Sport
Napoli–Roma, barazim spektakolar në ‘Maradona’, favorizohen Milani dhe Juventusi
Sfida mes Napolit dhe Romës në javën e 25-të të Serie A u mbyll me një barazim spektakolar 2-2 në stadiumin ‘Diego Armando Maradona’, rezultat që gëzon sidomos Milanin dhe Juventusin në garën për kreun.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe miqtë kaluan shpejt në avantazh në minutën e 7-të. Pas një tranzicioni të shpejtë në krahun e djathtë, Zaragoza shërbeu saktë për Donyell Malen, i cili nuk gaboi para portës.
Napoli reagoi dhe arriti të barazonte në minutën e 40-të: një goditje nga distanca e Leonardo Spinazzola-s u devijua dhe mashtroi portierin Svilar për 1-1.
Në pjesën e dytë, skuadra e drejtuar nga Gian Piero Gasperini riktheu epërsinë. Wesley fitoi një penallti pas ndërhyrjes së Rrahmanit dhe nga pika e bardhë Malen realizoi sërish në minutën e 71-të.
Kur u duk se Roma po shkonte drejt fitores, Napoli barazoi në minutën e 82-të me blerjen e re të janarit, Alisson Santos, i cili shënoi me një goditje të fortë nga jashtë zone për 2-2.
Pas këtij barazimi, Napoli ngjitet në kuotën e 50 pikëve, tri më pak se Milani që ka një ndeshje më pak. Roma mbetet me 47 pikë, tri pas napolitanëve dhe një pikë mbi Juventusin.