Aktualitet
Përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror, ja dy akuzat për të cilat dyshohet Vlora Hyseni
Sipas disa mediave, një operacion i Byrosë Kombëtare të Hetimit ka nisur mëngjesin e 22 shtatorit, në zbatim të vendimeve të GJKKO-së, me kontrolle banesash dhe personale ndaj disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve, kryesisht të strukturave të sigurisë.
Në fokus të operacionit është edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Sipas raportimeve, agjentët e BKH-së kanë kontrolluar banesën e tij në Tiranë, ndërsa gjatë veprimeve janë sekuestruar pajisje elektronike, përfshirë telefona celularë, laptopë dhe USB, të cilat pritet t’i nënshtrohen ekspertimit.
Zhvillimet prekin edhe drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit.
Drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, raportohet se është vendosur nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, së bashku me pezullimin nga detyra. Masa është raportuar mëngjesin e 22 shtatorit, ndërsa deri në një njoftim zyrtar të plotë mbeten për t’u sqaruar detajet e procedimit.
Sipas mediave, Vlora Hyseni dyshohet për dy vepra penale, përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror.