Aktualitet
PROTESTA TE KUVENDI, 19 TE ARRESTUAR-EMRAT
Policia e Shtetit ka publikuar bilancin zyrtar të incidenteve të ndodhura gjatë protestës së zhvilluar të enjten pranë Kuvendit të Shqipërisë, ku tubimi u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, janë arrestuar në flagrancë 19 persona, të cilët dyshohet se kundërshtuan dhe goditën me sende të forta punonjësit e Policisë, dëmtuan një automjet policie, si edhe sulmuan deputetë të Kuvendit të Shqipërisë gjatë zhvillimit të protestës.
Mes personave të arrestuar është dhe një prej organizatorëve, Gent Progni.
Në paraburgim po mbahet dhe Arbër Lleshaj, i akuzuar për goditjen e një gazetari.
Ndërkohë, 12 persona të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Policia bën të ditur se hetimet vijojnë dhe se janë identifikuar edhe gjashtë persona të tjerë, të dokumentuar me pamje filmike duke kryer veprime të dhunshme, për të cilët po punohet për lokalizimin dhe ndalimin e tyre.
1.Kujtim Pervataj
2.Romario Dushi
3.Ardit Ymaj
4.Niko Qarkaj
5.Ylli Shima
6.Ervis Gjoni
7.Frrok Bardhi
8.Rezart Pirani
9.Admir Tershalla
10.Alban Nikolli
11.Elvis Bici
12.Altin Hila
13.Ervin Gega
14.Arben Lleshaj
15.Everes Bardhi
16.Besard Kajmi
17.Aristotel Elezaj
18.Gentjan Progni
19.Durim Bami
Protesta e së enjtes, dita e 33-të e mobilizimit qytetar para Kuvendit, shënoi përshkallëzimin më të fortë të situatës që prej nisjes së tubimeve. Protestuesit tentuan të bllokonin hyrje-daljen e Parlamentit dhe largimin e automjeteve zyrtare pas përfundimit të seancës plenare. Në përgjigje, Policia përdori kordone sigurie, spraj irritues, gaz lotsjellës dhe mjete ujëhedhëse për të shpërndarë turmën. Gjatë incidenteve u regjistruan hedhje gurësh, vezësh dhe sendesh të forta në drejtim të forcave të rendit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ndihmë mjekësore morën tre efektivë policie dhe katër protestues, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Përplasjet prodhuan edhe reagime politike. Kryeministri Edi Rama deklaroi se protesta ishte shndërruar në “filmin e vjetër të konfliktit dhe dhunës”, ndërsa kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, garantoi mbështetje për Policinë e Shtetit dhe paralajmëroi ndjekje penale për autorët e akteve të dhunës.