Connect with us

Politike

Ndarja e kufirit Shqipëri-Greqi, pse në Hagë duhet të shkohet me projekt

Tanimë, ndarja e kufirit detar midis Shqipërisë dhe Greqisë po troket sërish në derë. Për këtë duket se dje ka ardhur në Tiranë ministri i Jashtëm grek, Dendias. Palët ranë dakord për zgjidhjen e këtij problemi në Hagë. Por, a shkohet në Hagë në gjendjen aktuale? Parimisht dhe praktikisht, shtetet bregdetare, kur ndajnë hapësira detare midis tyre dhe nuk gjejnë zgjidhje me marrëveshje të negociuar, ato u drejtohen institucioneve të tjera paqësore për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare, siç është Arbitrazhi Ndërkombëtar apo Gjykata Ndërkombëtare. Dakordimi i sotëm për zgjidhje në Hagë shpreh dështim të procesit negociator, por, pavarësisht kësaj, më e rëndësishme është fakti se sa jemi të përgatitur me projektin shqiptar për t’u paraqitur në Hagë.

Nga pikëpamja diplomatike, nisma e palës greke është për t’u mirëpritur, sepse synon që Greqia të përcaktojë Zonën Ekonomike Ekskluzive, që është një nga hapësirat detare, krahas shelfit kontinental dhe ujërat territoriale. Greqia ka përfunduar marrëveshje me Libinë, Egjiptin, Italinë e, natyrisht, synon të realizojë një gjë të tillë edhe me Shqipërinë e më pas edhe me Turqinë, me te cilën ka probleme më të mëdha në Mesdheun Lindor dhe Egje. Zgjidhje të tilla me interesa strategjike shtetërore nuk mund të bëhen në mënyrë të njëanshme, por përmes dialogut, negociatave ose përmes instituteve për zgjidhjen paqësore të konflikteve, siç janë komisionet ndërkombëtare, Arbitrazhi apo Gjykata Ndërkombëtare e së Drejtës së Deteve.

Historikisht, Shqipëria pati përcaktuar 15 milje detare nga ujërat e brendshme, por më pas e ka korrigjuar sepse iu kërkua ndërkombëtarisht që t’i kufizonte në 12 milje. Shqipëria, pra, i shtriu aq sa kishte mundësi konkrete. Madje, bazuar në të drejtën ndërkombëtare, në rastet kur nuk ka shtet përballë ose të bashkëngjitur në hapësirat oqeanike, shelfi kontinental me gjithë zonat ekonomike ekskluzive mund të shkojë deri 350 milje.

Në rastin me Shqipërinë, pala greke ka propozuar të zhvillohen bisedime dhe nëse nuk zgjidhet përmes bisedimeve, mjeti është për t’iu drejtuar një mekanizmi ndërkombëtar. Deri tani, pavarësisht retorikeve politike për shkaqe të ndryshme, ose të mediave, konkretisht nuk ka një vendim grek. Por, ka një dëshire të Greqisë, që në ndarjen e hapësirave detare me Shqipërinë, t’u japë ishujve një efekt të plotë dhe të përdorë vijën e mesit në ndarjen e tyre. Ky synim grek përbën, në fakt, thelbin e problemit, në rastin konkret, edhe me Shqipërinë.

Ndarja e hapësirave detare midis shteteve fqinjë, parimisht dhe pragmatikisht, duhet të mbështetet sepse ndarja e hapësirave detare krijon mundësi reale që shtetet të shfrytëzojnë efektivisht dhe ekonomikisht hapësirat që u takojnë në bazë të normave të së drejtës ndërkombëtare, ndërkohë që flitet që Mesdheu apo Adriatiku, hapësirat që ndajmë midis shteteve, kanë pasuri, hidrokarbure, gaz, naftë, pa folur për florën e faunën e pasur mesdhetare. Pra, rëndësia është e mirë për të gjithë, pasi politikisht do shkarkonte tensionet dhe ekonomikisht do t’i bënte këto zona të shfrytëzueshme. Marrëveshjet e përfunduara apo vendimet a arbitrazheve apo gjyqësore relevante garantohen nga OKB, pasi regjistrohen në OKB, në Departamentin e Çështjeve Oqeanike dhe të së Drejtës së Detit, dhe pastaj çdo shtet respekton, mbron dhe shfrytëzon hapësirat e veta detare.

