Connect with us

Kosova

Profesori amerikan David Kanin: Vetëm paratë mund ta shtyjnë Serbinë të veprojë për Banjskën

David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, tha se, kur bëhet fjalë për incidentin në Banjskë, paratë janë e vetmja gjuhë që Beogradi e kupton vërtet.
Sipas tij, udhëheqja e Serbisë nuk do ta ekstradojë Millan Radoiçiqin dhe as nuk do ta marrë seriozisht përgjegjësinë, përveç nëse Brukseli i lidh qartë fondet e BE-së dhe progresin e anëtarësimit me hapa konkretë në këtë çështje.
“Kjo nuk do ta detyronte domosdoshmërisht [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq të bënte diçka, por do t’i krijonte Serbisë kosto materiale, nëse ai nuk do të vepronte”, tha Kanin për Radion Evropa e Lirë.
Më 24 prill, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me burgim të përjetshëm Bllagoje Spasojeviqin dhe Vlladimir Tolliqin për sulmin e armatosur në Banjskë, ndërsa Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet burgim.
Millan Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit 2023, dhe dhjetëra persona të tjerë të akuzuar nga autoritetet e Kosovës janë në arrati.
“Çdo gjë që lidhet me Banjskën ka shumë rëndësi. Ky incident veçohet në klimën e përgjithshme të mosbesimit mes dy vendeve, si dhe në mosmarrëveshjet e vazhdueshme për statusin e Kosovës. Ky është konteksti bazë. Banjska ishte një incident i veçantë, i dhunshëm, i kryer me armë të ushtrisë serbe dhe i organizuar personalisht nga një figurë e rëndësishme e rrjeteve kriminale, e lidhur me ekonominë informale mes serbëve në pjesën veriore të Kosovës. Ky incident ka vërtet shumë rëndësi, dhe po ashtu edhe ky vendim është i rëndësishëm.
Për mua, ndërkombëtarët duhet të ushtrojnë presion ndaj Serbisë që ta dorëzojë Radoiçiqin tek autoritetet e Kosovës. Ky duhet të jetë kushti për çdo përparim në marrëdhëniet e Serbisë me BE-në” – theksoi David Kanin

Advertisement