Connect with us

Aktualitet

Nga pagesa 500 mijë euro te porosia nga Dubai, si u porosit vrasja e Inez Hajrulla

Klodiana Lala ka trajtuar mbrëmjen e sotme atentatin e dështuar ndaj Inez Hajrulla, i konsideruar si një nga krerët e një grupi kriminal në Vlorë.

Pjesë nga dokumentari:

Ata e kishin marrë me kohë vendimin për ta vrarë. Por ndoshta kjo ishte për ta koha më e mirë për t’i dhënë fund në mënyrën e duhur. Ndaj për këtë qëllim, kishin marrë të gjithë masat e duhura, për ta zënë në pritë, duke thirrur në armë, edhe një vrasës me pagesë. Por Inez Hajrulla i njohur me nofkën ‘Sakati’ dhe miku i tij Ervis Matodashaj, i thirrur si ‘Qorri’ nuk ishin edhe aq të panjohur mbi rreziqet që u kanoseshin. Madje ata e dinin shumë mirë, se vënia këmbë në qytet, pa u kujdesur, do të ishte për ta një eliminimi i sigurt. Ashtu siç në fakt ‘Sakatit’ i kishte ndodhur edhe më herët, kur ishin përpjekur ta vrisnin nëpërmjet një shpërthimi të telekomanduar, që e la të gjymtuar për gjithë jetën.

Por, si u zbulua atentati, grupi i porositësve dhe i ushtarëve që ishin paguar për të ndjekur dhe vrarë Inez Hajrrulla, në muajin gusht të vitit 2023? Dhe cilat ishin meritë e thella që organizatorët e vrasjes kishin me këtë personazh, që duket se pas eliminimit të një tjetër lideri të krimit në qytetin e Vlorës, në këtë rast Edison Harizaj, të njohur me nofkën Edison Faqedjeguri, duket se kishte marrë frenat e botës së ligësive në këtë qytet, duke i hyrë pse jo në hise, personazheve të tjerë në këtë qytet, që kërkonin të kapnin lojërat e fatit.

 

 

Gjithçka sipas dosjes së siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’ duket se nis pas arrestimit të një shtetasi nga Shkodra, i cili në mesin e muajit gusht të vitit të kaluar kishte zbritur në qytetin e Vlorës, ku ishte parë shpesh të qarkullonte në zonën e frekuentuar nga bosi i ri, frekuentim që duket se i kishte rënë në sy edhe ushtarëve të tij. Ky vrasës me pagesë ishte Amarildo Nikolli (Xhanej), i cili më datë 7 gusht 2023, u arrestua pranë zonës së njohur si ‘Uji i Ftohtë’ në Vlorë, me një silenciator me vete, me një plumb në gojën e armës, gati për qitje. 35-vjeçari që me vete mbante edhe një çantë shpine, ku në brendësi iu gjetën një sasi municioni, kapuç dhe doreza, nga ku u zbulua se ai ishte aty për të vrarë Inez Hajrullan.

“Nga aktet e përcjella nga Prokuroria Vlorë, ka rezultuar se më datë 7 Gusht 2023, në orën 12:47, në lagjen ‘Uji Ftohtë’, në qytetin e Vlorës, gjatë kontrollit fizik të kryer shtetasit Amarildo Nikolli nga shërbimet e policisë të Sektorit ‘Fast Albania’, i janë gjetur në cilësinë e provës materiale: një pistoletë e markës ‘Pietro Beretta’, me një silenciator, me karikator të mbushur me 14 fishekë, të kalibrit 9 mm, si dhe një fishek i futur në folenë e qitjes. Gjatë kontrollit të banesës me qira që ky shtetas kishte marrë në qytetin e Vlorës në afërsi të shkollës “1 Maji”, u gjendën po kështu një palë dorashka plastike me mbishkrimin ‘Kedman’”, sqaronte policia.

Por kush ishin njerëzit që fshiheshin pas Nikollit dhe cila ishte lidhja e tij me njërin prej tyre, konsideruar si personi kyç që kërkonte eliminimin e Hajrulla? Dhe cila ishte përplasja e tij e vjetër me atë që njihej si bosi i ri i qytetit; inat i mbartur në kohë që ishte kthyer për të në nevojë të domosdoshme për ta eliminuar. Sipas rrëfimeve dhe dekriptimit të bisedave midis anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal, të gjetura edhe në telefonin e Amarildo Nikollit, atij që ishte paguar për të hequr qafe Inez Hajrulla, personi kyç që po investohej për të mbyllur hesapet me të, del se është Leonard Luzi, banues në Vlorë, i njohur me pseudonimin ‘Nard Çami’ ose ‘Daku’.

“Në lidhje me atentatin e dështuar ndaj shtetasit Inez Hajrulla, procedimi penal është regjistruar në bazë të referimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë mbi dyshimet për një grup të strukturuar kriminal në përbërje të të cilit janë shtetas më banim në Vlorë dhe Tiranë. Të cilët kryenin vrasje me motiv hakmarrje, për llogari të grupeve të tjera kriminale. Në përbërje të këtij grupi dyshohet se është edhe shtetasi Leonard Luzi banues në Vlorë, i njohur ndryshe me pseudonimin ‘Nard Çami’ ose ‘Daku’”, sqaronte Prokuroria.

Por Leonard Luzi që mban edhe mbiemrin Zejno dhe Amarildo Nikolli, nuk ishin koka dhe pjesëtari i vetëm i grupit kriminal që ishte vënë në ndjekje për të vrarë Inez Hajrulla. Hetimet zbuluan se bashkë me ta ishin edhe dy persona të tjerë, që kishin rol aktiv në survejimin e shënjestrës dhe mbledhjen e informacionit të nevojshëm, për lëvizjet e tij si edhe kohën kur duhet të godisnin. Këta persona ishin Muharrem Koroveshi dhe Erjon Zejno. Edhe pse në fillim Amarildo Nikolli, nuk pranoi të fliste për grupin hetues, ai shpejt u thye, duke treguar jo vetëm arsyen e ardhjes së tij në qytetin e Vlorës, por edhe bashkëpunëtorët e tij në vrasjen e bujshme që ata kishin menduar të realizonin në qytet.

“Gjatë marrjes në pyetje fillimisht shtetasi Amarildo Nikolli (Xhanej) refuzoi të jepte shpjegime. Por në vijim, ai pranoi të bashkëpunojë dhe të tregojë me detaje, se ishte kontraktuar nga Leonard Luzi, për të kryer vrasjen e dy personave në qytetin e Vlorës. Konkretisht të Inez Hajrulla me nofkën ‘Sakati’ dhe Ervis Matodashaj me nofkën ‘Qorri’, dhe se për të kryer këtë vrasje është ndihmuar edhe nga të bashkëhetuarit Erjon Zejno dhe Muharrem Koroveshi”, thuhet në dosjen hetimore.

 Po përse Leonard Luzi kërkonte me kaq ngulm të vriste sidomos Inez Hajrulla? Dhe a ishte ai në të vërtetë financuesi i ekzekutimit, apo dikush tjetër e kishte ndërmjetësuar duke ditur dhe shfrytëzuar hakmarrjen e tij të vjetër me Hajrullan, me qëllim eliminimin e tij. Dhe si ishte njohur ai me Amarildo Nikollin? Ky i fundit tregonte hap pas hapi, të gjithë dinamikën se si ishte rekrutuar, por edhe detaje interesante për grupin hetues, për të kuptuar se si funksionon një grup kriminal dhe cili është organizimi i tyre nga baza deri në majën e piramidës. Por edhe pagesat se sa vlen një vrasje e niveleve të tilla, që përcakton edhe rëndësinë e kokës që duhet hequr nga trupi. Si në këtë rast kur valixhja me para për kokën e Hajrulla dhe Matodashaj, ishte e mjaftueshëm e majme.

 “Amarildo Nikolli ka deklaruar se me Leonard Luzin janë njohur në burg në Itali. Ky shtetas i ka dhënë porosinë Nikollit, për vrasjen e Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, kundrejt pagesës 250 000 euro për secilin.  Për kryerjen e këtyre vrasjeve Amarildo Nikolli do të ndihmohej nga dy lidhjet e Leonard Luzit, shtetasit Erjon Zejno dhe Muharrem Koroveshi”, ka dëshmuar ai.

Por interesant në rrëfimin e Nikollit, është njeriu i veshur me mister, që jeton në Dubai, i cili kërkonte me vendosmëri eliminimin e ‘Sakatit’. Por cili është ky personazh, dhe cila ishte pengesa që i kishte krijuar Hajrulla dhe pse ai kishte gjetur Leonard Luzin, për ta quajtur të mbyllur këtë punë.

“Nga hetimet rezulton se financimi për vrasjen e Inez Hajrulla do të kryhej nga një shtetas nga Vlora me qëndrim në Dubai. Arsyeja për vrasjen e këtyre shtetasve, ka qenë marrja e kontrollit të lojërave të fatit si dhe për hakmarrje, pasi i kishin vrarë nipin”, thuhet në dosjen hetimore.

