Bota
Netanyahu paralajmëron Hezbollahun: Do të merrni goditje edhe më të rënda
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli do të vijojë operacionet ushtarake kundër infrastrukturës së Hezbollahut në jug të Libanit, duke paralajmëruar njëkohësisht për një përgjigje më të ashpër në rast të një sulmi të ri ndaj Izraelit.
Në një deklaratë me video, Netanyahu i cilësoi operacionet e fundit si “një tjetër fitore të madhe ndaj Hezbollahut”, duke pretenduar se ushtria izraelite ka shkatërruar pozicione të rëndësishme të organizatës në zonat Beaufort dhe Ali Taher.
Sipas kryeministrit izraelit, objektivi i operacioneve është dobësimi i kapaciteteve ushtarake të Hezbollahut dhe eliminimi i kërcënimeve që, sipas Izraelit, mund të rrezikojnë sigurinë e vendit.
“Politika jonë është e qartë: ne do të vazhdojmë të shkatërrojmë infrastrukturën terroriste në zonën e sigurisë në Liban”, deklaroi Netanyahu.
Ai theksoi se operacionet nuk do të ndalen, ndërsa ushtria izraelite pritet të vijojë goditjen e objektivave të Hezbollahut në jug të Libanit. Deklaratat vijnë pas operacioneve ndaj strukturave nëntokësore të Hezbollahut në zonën e Ali Taherit, të cilën Izraeli e konsideron strategjike për aktivitetin ushtarak të organizatës.
Netanyahu dha gjithashtu një paralajmërim të drejtpërdrejtë ndaj kundërshtarëve të Izraelit, duke deklaruar se çdo përpjekje e re për të sulmuar vendin do të përballet me një përgjigje edhe më të fortë.
“Nëse ende nuk e keni mësuar mësimin tuaj dhe vendosni të na sulmoni përsëri, do të merrni goditje edhe më të rënda”, tha ai.
Kryeministri izraelit përfundoi duke nënvizuar se operacionet do të vijojnë, duke sinjalizuar se Izraeli synon të ruajë presionin ushtarak ndaj Hezbollahut në Libanin jugor, në një kohë kur tensionet në rajon mbeten të larta.