Politike
PL-ja kritikon qeverinë për shëndetësinë: Pacientët përballen me mungesa ilaçesh
Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës nga Partia e Lirisë, Artan Distafa, ka kritikuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama lidhur me situatën në sistemin shëndetësor.
Në një deklaratë për mediat, Distafa është shprehur se, pavarësisht premtimeve për “shëndetësi falas”, pacientët përballen, sipas tij, me mungesa të barnave dhe me shpenzime të larta për trajtimin mjekësor.
Ai ka ngritur gjithashtu shqetësime lidhur me sigurimin e barnave antitumorale dhe me mungesat e përsëritura të medikamenteve që konsiderohen të nevojshme për pacientët.
Distafa e ka lidhur situatën në shëndetësi edhe me mënyrën e shpërndarjes së fondeve publike dhe financimin e projekteve e kontratave qeveritare. Në këtë kuadër, ai ka ngritur pikëpyetje edhe mbi pagesat e lidhura me inceneratorin e Tiranës.
Sipas pretendimeve të tij, ekziston një kontrast mes fondeve që akordohen për projekte të ndryshme qeveritare dhe vështirësive që, sipas tij, hasin pacientët për të siguruar barnat dhe trajtimin e nevojshëm.
Deklarata e anëtarit të Këshillit Bashkiak në bashkinë e Tiranës, Dr. Artan Distafa:
Pas 13 viteve qeverisje dhe premtimeve të pafundme për shëndetësinë “falas”, sot kemi një realitet ku për pacientët ilaçe nuk ka, por për “projektet” qeveritare gjenden gjithmonë.
Ky është paradoksi i Shqipërisë së Edi Ramës: kur një qytetar sëmuret, shteti i thotë “nuk ka”; kur bëhet fjalë për projektet e qeverisë, paratë e buxhetit duket se gjithmonë gjenden.
Na premtuan “shëndetësi falas”. Sot shqiptarët përballen me mungesa barnash, lista pritjeje, aparatura që mungojnë ose nuk janë funksionale dhe me shpenzime nga xhepi deri ne 60% për shërbime që duhet të garantoheshin nga shteti.
Mungesa e barnave nuk është më një ankesë sporadike e pacientëve. Një studim i publikuar në vitin 2026 evidentoi mungesa të përsëritura të barnave thelbësore, ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar problematika serioze në sigurimin e barnave antitumorale.
Por si mund të ketë para për çdo PPP, koncesion e projekt qeveritar, por të mos ketë ilaç për pacientin?
Për një incenerator që nuk është ndërtuar, pagesat publike kanë vijuar. Vetëm gjatë vitit 2025 janë raportuar rreth 1.4 miliardë lekë pagesa, ndërsa totali i fondeve publike të transferuara për kontratën e inceneratorit të Tiranës që nuk ekziston, ka arritur rreth 9.1 miliardë lekë, ose rreth 92 milionë euro.
Pra, për një impiant që nuk ekziston siç ishte parashikuar në kontratë, paratë vazhdojnë të dalin nga buxheti.
Ky është standardi i dyfishtë i kësaj qeverie.
Për pacientin, prit.
Për familjen, paguaj.
Për spitalin, prit aparaturën.
Për barnat, “nuk ka”.
Por për projektet e qeverisë, ka gjithmonë fonde!
Shëndetësia nuk matet me fasadat e spitaleve dhe as me ceremonitë e inaugurimeve. Matet në momentin kur një nënë kërkon ilaçin e fëmijës së saj, kur një i moshuar pret një trajtim, kur një pacient me kancer ka nevojë për terapinë dhe kur një mjek përballet me mungesën e pajisjeve që i duhen për të shpëtuar një jetë.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për një qeveri që u premton shëndetësi falas në televizor. Kanë nevojë për një shtet që e financon shëndetin e tyre përpara luksit të propagandës dhe projekteve që mbeten në letër.
Sepse kur qeveria gjen miliona për inceneratorë fantazmë dhe qindra miliona lekë për projekte të tjera, por pacienti nuk gjen ilaçin, problemi nuk është mungesa e parave, por prioriteti politik.
Dhe pas 13 vitesh, shqiptarët kanë të drejtë të pyesin.
Sa kushton për qeverinë jeta e një shqiptari? Dhe pse shëndeti i qytetarit vazhdon të jetë gjithmonë pas faturës së projekteve të qeverisë?