Politike
Përplasja e madhe për drejtësinë/ Shehaj: Rama u tërhoq me bishtin në shalë
Deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, e cilëson si një humbje të Edi Ramës përplasjen me sistemin e drejtësisë për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në një reagim të tij, Shehaj deklaron se kryeministri u detyrua të tërhiqej nga qëndrimi i mbajtur më herët dhe të paguante pagat e përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë.
“Edhe këtë betejë me gjyqësorin Edi Rama e humbi. U detyrua të tërhiqej me bishtin ndër shalë dhe të paguante pagat e tyre”, shprehet Shehaj.
Deputeti kundërshton gjithashtu deklaratat e Ramës për nivelin e pagave në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, këto paga janë përcaktuar pikërisht nga mazhoranca socialiste dhe vetë kryeministri.
Shehaj argumenton se Rama, në atë periudhë, besonte se rritja e pagave do të krijonte një marrëdhënie favorizuese mes gjyqtarëve, prokurorëve dhe qeverisë.
Por, sipas tij, kjo pritshmëri nuk u realizua.
Shehaj thotë se përplasja nisi të thellohej kur organet e drejtësisë nisën hetimet ndaj zyrtarëve dhe personave të afërt me pushtetin, ndërsa kërkuan edhe arrestimin e disa prej tyre.
“Drejtësia veproi si e pavarur, ashtu siç duhet të jetë”, deklaron deputeti, duke vlerësuar se një pjesë e sistemit nuk pyeti se kush ishte në pushtet dhe vijoi hetimet.
Sipas Shehajt, pikërisht në këtë moment marrëdhëniet mes ekzekutivit dhe gjyqësorit u kthyen në një përplasje të hapur, deri në pikën kur Rama, sipas tij, refuzoi të paguante pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Tashmë, deputeti i Partisë Mundësia paralajmëron se përplasja nuk ka përfunduar.
Ai u bën thirrje qytetarëve të mbështesin drejtësinë dhe e konsideron këtë si një kusht për ndërtimin e një sistemi ku ligji të jetë mbi pushtetin politik.
“Kjo përplasje do të vazhdojë dhe qytetarët shqiptarë duhet të mbështesin drejtësinë”, shkruan Shehaj.
Një deklaratë që rikthen në qendër të debatit politik marrëdhënien mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, ndërsa lufta për kontrollin dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor mbetet një nga përplasjet më të forta politike në vend.