Kronike
Ora 5 e mengjesit, trokitje ne dere dhe…plumba/ Karamuço zbulon dinamikën
Detaje të reja dalin në dritë për vrasjen e të riut Ylber Luli në Shkodër, ku mbeti i plagosur edhe babai i tij.
Eksperti i sigurisë Ervin Karamuço ka dhënë një version të dinamikës së ngjarjes, duke theksuar se edhe autori dyshohet se ka mbetur i plagosur gjatë përplasjes.
Sipas Karamuços, gjithçka mund të ketë nisur pas një konflikti në një lokal.
Fillimisht, debati mes personave të përfshirë ka kaluar në përplasje fizike, ndërsa më pas njëri prej tyre është larguar drejt banesës.
Eksperti tregon se personi që më vonë dyshohet se kreu krimin ka qëndruar për rreth tre orë në automjet, në pritje të viktimës.
Pasi shoku i tij është larguar dhe pritja ka zgjatur, rreth orës 5 të mëngjesit ai dyshohet se ka shkuar drejt banesës së të riut.
Sipas kësaj narrative, autori ka shkuar i armatosur dhe, pasi ka trokitur në derë, është përballur fillimisht me të riun me të cilin kishte pasur konfliktin në lokal. Përplasja fizike ka vijuar edhe në banesë, ndërsa më pas në skenë ka dalë babai i viktimës.
Karamuço pretendon se babai ka ndërhyrë me thikë dhe gjatë përleshjes është plagosur edhe autori. Në vijim, sipas tij, autori ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar me pistoletë, duke i marrë jetën Ylber Lulit dhe duke plagosur babain e tij.
Eksperti nuk përjashtoi mundësinë që autori të ketë qenë nën efektin e alkoolit apo të substancave të tjera, por theksoi se kjo mbetet për t’u përcaktuar nga hetimet.
Ngjarja vijon të jetë nën hetim, ndërsa dinamika e saktë e konfliktit, motivi dhe përgjegjësia e personave të përfshirë pritet të zbardhen nga autoritetet.