Aktualitet
Mes dhimbjes së familjarëve dhe kolegëve, gazetari përcillet sot për në banesën e fundit
Një aksident i rëndë i ka prerë në mes jetën gazetarit Enrik Mehmeti, një prej emrave më të njohur të raportimit në qarkun e Vlorës. Lajmi tragjik ka tronditur familjarët, kolegët dhe komunitetin mediatik, ku Mehmeti prej vitesh ishte angazhuar në pasqyrimin e kronikës dhe zhvillimeve më të rëndësishme të rajonit.
Ai do të përcillet ditën e sotme për në banesën e fundit në orën 14:00 në varrezat e qytetit të Vlorës, homazhet për të do të mbahen nga ora 12:00 deri në 14:00 në Vlorë .
Dhjetëra prej miqve e kolegëve të tij janë bashkuar në ngushëllim për 40 vjeçarin që qe aq shumë i përkushuar ndaj punës e familjes së tij.
Botuesja dhe drejtuesja e shoqërisë mediatike “Newsbomb”, Anila Basha: Largimet janë gjithmonë të dhimbshme, ama këto ikje pa kthim të krijojnë atë lëmshin në fyt e ngulçim në zemër që të lë pa frymë. Si ike kështu Riku? Kaq pabesisht? Komuniteti ynë humbi një gazetar kurajoz, ne miqtë e tu, një mik për vëlla. Këtu jemi në zgjedhjen tënde si kryetar i Unionit në 2017. Sa do na mungosh të gjithëve, e me së pari dy ëngjëjve të tu, familjes. Qofsh i parajsës shoku im!
Gazetarja Klodiana Lala: “Me tronditi ikja jote Enrik! Le pas shume dhimbje e hidherim! Do te na mungosh mik i mire! Qofsh i parajses! Gazetari i News 24 Enrik Mehmeti nderroi jete ne moshen 40-vjeçare ne nje aksident me motorr ne Vlore!”
Avokati Altin Goxhaj: “Ngushëllime familjarëve! Gazetari Enrik Mehmeti ishte djalë trim dhe patriot që e donte dhe punonte me zemër për Vlorën. Qofsh i Parajsës”
Avokati Klaudio Dhima: “Nuk më zë gjumi nga shtrati i spitalit, për këtë tronditje të madhe që më dha ikja jote vëlla, ku do gjejë unë shokë si ty o Enrik Mehmeti”
Kreu i partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj: “Sapo mora vesh se gazetari Enrik Mehmeti ka ndërruar jetë nga një aksident! Pa fjalë! Le emër të mirë mik! Prehu i qetë Enrik! Nuk do shkruaj më shumë, por do të kujtoj gjithmonë me respekt për sa të njoha!”
Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias: “Letër ngushëllimi
Me hidhërim të thellë, në emër të komunitetit të gazetarëve dhe të gjithë anëtarëve të Sindikatës së Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SGPM), morëm lajmin e rëndë të ndarjes së parakohshme nga jeta, në moshën 40-vjeçare, të një prej themeluesve të sindikatës sonë dhe anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të SGPM, Enrik Mehmeti.
Enriku ishte një bashkëpunëtor dhe kontribues i çmuar, jo vetëm në hapësirën mediatike shqiptare, por edhe në forcimin e komunitetit të gazetarëve dhe në mbrojtjen e kauzave që lidhen me lirinë e medias, të drejtat profesionale dhe parimet themelore të gazetarisë.
Ndarja e tij e parakohshme lë një boshllëk të madh në familje, mes kolegëve dhe në mbarë komunitetin mediatik. Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias humbi një nga përfaqësuesit dhe kontribuesit më të rëndësishëm të saj, kolegët humbën një mik të çmuar, familja njeriun e saj të dashur, ndërsa media shqiptare humbi një profesionist me integritet, përkushtim dhe karakter të palëkundur.
Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, miqve, kolegëve dhe mbarë komunitetit mediatik shqiptar.
U prehtë në paqe!
Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SGPM)”
Gazetari Bekim Bici: Enrik Mehmeti, koleg e shok i mirë, vlonjati që kërcente me gjithë shpirt në çdo darkë festive, krah për krah me mua vallen e Kukësit… Njeriu i kudo gjendur, e shoku i gjithmonëgjindshëm, sot u nda nga ne e nga kjo jetë e përkohëshme, duke lënë pikëllim në familje e dy fëmijët si drita, mes miqsh e kolegësh.
Zoti të mëshiroftë mik i mirë! Zoti u dhëntë forcë familjarëve për të përballuar këtë humbje të rëndë!
Deputeti i PS, Bledi Çuçi: “Trishtim i madh shumë për ndarjen e papritur nga jeta të gazetarit Enrik Mehmeti, në moshë fare të re. Zor të gjesh fjalët e duhura përballë një humbjeje kaq të rëndë. Mendimet e mia janë me familjen e tij, me të afërmit, miqtë dhe kolegët, të cilëve u shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Lamtumirë Enrik!”
Julian Bleta, mik i Enrikut: “Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të mikut tim, Enrik Mehmeti.
Kemi ndarë mbi 20 vite miqësi dhe kujtimi i tij do të mbetet gjithmonë i gjallë. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Mehmeti, veçanërisht vëllait të tij Fabio, si edhe të gjithë të afërmve e miqve.
U prehtë në paqe, Enrik. Do të të kujtojmë gjithmonë me respekt dhe mall. Zoti ju dhëntë forcë për ta përballuar këtë dhimbje të madhe !”
Gazetari dhe pedagogu, Lutfi Dervishi: Lamtumirë, Enrik!
Ka lajme që refuzon t’i besosh, edhe kur i sheh të shkruara e të ritransmetuara kudo.
Sapo mora vesh se Enrik Mehmeti është ndarë nga jeta. Vetëm 40 vjeç. Një koleg gazetar, baba i dy fëmijëve dhe një njeri që e njihja mirë, jo vetëm përmes ekranit, por edhe nga komunikimi që kishim.
Ironia e fatit di të jetë e pamëshirshme. Më 10 qershor, ai postonte me gëzim lajmin se një i ri kishte shpëtuar pas një aksidenti me motor, duke bërë thirrje: “Kujdes në çdo kohë me motorin.” Sot, një aksident i tillë ia ndërpreu jetën në mes.
Fola me të një javë më parë. Më përsëriti ftesën që të kaloja disa ditë pushimesh me familjen në Vlorë. Tragjedi të tilla të bëjnë të kuptosh se “e nesërmja” nuk është kurrë e garantuar.
Enriku ishte nga ata gazetarë që merrnin frymë me ritmin e ngjarjes. Për vite me radhë raportoi palodhshëm nga Vlora, gjithmonë në vendngjarje. Kishte atë pasionin e brezit që jeton me telefon në dorë, me nxitimin dhe dëshirën e mirë për të qenë i pari aty ku ishte lajmi.
Sonte, fatkeqësisht, lajmi është ai vetë.
Është jashtëzakonisht e vështirë të gjesh fjalë kur një jetë nderpritet kaq herët dhe kaq befasisht. Nuk ka ngushëllim që mund t’ua lehtësojë dhimbjen familjarëve, bashkëshortes, dy fëmijëve, të afërmve dhe gjithë kolegëve.
U prehsh në paqe, Enrik.
Ne jemi mësuar të konsumojmë lajme çdo minutë dhe shpesh harrojmë se pas çdo raportimi qëndron një njeri, një prind, një koleg. Sonte humbëm një prej tyre.
Moderatorja Armela Ferko: E shokuar, e tronditur dhe e trishtuar per largimin tragjik te parakohshem te Enrik Mehmeti, nje njeri qe aq shume e donte jeten.
Ngushellime familjes dhe Zoti u dhente force ta perballojne kete humbje te madhe!
Enriku qe shume e shume vite raportoi cdo lajm qe ndodhte ne qarkun e Vlores, sic ai dinte ta bente…sot qenka bere vete lajmi i kobshem. Pa fjale!!!
Enrikun e kam njohur qe ne 2004, kur ende punoja ne nje tv lokal ne Fier dhe me pas jeta e solli qe te punonim bashke shume vite ne Neës24, une redaktore rrethesh e ai korrespondent i qarkut te Vlores. Nje djale me zemer te madhe dhe shume punetor e ambicioz. Nuk e besoj dot largimin e tij te parakohshem nga kjo jete. Sot familja Mehmeti humbi djalin e saj, miqte e panumert te tij humben gjithashtu mikun e zemres, por media humbi nje gazetar profesionist e human.
Te qofte dheu i lehte Enrik!
Deputeti i PS, Vullnet Sinaj: Prehu në paqe Enrik Mehmeti!
Me hidhërim mora lajmin për ndarjen tragjike nga jeta në një aksident, të gazetarit dhe korrespondentit të Vlorës, Enrik Mehmeti.
Një humbje e rëndë për familjen, miqtë, kolegët dhe për botën e medias, ku ai kontribuoi me përkushtim dhe profesionalizëm.
Në këto momente të vështira, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, të afërmve dhe gjithë kolegëve të tij.
U prehtë në paqe dhe qoftë i paharruar kujtimi i tij!
Gazetari Bledian Koka: e zeze, sonte nata e Vlores
Enriku ishte nga ata djem qe e njihje njehere dhe e kishe mik gjithe jeten. Sa here kaloja ne Vlore emri i pare qe me vinte ne mendje per njohjet qe kam aty ishte i Enrik Mehmetit. Vlora ka shume djem e vajza qe punojne ne media dhe raportojne prej vitesh qe atje, por nese korrespondenca vlonjate per mediat e Tiranes kishte nje patriark me perfaqesues, padiskutim ai eshte Enrik Mehmeti. Une e kam pare Vloren shpesh permes syve dhe zerit te Enrikut, si kur gezonte, si kur vajtonte, si kur zhvillohej e si kur mpakej. Raportimet pa filtra te Enrikut jane bere dhe frymezim per satiren qe godet papergjeshmerine shteterore si rasti i “dy vleresuesve te demeve te permbytjeve”. Sepse Enriku e donte Vloren, nuk e braktisi kurre, sepse Enriku ishte Vlora e medias, pos ishte qytetari besnik i saj, pos ishte miku model i saj, pos ishte biri i saj me devotshem!
p.s…Sot Enriku ishte dhe “lajmi i fundit” nga Vlora, lajmi qe askush nuk ka guximin ta raportoje, edhe pse fatkeqesisht eshte i vertete
v.o…do e ruaj biseden tone te fundit vllacko, per hallet e Vlores folem
Deputeti i PD, Flamur Noka: Ka nga ato lajme që s’do të doje t’i lexoje kurrë.
E hasa lajmin në një faqe që m’u shfaq kalimthi dhe m’u duk një sajesë pa shije, nga ato për klikime. Kërkova në portale të shihja a ishte vërtetë kështu dhe çështje minutash lajmi i vdekjes së Enrik Mehmetit kishte marrë dhenë.
E pabesueshme si shuhet brenda pak çastesh një jetë e tërë. E sotmja është një ditë që mbyllet keq.
Më vjen keq për Enrikun dhe familjen e tij.
Jam i bindur se e gjithë #Vlora e vlerësonte atë zell të tij profesional. Enrik Mehmeti ishte një kolonë e qytetarisë aktive, një simbol i raportimit nga terreni, një zë e figurë që do i mungojë publikut të gjerë.
Sot humbëm një mik, një vlonjat krenar dhe të kudorespektuar. Ngushëllime familjes së tij!
Zoti u dhëntë forcë çdo ditë për ta kujtuar!
T’i rrojnë fëmijët!
Emiljano Aleksi: Miku im, lamtumirë!! Enrik Mehmeti
Nuk kam qenë kurrë i mirë për ngushëllime. As vetes nuk di si t’i flas kur dhimbja më shtrëngon.
Tani më duhet të gjej fjalë për një humbje që duket e pamundur të pranohet, por e ndiej se asnjë prej tyre nuk e përshkruan dot këtë boshllëk, sepse dhimbja e largimit nuk ka gjuhë dhe nuk njeh kufij.
Mesaduket, parajsa kishte më shumë nevojë për kurajon, forcën, buzëqeshjen dhe penën tënde , atë penë që nuk reshti kurrë së shkruari, që u bë zëri i njerëzve të zakonshëm dhe ura mes ngjarjes e së vërtetës.
Enrik Mehmeti nuk ishte thjesht një gazetar. Ai ishte një njeri që besonte se fjala ka peshë dhe se raportimi nuk është vetëm profesion, por përgjegjësi.
Për vite me radhë, ai shenjoi gazetarinë shqiptare me përkushtimin, ndershmërinë dhe këmbënguljen për të treguar historitë ashtu siç ishin, pa zbukurime e pa kompromis.
Në redaksi, në terren, përballë kamerës apo pas tastierës, Enriku mbeti gjithmonë i njëjt, i qetë, i përulur dhe i vendosur për të mos e tradhtuar kurrë të vërtetën.
Për shumë njerëz, ai ishte gazetari që raportonte lajmin për ata që e njohën nga afër, ishte miku që dinte të dëgjonte, të kuptonte dhe të gjente gjithmonë një fjalë shprese.
Shkrimet, reportazhet dhe raportimet e tij janë sot më shumë se dëshmi profesionale. Ato janë kujtesë e një njeriu që e jetoi gazetarinë si mision.
Në këtë absurditet të mjedisit tonë, ku bisedat shpesh duken si jerm dhe e vërteta shpesh humbet mes zhurmës, Enriku dinte t’u jepte zë atyre që nuk dëgjoheshin.
Në çdo kronikë, në çdo raportim e në çdo analizë të tij kishte diçka nga shpresa, nga revolta dhe nga ëndrra për një shoqëri më të drejtë.
Dhe sot, të gjithë do ta ndiejnë mungesën e Enrikut. Familja humbet njeriun e zemrës, miqtë humbasin shokun e ditëve të mira e të vështira, kolegët humbasin një profesionist të rrallë, ndërsa gazetaria shqiptare humbet një zë që ende kishte shumë për të thënë.
Lamtumirë, Enrik.
Njerëzit si ti nuk ikin kurrë plotësisht. Ata mbeten në fjalët që lanë pas, në kujtimet që ndërtuan dhe në zemrat e atyre që i deshën