Shqipëria i ka të rregulluara ujërat territoriale. Shqipëria, ujërat territoriale i ka të përcaktuara dhe kufijtë shtetërorë i ka të sanksionuar, pavarësisht se me marrëveshjet e pritshme mund të ketë hapësira për korrigjime të pakta të tyre. Ndërkohë, shelfi kontinental dhe Zonat Ekonomike Ekskluzive nuk ekzistojnë midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo është çështje e negociatave.

Në pjesën veriore të Greqisë, ose atë jugore të Shqipërisë, problemi themelor qëndron me shelfin kontinental dhe zonat ekskluzive ekonomike në hapësirat detare, që kanë rëndësi të gjithanshme për të dyja vendet. Greqia, duket se e ka një projekt të sajin në këtë aspekt. Pala shqiptare duket se nuk ka akoma një projekt të sajin për distancat detare, bazuar në rrethanat gjeografike, pozicionin gjeomorfologjik, të drejtën e deteve, vendimet e gjykatave për raste të veçanta, apo modelet e marrëveshjeve të firmosura midis shteteve kudo në botë, e sidomos në Mesdhe.

Me sa jemi të informuar prej 11 vitesh nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të 2009-ës, që hodhi poshtë marrëveshjen ndërqeveritare Shqipëri-Greqi për ndarjen e hapësirave detare, pala shqiptare nuk ka bërë asgjë në këtë çështje. Problemi po bëhet gjithnjë e më emergjent për përcaktimin e të gjitha hapësirave detare, ujërat territoriale, shelfin kontinental dhe zonën ekonomike ekskluzive. Pa dyshim që jemi shumë të vonuar. Parë në këtë këndvështrim, nisma diplomatike e Greqisë është pozitive, pasi me zgjidhjet e këtij problemi madhor krijohen kushte për shkarkimin e tensioneve midis dy vendeve dhe u hapet rruga mundësive për shfrytëzimin e resurseve ekonomike. Në projektin grek duket që synohet për të implementuar një lloj precedenti për t’u dhënë efekt të plotë të gjithë ishujve midis Shqipërisë dhe Greqisë. Natyrisht, kjo është në kundërshtim të plotë me normat e së Drejtës Ndërkombëtare të Deteve.

Bazuar në të drejtën e deteve për ndarjen e hapësirave detare, kemi dy parime të rëndësishme që lypet të udhëheqin negociatat shqiptaro-greke: së pari, parimin e ekuidistancës, pra, të barasdistancës në çdo aspekt dhe, së dyti, parimin e Ekitesë, pra, të barazisë dhe ndershmërisë në kushte e rrethanat gjeografike dhe gjeomorfologjike të hapësirave që ndahen midis shteteve. Këto dy parime nuk përplasen midis tyre, por janë në funksion dhe në plotësim të njëri-tjetrit. Në rastet ku Ekiteja, pra, barazia dhe ndershmëria mes palëve garantohet ose përfshihet përmes ekuidistancës, atëherë zbatohet ekuidistanca. Aty ku për kushte gjeografike dhe gjeomorfologjike specifike krijohet pabarazi, pandershmëri dhe padrejtësi, sigurisht që duhet të korrigjohet. Është kjo arsyeja që parimi i Ekitesë konsiderohet si drejtësi korrektuese, duke përbërë kështu zgjidhje, përmes së cilës shtetet përfitojnë në mënyrë të barabartë. E Drejta Ndërkombëtare e sanksionon këtë në Nenin 74 të Konventës mbi të Drejtën e Detit, kur bëhet fjalë për zonat ekonomike ekskluzive; në Nenin 83 kur bëhet fjalë për shelfin kontental; në Nenin 15 kur flitet për ujërat territoriale. Kur theksohet ‘parimi i rrethanave të veçanta’ bëhet fjalë pikërisht për parimin e Ekitesë.

