëndrrave” ruan gjithë fuqinë dhe freskinë distopike të së tashmes. Në një intervistë për “La Lettura” të Corriere della Sera, shkrimtari flet për kohën kur u shkrua romani, marrëdhënien me Enver Hoxhën, arratinë në Francë e deri për teknologjinë dhe frikën se mos kjo e fundit po na kontrollon mendjen.

I nderuar zoti Kadare, fillimisht ju falenderoj shumë që pranuat këtë intervistë. Kjo intervistë po bëhet me rastin e botimit në Itali të veprës suaj “Pallati i ëndrrave”, botuar në Shqipëri në vitin 1981. Cili është këndvështrimi juaj aktual ndaj një libri që keni shkruar më shumë se 40 vjet më parë?

Është një libër i shkruar për atë kohë. Shqipëria ishte një vend totalitar dhe si shkrimtar ndjeja që përmasa e komunizmit dhe pushteti i tij mbi individin po bëhej absolut. E gjithë ajo atmosferë që përshkruhet në këtë vepër nuk ndryshon shumë nga totalitarizmi shtypës i Shqipërisë së Enver Hoxhës në atë periudhë. Në kokën time, gjithë ajo zymtësi që kam mundur të shpreh ishte e vërtetë, e sot kjo më gëzon që kam mundur ta shpreh. Letërsia të jep mundësinë e jetës dhe në kushte të tilla. Ky ishte fati im, jeta me letërsinë.

Në kohën kur u shkrua ishte absolutisht aktual. Por edhe tani është aktual, por me kalimin e 40 viteve asgjë nuk ka humbur nga kualitetet e tij. Unë me gëzim i rishfaq edhe njëherë ato mendime për publikun e sotëm. E bën aktual fryma kritike, mohuese që ka pasur që në atë kohë, ka qenë shumë e ashpër. Më gëzon fakti që kam pasur një mendim aq radikal për kohën. Kjo ashpërsi nuk ka rënë me kalimin e kohës. Ndaj librit në ato vite pati presione, ndalime, kritika. Për herë të parë pas daljes së këtij romani mendova se do të më arrestonin, pasi fryma anti-sistem në të ishte e dukshme.

 

 

Dhe cili është këndvështrimi juaj ndaj njeriut dhe shkrimtarit Ismail Kadare të vitit 1981? Mendoni se keni ndryshuar shumë? Dhe nëse po, si?

Nuk mendoj se kam ndryshuar. Ne letërsi gjërat ndryshojnë shumë ngadalë, në mendjen e shkrimtarit gjithashtu, e kjo është diçka pozitive. Në vitin 1981 pikëpamjet e mia mbi totalitarizmin, kërkonin të konfiguronin një Shqipëri evropiane ashtu siç ishin rrënjët e saj. E kam mbrojtur këtë pikëpamje me veprat e mia, në mënyrë të natyrshme, duke besuar në një përkatësi të hershme evropiane të këtij populli që jetoi një nga sistemet më të egra komuniste. Gjithë vepra ime përpiqet të orientojë lexuesin drejt një zgjimi të brendshëm, por dhe aq të bukur që letërsia mund ta japë, dhe pse në ato vite dukej e pamundur.

Për një person si unë, që sot lexon për herë të parë veprën “Pallati i ëndrrave”, ky roman është befasues sepse është shumë aktual. Mendonit se po shkruanit mbi të gjitha një alegori të regjimit komunist shqiptar? Apo ishit në dijeni, tashmë që në atë kohë, për shtrirjen universale dhe të përjetshme të romanit?