Pra, siç shikohet Inez Hajrulla ishte futur dhe po zhvillonte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Vlorës, treg i cili kishte rënë ndesh me interesat e konkurrentëve të tij. Por edhe me disa ngjarje të mëhershme kriminale, ku ai del se ishte i përfshirë ose ku rivalët e tij mendonin se ai kishte gisht. Po për t’iu rikthyer edhe njëherë personit të Amarildo Nikollit dhe vërtetuar se sa të besueshme ishin thëniet e tij kundrejt personave të tjerë të përfshirë në planin për ekzekutimin e Inez Hajrulla dhe mikut të tij Ervis Matodashaj, grupit hetues iu desh fillimisht të merrte disa konfirmime që lidheshin me armën e krimit por edhe me gjurmët e tij të gishtërinjve.

“Në lidhje me armën e sekuestruar tip ‘Beretta’, ajo del se është një nga shumë armët e vjedhura në një dyqan armësh në Maqedoninë e Veriut, më datë 22 Nëntor 2017, në këtë shtet.  Po kështu nga kthimi i përgjigjes së Interpol Roma konfirmohet se gjurmët e gishtërinjve i përkasin shtetasit të regjistruar në Itali, Amarildo Nikolli (Xhanej) i datëlindjes 23 Shkurt 1988”, thuhet në dosje.

Aktualitet

Shpërthimi në banesën e gjyqtarit në Shkodër, reagon Manja: Akt burracakësh, drejtësia do triumfojë

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka reaguar për sulmin ndaj banesës së gjyqtarit në Shkodër, Tonin Sterkaj.

Manja kërkon zbardhjen e plotë të këtij rasti, ndërsa shton se kushdo që synon të intimidojë drejtësinë nuk do t’ja arrijë.

“Me Tonin Sterkajn më ka njohur puna si drejtues i Prokurorisë Shkodër, gjatë viteve 2002-2007 dhe miqësinë tonë të atyre kohëve të vështira e kemi pasurinë tonë më të madhe. Si mik dhe si koleg, sot, i kam shprehur Toninit dhe familjes së tij gjithë mbështetjen time!

Si Ministër i Drejtësisë, kërkoj nga organet kompetente të zbardhin sa më parë këtë akt të shëmtuar prej burracakësh që kërkon të intimidojë drejtësinë, por që nuk do ia arrijnë dot, aq më tepër me Tonin Sterkajn, gjyqtarin më të vjetër e më me përvojë që ka sistemi i drejtësisë sot në juridiksionin e shkallës së parë! Sot jam në krah të Toninit dhe familjes së tij dhe jam i bindur se drejtësia do triumfojë dhe në këtë rast!”, shprehet Manja.

Continue Reading

Aktualitet

Shpërthen bombola e gazit në një banesë në Sauk, tre të plagosur

Tre pjesëtarë të një familjeje kanë mbetur të plagosur si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi. Policia tha se ngjarja ka ndodhur mesditën e kësaj të diele në një banesë në Sauk.

“Më datë 28.04.2024, në Sauk, në banesën e shtetasit A. D., dyshohet se ka plasur bombula e gazit dhe ka rënë zjarr. Si pasojë janë dëmtuar shtetasit  A. D., 46 vjeç,  B. D., 19 vjeç, dhe L. D., 70 vjeçe, të cilët ndodhen në spital në kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Aktualitet

U arrestua për korrupsion/ GJKKO lë në burg zyrtarin e Kadastrës Shtetërore

Gjykata e Posaçme ka lënë në masën e sigurisë arrest me burg për zyrtarin e Kadastrës Shtetërore Dritan Stoka. Stroka u vu në pranga dy ditë më parë së bashku me Agim Osmanin.

Stoka arrestua për korrupsion në zgjedhje, pasi iu premtonte qytetarëve kryesisht të zonës së Saukut legalizim të banesave në këmbim të votave. Po ashtu GJKKO ka ndryshuar masën e sigurisë dhe për ish-kryeplakun e lagjes së re në Sauk, Agim Osmanin, nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”.

Dritan Stoka dhe Agim Osmani u arrestuan gjatë ditës së premte pas aksionit të policisë me urdhër të SPAK. Ata akuzohen për korrupsion zgjedhor gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2019. Sipas hetimeve të SPAK, në atë kohë rezultoi se Dritan Stoka dhe Agim Osmani, kanë kryer veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Continue Reading

Aktualitet

Shkëmbim kokë më kokë të shënjestrave dhe para/ Pazaret Bajri-Dumani për vrasje

Prishja e pazarit mes të “fortit” të Shkodrës Behar Bajri dhe vrasësit me pagesë nga Sinaballaj, Nuredin Dumani, për ekzekutimin me 1.2 milion euro të Genci Tafilaj dhe Dorian Dulit, ka zhvendosur palët në një marëveshje tjetër.

Ku këtë herë nuk do ishte në lojë vetëm sasia e madhe e parave, por dhe shkëmbimi i hasmëve për tu vrarë, nga secila palë.

Në dosjen me Nr.9 që njihet për publikun si dosja “Metamorfoza”, ku aktualisht të pandehur janë marë 10 persona dhe 8 të tjerë janë shpallur në kërkim, tregohet i qartë pazari që kanë bërë dy personazhet e njohur të botës së krimit, për vrasjen e Dorian Dulit dhe Talo Çelës.

Është një pazar, ku shkëmbehen kokë më kokë dy njerëz të planifikuar për tu vrarë nga secili grup kriminal.

Një pjesë të kësaj marëveshje, në dosjen “Metamorfoza” SPAK e ka dokumentuar edhe përmes dëshmisë së bashkëpuntorit dhe vrasësit me pagesë, Nuredin Dumani.

Sipas rrëfimit të tij në “Metamorfoza”, në momentin kur i ka kërkuar Behar Bajrit 1.2 milion euro për vrasjen e Dorian Dulit dhe Genc Tafilaj, Behari ia ka shfaqur një reagim duke i thënë Dumanit se: “…ça thua mër vlla, unë 1.200.000 euro nuk i jap sikur të më çohen ato që kanë vdek…”.

Për shkak të këtij reagimi, Dumani ka treguar për llogari të dosjes nr.9, se Behar Bajri nuk paguante para për të kryer vrasje dhe nisur nga kjo situatë, ai ka hedhur idenë e një marëveshje tjetër, duke i kërkuar që këtë punë kriminale ta bënin me ndrim, kokë më kokë.

“…unë do të godisja kë donin “Bajrat”, Dorian Dulin, Licin e Tafilin, ndërsa “Bajrat” do më gjenin Talo Çelën.

Këtë kërkesë ja kam bërë pasi kisha informacione që “Bajrat” kishin lidhje me Suel Çelën dhe Talo Çela qëndronte pranë Suelit.

Bajri, pranoi ta bënin me këmbim dhe premtuan që do e gjenin Talon, dhe kërkonin që unë ti vrisja Dorian Dulin…”-ka treguar Nuredin Dumani.

Veë kësaj më tej në rrëfimin e tij për llogari të dosjes “Metamorfoza”, Dumani ka treguar se:
”…Behari më ofroi edhe para që të bëja vrasjen, duke më ofruan 200.000 për të bërë vrasjen, por unë i kam kërkuar që paratë t’ja jepnin djemve, ku me djem i referohesha Henrik Hoxhës dhe Skerdi Tases.

Behari, ra dakord me dhënë 200 mijë euro. Paratë nuk mi solli, por e kemi lënë që për çdo gjë do flisnim në aplikacionin “SkyEË”.

Në këtë kohë, Behari gati përditë më pyeste se çfarë po bëja. Dua të shtoj, se gjatë kohës që flisia me Behar Bajrin, unë kam komunikuar me Aleksandër Bahon në aplikacionin “SkyEË”, kodin nuk ja kujtoj por pseudonimin Sandri, e ka patur “SA”.

Aleksandër Baho, me pati thënë që Genc Tafilin do ma gjente ai. Aleksandri më ka informuar që Genc Tafili lëvizte me një VE “Golf 7 R32”, e cila ishte një makinë e shpejtë.

Duke marrë këtë informacion nga Aleksandri, i kam kërkuar Beharit që të më gjente një makinë të fuqishme dhe ai më ofroi një “Mercedes Benz” 500 kupe, të cilin unë ja kërkova të ma sillte në Milot dhe i kam thënë të rrinte gati e të ma sillte kur ta kërkoja, për dy apo tre ditë.

Aleksandër Baho, gjatë kësaj kohe më ka mbajtur me informacione për Dorian Dulin dhe Genc Tafilin. Goditja e Dorian Dulit dhe Genc Tafilit, nuk u realizua asnjëherë pasi Aleksandri nuk konfirmoi ditë apo orë takimi të tyre.

Behari sa herë që flisnim intersohej se çfarë po bëhej. Behari ndonjëherë më thoshte që kishte edhe grupe të tjera, por ma kishin dhënë mua si punë.

Ai madje u shprehte se nuk kishte gjë me Dorian Dulin dhe Ibrahim Licin, por kërkonte që tu vrisnin se ata ishin ngatarruar me punët e tyre.

Dua të saktësoj, në një moment të komunikimit në “SkyEË” midis meje dhe përdoruesit të Behar Bajri, unë kam dyshuar që përdoruesi të jetë Behar Bajri nga shkrimi dhe mënyra e komunikimit.

E kam pyetur se kush ishte ai?. Përdoruesi më është përgjigjur që ishte djali xhaxhait së Beharit. Datën nuk e kujtoj…”.

Tashmë SPAK ka finalizuar hetimin dhe çështje ditësh dosjen “Metamorfoza”, do e kalojë për gjykim në gjykatën e posaçme, duke shpalosur 234 prova shkresore, duke përfshirë dhe një seri dëshmitarë, si ish-drejtuesi i komunës Velipojë, Nikoll Marku, e deri tek deklarimet e dy gjyqtarëve të Shkodrës, Besmir Struka dhe Sokol Shehu.

Mes emrave të vënë nën akuzë, është Drejtuesi i prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, Drejtuesi i Operacionales në Policinë e Shtetit, Oltian Bistri, biznesmeni i lojrave të fatit Pëllumb Gjoka, dhe kreu i klanit “Bajri” në Shkodër, Behar Bajri, Nuredin Dumani, ish-zv/drejtori i Policisë Shkodër Ardrit Hasanbegaj, Astmer Bilali, shoferi i Gjokës, Edmond Preka, Nehat Fojleta dhe Sabjan Troshani.

/Ora News

Continue Reading

Aktualitet

Të veshur me të zeza/ Hamasi publikon videon rrëqethëse të dy pengjeve izraelite që po mbahen në Gazë prej 7 tetorit

Hamasi, grupi i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, publikoi një video të shtunën të dy pengjeve izraelite, të cilët është duke i mbajtur në Rripin e Gazës prej 7 tetorit.

Videoja është e xhiruar ngjashëm sikur videot e kaluara të pengjeve që i kishte bërë publike grupi radikal palestinez. Këto video janë dënuar nga Izraeli si “terrorizëm psikologjik”.

Dy burrat, të identifikuar si Keith Siegel 64 vjeç, dhe Omri Miran 47 vjeç, flasin ndaras në këtë video. Ata u shprehën dashuri familjarëve të vet dhe kërkuan të lirohen, sipas REL.

Mirani ishte rrëmbyer nga shtëpia e tij në komunitetin Nahal Oz në sy të bashkëshortes dhe dy fëmijëve të vet të rinj gjatë sulmit vdekjeprurës të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, e cila e nxiti luftën në Gazë.

Siegel, i cili ka shtetësi amerikane dhe izraelite, u rrëmbye bashkë me gruan e vet nga një qytet tjetër kufitar. Bashkëshortja e tij u lirua më vonë gjatë një armëpushimi të shkurtër në nëntor.

Videoja e tyre u publikua të shtunën gjatë festës së Pashkëve izraelite.

Për një çast duke folur, Siegel shpërthen në lot duke e kujtuar kremtimin e kësaj feste së bashku me familjen vitin e kaluar dhe duke shpresuar se do të bashkohet me ta.

Rreth 250 izraelitë dhe të huaj u rrëmbyen në jug të Izraelit nga Hamasi dhe u dërguan në Rripin e Gazës.

Gjatë marrëveshjes së nëntorit Hamasi i liroi 105 pengje – shumica e të cilëve gra dhe fëmijë – në shkëmbim të një armëpushimi njëjavor dhe lirimit të 250 të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.

Besohet se edhe 133 pengje janë duke u mbajtur ende në Gazë, prej të cilët 30 mendohet se kanë vdekur.

Bisedimet indirekte mes Izraelit dhe Hamasit për ta siguruar lirimin e pengjeve të mbetura po vazhdojnë tash e shumë javë.

Hamasi e ka hedhur poshtë propozimin e kaluar për një armëpushim gjashtëjavor në këmbim të lirimit të 40 pengjeve.

Ky grup thotë se marrëveshja duhet të përfshijë armëpushim të përhershëm, tërheqje të plotë të ushtrisë izraelitë nga Gaza dhe kthimin e të zhvendosurve në shtëpitë e tyre.

Por, Izraeli ngul këmbë se do t’i vazhdojë sulmet ushtarake derisa ta mposhtë Hamasin dhe se do ta vazhdojë praninë ushtarake në Gazë edhe pas luftës.

Lufta e Izraelit në Gazë kundër Hamasit nisi pasi pjesëtarët e këtij grupi i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen rreth 250 të tjerë gjatë atij sulmi në jug të Izraelit.

Më shumë se 34.000 palestinezë janë vrarë, prej të cilëve dy e treta fëmijë dhe gra, si pasojë e luftës izraelite në Gazë prej atëherë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING