Thinking ...
Connect with us

Politike

Partia e Trump voton në Shqipëri/ Lind ‘Turning Point Albania’, Edi Rama në shenjestër

Një emër i lidhur ngushtë me lëvizjen MAGA në Shtetet e Bashkuara shfaqet edhe në skenën politike shqiptare.

“Turning Point Albania” është një faqe në rrjetet sociale që promovon mesazhe të së djathtës amerikane, flet për meritokraci dhe liri individuale, ndërsa sulmon drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama.

Faqja huazon emrin e organizatës amerikane “Turning Point”, të lidhur me lëvizjen MAGA dhe të drejtuar nga Charlie Kirk.

Administratorët e saj e paraqesin nismën si një organizatë jofitimprurëse dhe deklarojnë se synojnë promovimin e meritokracisë dhe lirisë individuale në Shqipëri.

Por përtej përshkrimit formal, është gjuha politike ajo që ngre pikëpyetjet.

Në një prej postimeve sulmohet marksizmi dhe vihet përballë tij ideja e lirisë individuale dhe meritokracisë.

Mesazhi shoqërohet me një video të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili kritikon marksizmin dhe format moderne të kësaj ideologjie.

Por “Turning Point Albania” nuk ndalet vetëm te mesazhet ideologjike.

Në shënjestër është drejtpërdrejt edhe Edi Rama.

“Edi Rama, you are fake. Shumë propagandë. Pak rezultate. Ne ofrojmë zgjidhje. Meritokraci. Liri individuale”, shkruajnë administratorët e faqes.

Mesazhi shoqërohet me një video të këngëtares Tayna, e përdorur si referencë për termin “fake”. Kjo, megjithatë, nuk nënkupton se këngëtarja mbështet këtë nismë.

Mënyra e komunikimit të faqes ngjan me atë të lëvizjes MAGA në Shtetet e Bashkuara: mesazhe të shkurtra, gjuhë direkte, sulme ndaj kundërshtarëve dhe përdorim i figurave të kulturës popullore për të përcjellë mesazhe politike.

Dhe pikërisht këtu lind pyetja më e madhe:

A kemi të bëjmë thjesht me një grup individësh që shprehin bindjet e tyre politike në internet, apo me embrionin e një lëvizjeje të re politike në Shqipëri?

Materiali ngre edhe hipotezën se nisma mund të ketë lidhje me mbështetës të MAGA-s pranë Partisë Demokratike.

Në këtë kontekst përmendet Evi Kokalari, e cila ka pasur një rol publik në kampin demokrat gjatë përplasjeve të brendshme të opozitës.

Por deri tani nuk ka prova që t’ia atribuojnë asaj drejtimin apo krijimin e “Turning Point Albania”.

Po kështu, nuk është konfirmuar nëse faqja ka ndonjë lidhje zyrtare me organizatën amerikane “Turning Point”.

Ajo që duket qartë deri tani është orientimi politik: e djathta amerikane, meritokracia, liria individuale dhe një qëndrim i hapur kundër Edi Ramës.

Nëse kjo faqe do të mbetet vetëm një platformë virtuale, apo do të zbresë në terren për t’u kthyer në një organizim politik, mbetet ende për t’u parë.

Por shfaqja e një emri të lidhur me universin MAGA në Shqipëri hap një tjetër pyetje në politikën shqiptare:

A po kërkon të lindë edhe këtu një version shqiptar i “Turning Point”?

Advertisement