Shkrimtari e ndjen me intuitë për gjërat që shkruan e jeton, se duke qenë të kohës ato janë njëkohësisht të përjetshme. Për fat të mirë kjo temë që zhvillohet në këtë roman është e përjetshme. Vepra është një satirë e totalitarizmit, që kalon kufijtë lokalë e kombëtarë. Thagma e këtij romani është shkruar te një nga novelat që kam shkruar paralelisht në atë kohë. Ndoshta te “Qorrfermani” kam idenë e një personazhi që të çon tek ëndrra. Më vonë, ky mendim do të fekste tek unë kur dëgjova mbi disa vjedhje në Tiranë. Vjedhje të çuditshme, groteske, në plan të parë, por që zgjuan tek unë projektimin e skëterrës. Kishte kohë që më joshte projektimi i një skëterre. E kam treguar këtë e në librin “Kohë për rrëfim”, një bisedë me një studiuese shqiptare ku them se “E dija që ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të shkruaja një vepër të tillë. Vetëm pasi shkrova dy kapitujt e parë të veprës, ndjeva se po realizoja atë që më ishte dukur e pamundur: skëterrën. Ishte një lloj mbretërie e vdekjes ku, në mos ne vetë, ishte gjumi dhe ëndrrat tona, një pjesë e jetës sonë që gjendej matanë, ndërkohë që ne ishim këtej. Romani pasqyron tensionin midis etnicitetit kombëtar dhe atij perandorak për një individ e dinasti, fati i të cilëve është i lidhur njëkohësisht me politikën kombëtare e atë ndërkombëtare. Isha i vetëdijshëm për fatalitetin që mund të më sillte ky libër, por aq i bindur në fuqinë universale të kësaj teme.

A është fuqia e ëndrrave në roman e ngjashme me fuqinë e informacionit në botën e sotme?

Imazhet e fuqishme dhe logjika gati surreale e bënin personazhin e këtij romani Mark Alemin shpesh të pafuqishëm përballë fuqisë së ëndrrave. Bota njerëzore ka aftësinë të përshkruajë e përsërisë veten në shumë forma, të gjejë mënyra për t’i mbijetuar pengesave. Alegoria e “Pallatit të Ëndrrave” në kontekstet e reja kulturore, shoqërore, apo një bote e cila tashmë po përballet me konflikte të reja më ashpra siç janë dy vatrat e luftërave të reja, që po sjellin një kërcënim për stabilitetin, rikthen vëmendjen tek nevoja e urtësisë njerëzore. Fuqia e informacionit në kohët e sotme po rikthen një tjetër totalitarizëm, atë mbi kulturën. Ruajtja e kulturës në këto ujëra të fuqishme të informacionit është detyrë e njerëzve të shkrimit.

Çfarë mendoni për përpjekjet e teknologjisë, e cila po funksionon (punon) kudo në botën bashkëkohore, nga Kina në Silicon Valley, dhe po bëhen përpjekje të digjitalizohet gjithçka, dhe si rrjedhojë ndoshta një ditë a do të mund të arrihet deri aty sa të kontrollohet mendimi njerëzor?

Kjo është një përpjekje e pamundur.

Çfarë roli luajti vepra “Pallati i Ëndrrave” në lidhje me situatën tuaj në Shqipëri edhe në lidhje me vendimin që ju morët për të jetuar në Paris?

Ky roman më solli shumë telashe dhe pse isha mësuar me telashe. Zakonisht botimi i veprave të mia shoqërohej gjithnjë me kritika në shtyp, mbledhje në Lidhjen e Shkrimtarëve. Kudo në Tiranë flitej se “është ndaluar libri i Kadaresë dhe pritet dënimi”. Botimi i veprave të mia në Francë ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në lidhje me situatën në të cilën unë si shkrimtar ndodhesha në Shqipëri. Franca, lexuesi perëndimor ka luajtur një rol në shpëtimin e situatës sime. Më vonë në Kafe Rostand në Paris kam takuar një gazetare franceze e cila më ka treguar se ka shkuar në ambasadën tonë dhe ka pyetur mbi gjendjen time. Erdhën shumë informacione nga Perëndimi, që shtypi i huaj interesohet për Kadarenë dhe kjo e trembi Enver Hoxhën. Në këtë rast veproi mekanizmi i mbrojtjes perëndimore. Ka qenë periudha më e zezë në jetën time.