Krahas parimeve të së drejtës së deteve, çdo shtet, kur negocion për ndarje hapësirash detare me shtete fqinje, lipset të marrë parasysh edhe vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare, të cilat fitojnë vlerën e së Drejtës Ndërkombëtare të Deteve. Kështu, kemi rastin në Kanalin Britanik, në vitin 1977 midis Francës dhe Britanisë, ku Gjykata u ka dhënë ishujve midis dy shteteve efekt të pjesshëm, duke ndjekur parimin e Ekitesë. Në rastin e Detit të Veriut midis Danimarkës, Holandës dhe Gjermanisë, e bregdeti konkav që nuk i krijonte fare mundësi Gjermanisë që të kishte shelf kontinental, Gjykata ndoqi ekuidistancën e gërshetuar me parimin e Ekitesë. Në Detin e Zi, në rastin midis Rumanisë me Ukrainës, ishulli i Gjarprit, për shkak të vogëlsisë, u mor në konsideratë nga Gjykata me një efekt shumë të pjesshëm, sepse krijonte një disproporcionalitet midis dy vendeve. Në rastin e ishujve Seal, në konfliktin mes SHBA-ve dhe Kanadasë, gjykata i dha efekte pjesore sepse krijonte pabarazi, pra, dha vendim të bazuar te parimi i Ekitesë, te ndarja e barabartë dhe e ndershme mes palëve.

Në rastet e zgjidhjeve në Mesdhe, Greqia ka konkluduar marrëveshjet me Egjiptin, Italinë dhe Libinë, bazuar në parimin e efekteve të plota, pra, parimin e ekuidistancës dhe jo të Ekitesë. Në të tria rastet mesdhetare, situata paraqitet krejtësisht e ndryshme, pa ngjashmëri me situatën gjeografike dhe gjeomorfologjike ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, ku ishujt janë pranë dhe ndikimi është shumë i madh.

Diplomacia greke ka vepruar me kreativitet. Në rastin e Egjiptit, përmendet parimi i ekuidistancës dhe jo i Ekitesë, për vetë pozicionin detar mes dy shteteve që krijon mundësinë që brenda parimit të ekuidistancës të zbatohet Ekiteja. Pra, hapësira është ndarë në mënyrë jo të barabartë, duke u dhënë efekt të plotë ishujve, por është tentuar të barazohet deri në maksimum. Pasi ka një disbalancë të vogël, duke përdorur efektin e plotë të ishujve, sepse bëhet fjalë për ishuj si Kreta te mëdhenj e të banuar. Ndërsa Egjipti, bazuar në parimin e ekuidistancës, realizon dhe madje tejkalon të gjitha të drejtat e tij. Me Libinë, Greqia bazuar në ekuidistancë, zbaton njëkohësisht dhe parimin e Ekitesë, duke marrë praktikisht më shumë se sa Greqia. Ndërkohë, ndryshe nga rastet me Egjiptin e Libinë, me Turqinë, Greqia duket se synon të ndjekë parime krejt të tjera, Turqia i kundërshton. Në rastin me Italinë, marrëveshja është bërë, por nuk është marrëveshje përfundimtare për ndarjen e Zonës Ekonomike Ekskluzive, po thjesht është shprehje vullneti për të zbatuar normat e të Drejtës ndërkombëtare dhe barazinë mes shteteve për ndarjen e Zonës Ekonomike Ekskluzive.

Në rastin e zgjidhjes Greqi-Itali, së pari marrëveshja ka lënë të hapur çështjen e përcaktimit përfundimtar të kufirit, duke u shprehur se kufiri do përcaktohet qartësisht kur të kemi edhe rezultatet e kërkimit për hidrokarburet dhe disa zona që ndajnë mes tyre. Së dyti, palët kanë negociuar dhe është realizuar mbrojtja e interesave italiane për peshkimin në Adriatik dhe Jon. Së treti, palët kanë edhe një marrëveshje tjetër për ndarjen e shelfit kontinental, përpara se të hynte në fuqi Konventa e Tretë mbi të Drejtën e Detit, në të cilën të dyja vendet kanë zbatuar parimin e Ekitesë. Të dy ishujt, Othonoi dhe Erikusa, u konsideruan në funksion të parimit të Ekitesë, pra, me efekt pjesshëm. Marrëveshja italo-greke konsiderohet si model qe shpreh vullnetin politik të palëve për të bashkëpunuar dhe shfrytëzuar bashkërisht Zonën Ekonomike Ekskluzive. Natyrisht, për këtë ka ndikuar projekti i madh i furnizimit mesdhetar me gaz në linjën Izrael-QiproGreqi-Itali. Projekt që imponon rdhe një bashkëpunim më të ngushtë shumëpalësh në Mesdhe.

Siç shihet në marrëveshjet e Mesdheut, në të tria rastet, nuk kemi injorim të parimit të Ekitesë, por nëpërmjet parimit të ekuidistancës, njëkohësisht garantohet dhe parimi i Ekitesë, që siguron proporcionin e drejtë mes palëve. Parimi i Ekitesë zbatohet aty ku ka konflikte. Në parimin e Ekitesë, efektin më të madh, që e bënë të domosdoshëm, e kanë ishujt. Tek ishujt kanë shumë rëndësi përmasat e tyre dhe nëse janë të banuar, të pabanuar apo masa shkëmbore. Parimisht dhe praktikisht masave shkëmbore, të vogla dhe të pabanuara, nuk mund t’i jepet efekt në ndarjen e hapësirave detare, siç ka ndodhur në rastin e masës shkëmbore tejet të vogël dhe të pabanuar të Barketës në rastin midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Në përgatitjen e projektit të Shqipërisë për negociatat me Greqinë është e domosdoshme që të konsiderohet edhe Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të RSH-së i vitit 2009. Ky vendim i qartë jep parimet, por edhe metodologjinë që nevojitet të ndiqet nga pala e Shqipërisë në procesin e negociatave me Greqinë, sidomos lidhur me efektin e ishujve në këtë proces. Të dyja, teoria dhe praktika e së drejtës ndërkombëtare, vendimet e rasteve të ndryshme të Gjykatës Ndërkombëtare dhe modelet e zgjidhjeve në Mesdhe, japin qartësisht se parimi i Ekitese shërben si drejtësi korrektuese në kushte specifike dhe, në këto raste, nga elementet themelore që janë ishujt, nga buron edhe efekti që u jepet atyre në këto zgjidhje. Ishujt nuk mund të kenë efekte të njëjta dhe të plota në çdo rast. Ishujt marrin efekt të plotë kur janë të tillë dhe ndodhen në hapësira të atilla që nuk prekin interesat e të tjerëve dhe garantojnë barazinë dhe ndershmërinë e zgjidhjeve.

E fundit, por jo nga rëndësia, vendimi Shqipëri-Greqi për ta zgjidhur problemin e ndarjes së kufirit detar në Hagë duket se nuk është në kohën e duhur për disa arsye. Së pari, Shqipëria është përpara zgjedhjeve të 25 prillit 2021, rrethana të cilat nuk favorizojnë një marrëveshje ndërkombëtare të çfarëdo lloji. Së dyti, Presidenti Meta ka shfaqur kontestimet e tij serioze dhe të përsëritura lidhur me mosinformimin e tij nga qeveria për ecurinë e deritanishme të procesit të negociatave Shqipëri-Greqi dhe pret me të drejtë që të shohë projektin shqiptar të zgjidhjes. Në këto rrethana, vizita e kryediplomatit grek, Dendias, në Shqipëri është e mirëpritur, por efektet konkrete të saj, së paku lidhur me marrëveshjen Shqipëri-Greqi për ndarjen e hapësirave detare midis tyre, duken shumë të paqarta, sidomos për palën shqiptare, e cila lipset të përgatisë projektin e saj të zgjidhjes, qoftë edhe në Gjykatën Ndërkombëtare.

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *