Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Nafta afro 230 lekë, fermerët në vështirësi: Po e blejmë njësoj si makinat luksoze

Rritja e çmimit të naftës po rëndon kostot e fermerëve dhe blegtorëve, të cilët thonë se e kanë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë shpenzimet për punimin e tokës.

Në fshatin Pinet të Tiranës, Xhaferr Tabaku merret me blegtori dhe bujqësi. Ai ka disa krerë lopë e dhi, ndërsa zotëron edhe tre traktorë që i përdor për punimin e rreth 20 hektarëve tokë që ka marrë me qira.

Sipas tij, me çmimin aktual të naftës, shpenzimet për karburant arrijnë në rreth 4 milionë lekë të vjetra në muaj. Tabaku thotë se nuk ka përfituar nga një çmim i reduktuar për karburantin bujqësor dhe se furnizohet në pikat e zakonshme të karburantit.

“Kam 20 hektarë tokë me qira. Unë në muaj i harxhoj 4 milionë lekë të vjetra naftë. Dalin a nuk dalin, por me 4 milionë dalim të punojmë me shkëputje”, shprehet ai, duke theksuar se kostot e karburantit e vështirësojnë punën në tokë.

Tabaku, i cili ka jetuar për rreth 20 vite në Itali, thotë se në vendet e tjera ka skema të veçanta të furnizimit me karburant për bujqësinë, ndërsa në Shqipëri, sipas tij, fermerët detyrohen të blejnë naftë me çmimin e tregut.

Traktori që përdor ka 85 kuaj fuqi dhe një depozitë me kapacitet mbi 200 litra naftë. Për fermerin, furnizimi i këtij mjeti përbën një shpenzim të konsiderueshëm, veçanërisht për shkak të sipërfaqes së tokës që duhet të përpunojë.

Fermerët dhe blegtorët kërkojnë masa për uljen e kostos së karburantit, ndërsa një prej alternativave të propozuara është furnizimi me naftë me përjashtim ose lehtësim nga taksat dhe akciza. Çmimi i karburantit dhe ndikimi i tij në kostot e prodhimit mbetet një nga problematikat që rëndon aktivitetin bujqësor.

Advertisement