Largimi im drejt Francës duke ikur përgjithmonë nga vendi im erdhi në rrethana kur kuptova se kjo ishte mënyra e vetme për të ndryshuar kursin e regjimit në Shqipëri. Udhëheqësi komunist i asaj kohe duket se nuk do ta bënte një veprim të tillë. Ika kur mendova se ky veprim do të luante një rol për rënien e komunizmit në vend.

Keni lindur në të njëjtin qytet, Gjirokastër, me diktatorin Enver Hoxha. Cila ka qenë marrëdhënia juaj me të?

Nuk kam pasur asnjë marrëdhënie personale me të. Ne kemi qenë komshinj, në lagjen më të vjetër e më të madhe të Gjirokastrës, te rrugica që unë i kam ringjallur emrin e çuditshëm “Sokaku i të marrëve”. Në Gjirokastër Enver Hoxha nuk njihej shumë gjatë luftës, pasi shtëpitë gjirokastrite kishin shumë identitet të fortë dhe nuk lejonin spikatjen e identiteteve të zbehta. Mendimi im i gjithëkohshëm për Enver Hoxhën ka qenë jo pozitiv. Nuk gjendet në veprën time askund ndonjë përshkrim ku të theksohet admirimi për të. Kjo shpaloset qartë, sidomos, te “Dimri i vetmisë së madhe”, ku ai përshkruhet gjerësisht në biseda me të tjerët dhe s’ka ndonjë ndryshim midis tij dhe galerisë së personazheve krejtësisht negative të atij që quhej blloku komunist.

Në moshën 11-vjeçare ju kopjuat me dorë të gjithë Makbethin. Pse Shekspiri ishte kaq i rëndësishëm për ju?

Tragjedia e Shekspirit pushtoi mendjen time që kur isha ende fëmijë. Makbethi shfaqi para meje botën e letërsisë. U dhashë pas kësaj magjepsjeje siç i jepesh një feje. Me mendimin se po ta kopjoje librin bëhet yti, pra bëheshe autor, e kopjova të gjithin me dorë me një laps e një letër. Ky ishte një koncept i çuditshëm që nuk e di se nga më lindi dhe nuk arrij ta shpjegoj dot, por një ide e tillë më vazhdoi për një kohë shumë të gjatë, duke menduar se përderisa unë kopjoja një libër, isha njëkohësisht dhe pjesëmarrës në krijimin e tij. Kështu, pasi kopjova një pjesë të Makbethit, jetoja vetëm me të. Shekspiri ka qenë gjithnjë i rëndësishëm në veprën time e vijon të jetë si një mjeshtër që të udhëheq drejt portave të letërsisë së madhe.

Ndryshe nga shkrimtarët e tjerë të mëdhenj të mërguar, si Conrad, Nabokov apo Kundera, ju nuk e keni braktisur kurrë gjuhën tuaj origjinale, shqipen. Përse?

Mendoja se mund ti jepja më shumë artit tim me këtë gjuhë. Gjuha shqipe më ka dhënë gjithë hapësirën për të shprehur përmes saj përfytyrimet e mia. Nuk kam ndjerë asnjëherë pengesë në artin tim nga kjo gjuhë, por jam magjepsur vazhdimisht pas bukurisë së saj.

Lifestyle

Si festohen Pashkët nga çdo shenjë e zodiakut?

DASHI

Pashka, si festë, simbolizon fillimin e një epoke të re. Nuk është rastësi që e gjithë kjo përkon natyrshëm me ditëlindjen tuaj. Është koha e duhur që çdo Dash të fillojë diçka të re. Ndonjëherë një plan, projekt apo hobi mund t’ju mbushë me ankth, por shpresa dhe frymëzimi që ju jep është një vlerë… e paçmuar.

DEMI

Demi është një shenjë e Tokës dhe kontakti i tij me natyrën e bën atë të ndihet më i qetë dhe rehat. Një shëtitje në fshat, ecje, skarë apo barbeque jashtë me njerëzit e dashur është mënyra ideale për të festuar Pashkët!

BINJAKËT

Një Binjak bëhet sërish fëmijë në Pashkë! Me shenjën e tij të sunduar nga Mërkuri, zemra e tij do të mbushet me gëzim dhe për këtë arsye, ai do të mbushë me gëzim edhe ata që e rrethojnë. Madje i jepet mundësia të shkojë në ekskursionet e tij, të shoqërohet dhe të kontaktojë me shumë njerëz, gjë që i pëlqen shumë!

GAFORRE

Hëna luan një rol shumë të madh për Gaforren, pasi është edhe planeti i tij sundues, sidomos kur kemi Hënë të Plotë. Pashka për këtë shenjë, përveçse të ngarkuar emocionalisht, është edhe një festë që ai me kënaqësi e kalon me familjen (si gjithë të tjerat gjithsesi), duke respektuar zakonet tradicionale.

LUANI

Në anën e kundërt të Gaforres, është Luani, i sunduar nga Dielli. Kjo është edhe arsyeja pse Luanët ndihen shumë më bukur në ditët e Pashkëve, veçanërisht nëse është me diell. Ata kërcejnë, këndojnë, argëtohen, festojnë, me pak fjalë, me shpirt.

VIRGJËRESHA

Virgjëresha është e lidhur me Virgjëreshën Mari, ndaj Pashkët është periudha kur ana e saj femërore “zgjohet” përsa i përket lindjes dhe kujdesit. Pashkët janë një rast që çdo Virgjëreshë të kujdeset për familjen e saj, të kujdeset për shtëpinë dhe të përqendrojë vëmendjen te gratë e jetës së saj, të cilat nuk janë askush tjetër veçse gjyshja, nëna apo vajza.

PESHORJA

Hëna e parë e Plotë e Ekuinoksit të Pranverës , siç thamë më lart, zakonisht ndodh në shenjën e Peshores, kështu që Peshorja mendon se duhet të heqë dorë nga e kaluara dhe në një farë mënyre “të ecë përpara” në të ardhmen. Pra, Pashkët zakonisht bëjnë një listë të gjërave që ai dëshiron të heqë qafe dhe ai do të jetë i lumtur nëse më në fund mund t’i heqë qafe ato.

AKREPI

Ashtu si një Jezus tjetër, edhe Akrepi “ringjallet” në Pashkë! Në përgjithësi, është një kohë ndryshimi. Tani, nëse këto kanë të bëjnë me një profesion të ri, një marrëdhënie të re ose thjesht rinovimin ose rimodelimin e hapësirës së tij, kush e di?

SHIGJETARI

Pashkët mund të festohen kryesisht nga të krishterët katolikë dhe ortodoksë, por ka ende shumë kultura të largëta që kanë Pashkët e tyre “të ngjashme”. Nëse i përkisni shenjës së Shigjetarit dhe keni mundësi, bëni një udhëtim në një nga këto vende. Përndryshe, udhëtoni brenda Greqisë në një qytet apo fshat që ka zakone të veçanta!

BRICJAPI

Me hyrjen e Diellit në Dashi, Bricjapët mendojnë se është koha për të vendosur synime të reja afatgjata të vogla apo edhe madhështore. Pra, këtë Pashkë, ata janë plot energji dhe vigjilent! Megjithatë, kur vjen puna për ta festuar, ato janë si gjithmonë… klasike!

UJORI

Pashka për një Ujor është koha ideale për të hyrë në kontakt me njerëz që i bëjnë ata të lumtur! Një mbledhje familjare, një piknik, një zakon, madje edhe pjesëmarrja e tij në një grup vullnetarësh do t’i mbushin zemrën me optimizëm.

PESHQIT

Pavarësisht nëse jeni një person thellësisht fetar apo jo, Pashkët është një kohë për ndjekje të mëtejshme shpirtërore. Të mos harrojmë se ai ka një intuitë shumë të fortë dhe tërhiqet lehtësisht në një kërkim të brendshëm. Një bisedë me miqtë apo të afërmit që ai ka mundësi të takojë, këtë festë, mund ta shtyjë të zgjerojë horizontet e tij.

Continue Reading

Lifestyle

Disa rregulla që ekzistojnë për një martesë të lumtur

Edhe sinqeriteti i plotë nuk është gjithmonë opsioni më i mirë në martesë. Nuk duhet partnerit t’i rrëfeni secilin detaj nga lidhjet tuaja të mëparshme, sepse kjo kryesisht ngjall krahasime, ndërsa krahasimet nuk mund të sjellin asgjë të mirë.

Të gjithë ne, para se të lidhim martesën, nga nëna dhe gjyshja jonë kemi marrë këshilla për bashkëshortësi të mirë dhe të suksesshme. Por, a janë ato këshilla me të vërtetë të dobishme dhe a duhet në mënyrë të verbër t’i respektojmë?

Ja disa “rregulla martesore” për të cilat shumë revista për femra konsiderojnë se lirisht mund të thyhen. Një nga këshillat që është e vjetër sa edhe vetë pyetja “a është e para veza apo pula”, është këshilla që mos të shkojmë të hidhëruara në krevat.

Është e vërtetë se përderisa grindemi gjatë kohës kur na merr gjumi, kur jemi të lodhura ose nën stres, asgjë e mirë nuk mund të dalë nga ajo grindje.

Nëse jeni në gjendje të dakordoheni se nuk pajtoheni dhe të shkoni në gjumë, e grindjen ta lini kur të jeni më të pushuar dhe me kokë të ftohtë. Edhe sinqeriteti i plotë nuk është gjithmonë opsioni më i mirë në martesë.

Nuk duhet partnerit t’i rrëfeni secilin detaj nga lidhjet tuaja të mëparshme, sepse kjo kryesisht ngjall krahasime, ndërsa krahasimet nuk mund të sjellin asgjë të mirë.

Kur janë në pyetje pushimet, kryesisht rekomandohet që kohën e lirë ta kaloni njëri pranë tjetrit, por problemi mund të krijohet në atë moment kur ju dhe partneri juaj keni komplet kuptime të ndryshme për pushimin. Ju dëshironi të hulumtoni, ai dëshiron të qëndroni në një vend, ju dëshironi në mal, ai në det…

Në këto raste ndoshta është mirë që nganjëherë në pushime të shkoni ndaras, secili në anën e vetë, por jo gjithmonë.

Fëmijët

Një nga gabimet më të shpeshta të çifteve në martesë është ajo që lidhjen e tyre e anashkalojnë sapo arrijnë fëmijët në shtëpi. Nëse në disa raste e veni lidhjen tuaj në rend të parë para fëmijëve, nuk do të thotë se jeni prindër të këqij, por përkundrazi.

Nëse në rend të parë punoni në lidhjen tuaj, kjo nuk është mirë vetëm për ju, por edhe për fëmijët tuaj, sepse rritja me prindër që duhen dhe që mirëkuptohen është një bazament i shkëlqyeshëm për një jetë të lumtur.

“Asnjëherë mos flini në krevat të ndarë” është ajo që po ashtu e dëgjojmë nga ana e atyre që kanë përvojë më të madhe në martesë. Por nëse partneri juaj gërhet me të madhe, rrotullohet ose tërë natën shikon TV, derisa ju përpiqeni të flini, ndoshta në këto raste është më mirë të flini në krevat të ndarë, por të mos lejoni që kjo t’ju ndikojë në jetën seksuale dhe afërsinë fizike.

Edhe për fund, nuk e keni patjetër që çdo çast ta kaloni së bashku. Ideale do të ishte opsioni që të kishit interesime të përbashkëta, por nëse burri juaj do të merret me automobila, ndërsa ju dëshironi më shumë të dilni në natyre – nuk duhet të humbisni guximin për këtë gjë.

Opsioni më i mirë është të shkoni dhe të bëni aktivitete të ndryshme, por po ashtu të gjeni një të përbashkët.

Nuk ekzistojnë rregulla për martesë të lumtur, përshtatni sipas afiniteteve tuaja sepse çdo lidhje, si dhe çdo njeri, është e veçantë dhe e ndryshme.

Continue Reading

Lifestyle

Mungesa e gjumit dhe lidhja e tij me depresionin/ Gjithçka që duhet të dini

Mungesa e gjumit është treguar se dëmton funksionin e sistemit imunitar. Shqetësimet e shëndetit mendor, të tilla si depresioni , janë të lidhura fort me cilësinë e dobët të gjumit dhe çrregullimet e gjumit.

Një studim me 2672 pjesëmarrës zbuloi se ata me ankth dhe depresion kishin më shumë gjasa të raportonin rezultate më të dobëta të gjumit sesa ata pa ankth dhe depresion.

Kur jemi të lodhur, aftësia jonë për t’u përqëndruar në detyrat, reflekset dhe kohën e reagimit zvogëlohet.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) raportojnë se 1 në 25 njerëz ka rënë në gjumë në timon gjatë vozitjes. Ata që flinin më pak se 6 orë kishin më shumë gjasa të binin në gjumë gjatë vozitjes.

Një studim i vitit 2018 zbuloi se njerëzit që flinin 6, 5, 4 ose më pak se 4 orë kishin një rrezik për të shkaktuar një aksident automobilistik që ishte përkatësisht 1.3, 1.9, 2.9 dhe 15.1 herë më i lartë. Ky studim sugjeron që rreziku juaj për një aksident automobilistik rritet ndjeshëm me çdo orë gjumi të humbur.

Në studime të tjera, njerëzit me çrregullime të gjumit gjithashtu raportojnë shkallë më të lartë të depresionit.

Nëse keni probleme me gjumin dhe vini re se shëndeti juaj mendor është përkeqësuar, është e rëndësishme të flisni me profesionistin tuaj të kujdesit shëndetësor.

Continue Reading

Lifestyle

Ja çfarë i ndodh trupit gjatë fluturimit me aeroplan

Të marrësh pushim nga puna dhe jeta e përditshme për të udhëtuar është një mënyrë mjaft e mirë për ta rifreskuar mendjen dhe trupin, por nëse keni për të bërë një udhëtim të gjatë me aeroplan, atëherë duhet t’i dini disa rreziqe shëndetësore që shkaktohen nga fluturimi

Një infografikë e lëshuar nga Citybase Apartments tregon se çfarë ndodh saktësisht në trupin tuaj gjatë fluturimit.

Fryrje, të ftohtë, rrahje të parregullt të zemrës dhe një rritje të rrezikut të prishjes së dhëmbëve janë vetëm disa nga sëmundjet për të cilat duhet të përgatiteni para fluturimit tuaj të ardhshëm.

Grafika tregoi gjithashtu se të çoheni në këmbë dhe të bëni zgjatje gjatë fluturimit ndikon që të mos i përjetoni problemet e cekura.

Goja: Atmosfera në kabinë do t’ju dehidratojë në mënyrë natyrale, dhe sigurisht, kjo përkeqësohet nëse pini alkool gjatë fluturimit.

Zemra: Disa udhëtarë mund të vuajnë nga ‘aritmia’, një çrregullim i rrahjes së zemrës. Kjo ndodh sidomos tek ata që kanë shtypje të lartë të gjakut ose që kanë konsumuar kafeinë shumë ose alkool.

Stomaku: Ngjashëm me mushkëritë, stomaku do të zgjerohet në shkallë të lartë, duke shkaktuar dhimbje abdominale dhe kapsllëk. Për ta evituar këtë, qëndroni larg pijeve me gaz.

Këmbët: Të qëndrosh ulur në pozitën e njëjtë për orë të tëra jo vetëm që është e parehatshme por edhe ndikon në formimin e mpiksjeve të gjakut. Një mpiksje mund të ndalojë rrjedhjen e gjakut në këmbë, duke shkaktuar ënjtje dhe zgjerim të venave.

Veshët: Duke u nisur aeroplani, ajri në veshë mblidhet, duke formuar një vakum. Nëse tubat ‘Eustachian’ në veshë bllokohen, shkakton dhimbje në timpanin e veshit.

Hunda: Keni 100 herë më shumë gjasa që të ftoheni gjatë një fluturimi. Kjo për shkak se kabinat janë virtualisht pa lagështi, një atmosferë e përsosur për të shpërndarë grip.

Dhëmbët: Ndryshimet në presionin e ajrit mund të shkaktojnë vrima të vogla të gazit në dhëmbë dhe të ndikojnë në prishjen e tyre.

Mushkëritë: Ajri në kabinë bën që mushkëritë të zgjerohen, duke shkaktuar fryrje. Tek ata që kanë astmë, mund të ketë komplikime të tilla si dështim të mushkërive.

Continue Reading

Lifestyle

A e dini se edhe sytë “digjen” nga dielli? Çfarë duhet të bëni për t’i mbrojtur

    

Ka gjithmonë një pjesë të fytyrës suaj që nuk mbroni si duhet, sytë tuaj. Gjatë dhe pas pushimeve të verës, shumë njerëz ankohen për probleme të syve dhe shikimit. Mjaft persona përjetojnë shqetësime sikur kanë copëza prej qelqi në sytë e tyre. Këto janë shenja që sinjalizojnë fotokeratitin. Fotokeratiti është në thelb një djegie nga dielli në pjesën e përparme të syrit tuaj, që quhet kornea.

Ashtu si djegia e lëkurës nga dielli mund të jetë e dhimbshme, fotokeratiti sjell shqetësime serioze në sy.

Përveç ndjenjës së “copëzave të xhamit”, fotokeratiti shkakton skuqje, shikim të paqartë, ndjeshmëri ndaj ndriçimit dhe në raste të rralla edhe humbje të përkohshme të shikimit. Sa më gjatë t’i ekspozoheni sytë ndaj rrezeve UV, aq më të rënda mund të jenë simptomat, thonë specialistët.

Gjendja, gjithashtu, mund të shkaktohet nga reflektimet nga dielli, kur pasqyrohet në ujë ose shkëmbinj të bardhë dhe rërë.

Për fat të mirë, dëmtimi i syve nga dielli, zakonisht nuk është i përhershëm. Njëlloj si djegiet në lëkurën tuaj, fotokeratiti zgjat vetëm për disa ditë, thonë ekspertët.

Rreziku i dëmtimit të përhershëm është i ulët nëse ekspozimi ndaj rrezeve UV është kufizuar në pjesën e përparme të syrit, te kornea.

Megjithatë, nëse ekspozimi ndaj rrezeve UV ndikon tek retina, që ndodh nëse shikoni direkt në diell, ekziston një rrezik më i madh dhe më serioz i problemeve të përhershme me shikimin.

Ndërsa sytë tuaj shërojnë nga fotokeratiti, ata mund të trajtohen duke përdorur pika të syrit, pika antibiotike, ose pomadë të rekomanduara nga një mjek okulist.

Ashtu si mbroni lëkurën tuaj nga dielli, është e rëndësishme të mbroni sytë tuaj për të parandaluar ndonjë djegie.

Ndërkohë që, pa dyshim, nuk vendosni kremin kundër djegies në sy, por duhet të lyeni gjithmonë kapakun e syve tuaj.

Një studim zbulon se njerëzit kanë tendencë të lënë pa trajtuar me krem kundër djegies rreth 10 për qind të fytyrës së tyre – duke përfshirë zonën e syve.

Lëkura e hollë dhe e ndjeshme rreth syve është zona ku ndodhin 10 për qind të rasteve të kancerit të lëkurës. Prandaj është shumë e rëndësishme të siguroheni që po mbroni të gjithë zonën e syve nga rrezet e dëmshme.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING