Politike
PERPLASJE E FORTE ME OPOZITEN/ Rama: Koha kur lloj-lloj kriminelësh i merrnin Shqipërisë çfarë të donin, ka ikur
Kryeministri Edi Rama deklaroi në Kuvend se biznesmeni Francesco Becchetti nuk ka marrë dhe nuk do të marrë pagesë nga shteti shqiptar në lidhje me çështjen e arbitrazhit, duke kundërshtuar pretendimet e opozitës për një shumë prej rreth 100 milionë eurosh.
Rama sqaroi se ai nuk ka thënë se vendimi i arbitrazhit nuk njihet, por se shteti shqiptar nuk do të kryejë pagesën.
“Ai ka marrë zero lekë nga shteti shqiptar dhe do të marrë zero lekë nga shteti shqiptar”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha gjithashtu se paratë e ngrira të Albcontrol do të rikthehen në arkën e shtetit, ndërsa përmendi disa procese ligjore që, sipas tij, janë duke u zhvilluar në Shqipëri dhe jashtë saj.
Rama deklaroi se për çështjen ka edhe një proces penal dhe se SPAK ka hapur hetim.
Në përplasjen me opozitën, kryeministri akuzoi kundërshtarët politikë se e kanë përdorur çështjen Becchetti në mënyrë të përsëritur gjatë periudhave zgjedhore.
“Koha kur lloj-lloj kriminelësh mund t’ia merrnin Shqipërisë çfarë të donin, ka ikur”, tha Rama.
Ai e mbylli debatin me një tjetër sulm politik ndaj opozitës: “Sa më shumë t’i merrni për budallenj shqiptarët, aq më shumë do e merrni ballit nga shqiptarët në çdo palë zgjedhje.”