Connect with us

Politike

Rama: Nuk më frikësoni dot, s’jap dorëheqje

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në fjalën e tij nga mbledhja e grupit parlamentar të PS, të mbajtur këtë të shtunë, u ndal tek çështja e Zvërnecit, diskutimi i tij nga mediat ndërkombëtare dhe protestat e mbajtura në Tiranë.

Ai u shpreh se “Zvërneci u bë kërthiza e botës, ku po vendosej fati i ngrohjes globale”.

Befas, Zvërneci u bë qendra e botës, ku po vendosej fati i ngrohjes globale. Qindra mijëra njerëz iu turrën oligarkisë botërore dhe bota shqiptare u njëhsua me histerinë e kanaleve sociale, duke u bashkuar në një armatë të vetme çlirimtarësh zogjsh, flamingosh, me fundin e kanalit digjital, bullistët e terrorit online.

Unë e di që mund të zhgënjej edhe shumë këtu brenda me këndvështrimin tim, por e vërteta është se cikloni i këtyre 20 ditëve nuk është interesant për atë që thotë mbi qeverisjen e Shqipërisë sot. Është interesant për atë që thotë mbi kohën ku kemi hyrë, botën që po jetojmë dhe sfidat me të cilat do të përballemi gjithnjë e më shumë dhe ne, PS. Nëse kjo histori do të kishte ndodhur 10 vite më parë, do të kishte mbetur në rastin më të mirë një debat shqiptar pa protestë. Do të kishte pasur mbështetës, do kishte pasur kundërshtarë, do kishte pasur sherr, por do kishte mbetur këtu, pavarësisht përfshirjes së amerikanëve, izraelitëve, apo të dreqit vetë që u përfshi në këtë histori edhe pa qenë fare pjesë. Ndërsa sot, 10 vjet më pas, brenda 48 orësh, degradimi i dhunshëm i një sherri vulgar mes rojeve të sigurisë private dhe të një protestuesi të marrë zvarrë u bë zanafillë e një lufte globale online ku nuk ngeli llogore mediatike e planetit pa shkrehur municionet përkatëse.

Jo se bota u zgjua një mëngjes e alarmuar për fatin e flamingove të Nartës dhe natyrën e Shqipërisë, ku deri dje zhvillohej egërsisht dhe qetësisht nën hundën e pandjeshme të botës, masakra më e përgjaksheme e shekullit XXI, mbi shpendët dhe kafshët e gjora që vriteshin për epshin shtatzënor të mijëra gjuetarëve të ardhur nga Perëndimi në këtë tokë pa shtet“, tha ai.

Sipas tij, jehona e dhënë nga mediat ndërkombëtare për Zvërnecin, Rama tha se nuk lidhet me “fatin e Nartës”, por me figurën e Jared Kushner.

Të ishte për botën, Narta mund të kthehej qetësisht 10 vite më parë, kur flamingot nuk shtegtonin në tokën e saj, sepse i priste plumbi i kafshëve të dehura me dy këmbë.

Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Jared Kushner dhe hijes së vjehrrit të tij, që e urren për vdekje“, tha ai.

Rama paralajmëron të vetët: Kjo histori është vetëm fillimi. Përgatituni për çfarë vjen më tutje

Rama ka thumbuar hapur protestat qytetare që po zhvillohen kundër këtij investimi strategjik. Ai e ka cilësuar situatën aktuale si një histori paralajmëruese, duke u shprehur se mllefi i shfaqur nuk drejtohet vetëm ndaj tij, por ndaj të gjithë shumicës qeverisëse.

Sipas Ramës, ky reagim është vetëm fillimi i asaj që pritet të vijë më tutje, ndaj kërkoi që kjo histori të lexohet drejt për të qenë të përgatitur.

“Shqipëria u bë zogu dhe ne ishim në krye të saj. Kjo ishte një histori paralajmëruese. Jo vetëm për mandatin tim, por të kësaj shumice qeverisëse. Mllef ndaj meje dhe PS. Këtë histori ta lexojnë sa më drejt, për të qenë të përgatitur sa më mirë, për çfarë vjen më tutje, sepse ky është vetëm fillimi… Ne mund të bëjmë vetëm atë që bëhet, për të kuptuar politikën sot bën mirë që të largohesh pak. Shumë kohë përpara ai ka përshkruar modelin e biznesit të rrjeteve sociale, në një përshkrim që ai e quan diskursi i historikut. Ai nuk përshkruante një njeri, por një marrëdhënie, një mënyrë për t’u marrë me botën dhe realitetin.”

Në vijim të fjalës së tij, Rama bëri një krahasim mes opozitës, ku mund të premtosh e të mbrosh çdo zog, dhe qeverisjes, ku duhet të merresh me gjahtarët e të mbledhësh plehrat. Në mbyllje, ai theksoi se qeveria është burimi më i pasur për të ushqyer zemërimin, pasi ajo përballet me kompromise buxhetesh dhe nuk është gjithmonë poetike

“Në opozitë dukesh më i pastër, më i përvuajtur për të tjerët, kurse në qeveri duhet kompromis, ecën me buxhete. Në opozitë e ndryshon botën me një fjalim dhe kënaqesh, kurse në qeveri ndryshon nene. Në opozitë mund të premtosh gjithçka dhe nuk mban përgjegjësi për asgjë, në qeveri duhet të mbledhësh plehrat. Në opozitë mund të mbrosh të gjithë zogjtë, në qeveri duhet të merresh me gjahtarët. Qeveria është burimi më i pasur për të ushqyer zemërim, edhe sikur qeveria të jetë e përsosur, lë më pastaj nuk ka qeveri të përsosur. Problemi është që qeveria nuk është gjithmonë poetike.”

Rama: Kush kërkon like e follower, punon kundër fëmijëve të tij

Ai u ndal tek përfshirja e influencerave në protestat qytetare në Tiranë.

Sipas Ramës, “like”-et dhe “followers” nuk janë thjesht mjete shprehjeje apo matje popullariteti, por janë pjesë e një sistemi më të madh ekonomik dhe teknologjik ku platformat digjitale përfitojnë financiarisht nga sjellja e përdoruesve.

“Kush mendon se me likes dhe followers të vet bën politikë ose bën vetëm politikë, bën gabim. Me followers dhe like që i mbledh, bën shërbimin e atyre oligarkëve më të mëdhenj të planetit, që përmes algoritmit dhe platformave pasurohen çdo ditë.

Algoritmi nuk shpërblen qetësinë. E varros. Sepse qetësia është armik i algoritmit. Algoritmi nuk i shpërblen nuancat, i fsheh, sepse nuancat janë kundërshtarë të algoritmit.

Algoritmi nuk e do arsyen dhe prandaj në të gjitha studimet e bëra, të gjitha postimet, në të gjitha platformat, të cilat janë të mërzitshme sepse janë të arsyeshme, kanë një shpërndarje shumë më të ngadaltë sesa ato që janë tërheqëse, sepse janë skandaloze. Algoritmi është aty për të shpërblyer konfliktin dhe çdo qenie konfliktuale që i vihet në dispozicion. Shpërblen frikësimin e të tjerëve sepse frikësimi prodhon klikime, klikimet prodhojnë kohë, dhe koha prodhon para. Kështu, për herë të parë në histori, ekonomia e vëmendjes është bërë ekonomi politike. Sa më shumë zemërim, aq më shumë shikueshmëri. Sa më shumë shikueshmëri, aq më shumë ndikim. Sa më shumë ndikim, aq më shumë pushtet, mbi kë? Mbi skllevërit e algoritmeve, mbi të gjithë ne“, tha ai.

“Kush shkon dhe kërkon një like dhe një follower me zemërim, punon kundër fëmijëve të tij”, shtoi më tej Rama, duke theksuar se këto sjellje kanë pasoja afatgjata shoqërore.

Protestat/ Rama: Algoritmi nuk njeh përgjegjësi, por vetëm vëmendje

Rama tha se mediat sociale janë ato çka kanë shpikur një trend të ri, duke i dhënë hapësirë çdokujt për të dalë në protestë e për t’iu drejtuar popullit me kompetencat se njeh sesi drejtohet një qeveri.

“Mbi bazën e dijes së akumuluar, vendimmarrësit kanë marrë vendim që nga populli deri te të zgjedhurit. Demokracia nuk i ka zëvendësuar me diçka tjetër as përvojën, as përgjegjësinë. Sot, për herë të parë, demokracia po përballet me njeriun që mund të mos ketë ndërtuar kurrë asgjë. Mund të mos ketë shkollë, asnjë kompetencë për të marrë përsipër të flasë. Nuk i ka thënë kush mirëmëngjes, punë e mbarë, dhe nuk ka administruar kurrë asnjë zyrë me 3 vetë.

Ky tip zgjidhet në mëngjes me bindjen se e kupton shtetin më mirë se kushdo, edhe pse jeton në një anë tjetër të globit. Se algoritmi i ka dhënë atij diçka që dikur fitohej me vite pune: dukjen. Vendosjen e vetes në vëmendjen e të tjerëve. Kjo jo me hir, por me pahir; jo duke bërë ndonjë propozim për atdheun, por duke thirrur vdekje tradhtarëve të atdheut.

Në kohën tonë, kjo dukje ngatërrohet me autoritetin dhe kjo është një tragjedi e vogël e qytetërimit. Autoriteti nuk është më ai që e shohin më shumë njerëz; autoriteti është ai që mban më shumë përgjegjësi. Por algoritmi nuk njeh përgjegjësi, por vetëm vëmendje. Je thjesht një skllav i algoritmit, që flet e shtuar vëmendjen, të nxit që të bëhesh më kërcënues.

Nuk ka rëndësi se ajo që thuhet është e vërtetë. Lëre më pastaj të ketë rëndësi a është e drejtë apo jo; mjafton të jetë e fortë, zemëruese, skandaloze. Jetojmë në një kohë kur britma udhëton shumë herë më shpejt sesa argumenti. Është një garë e pamundur. Emocioni mbërrin më shpejt se arsyeja dhe pastaj merr peng followers-at dhe likes-at dhe nuk i lë të shohin arsyen, por i nxit të përfaqojnë emocionin.

Pikërisht në këtë klimë ndodh edhe diçka tjetër. Sa herë që krijohet një krizë, shpërthen një ekzaltim kolektiv. Jo se kanë diçka për të thënë, jo se kanë lidhje me arsyen përse ekzaltimi shpërtheu, por se është krijuar një skenë për t’u dukur dhe për të mbledhur me babëzi atë që algoritmi ta nxit njësoj si droga nxit dikë që të shtojë dozën: likes-at, followers-at.

Është trendi. Kanë frikë të mbeten jashtë valës, se në ekonominë e vëmendjes heshtja nuk shpërblehet; shpërblehet vetëm pjesëmarrja, vetëm ai që ka kurajon të hyjë në garë, vetëm ai që bën videon më dramatike. S’ka rëndësi nëse protesta bëhet në një bregdet të Spanjës. Mjafton t’i vësh shenjën “Tiranë” dhe të vendosësh aty një turmë që diçka thotë në spanjisht, por në titra lexohet “Vdekje Izraelit”.

Një protestë nuk është më një protestë. Është skenë, është treg emocionesh, klikimesh, morali, madje edhe një treg karrierash. Ato të karrierave janë më qesharaket, se nuk e kanë marrë vesh akoma që në PS dhe me ne nuk fitohet duke dalë me lugën e ndryshkur në karrierat e humbura”, tha Rama.

Rama: Algoritmi po krijon një “realitet paralel”, më ndjek refreni si “drogaxhi”

Sipas tij, në epokën digjitale, disa akuza apo etiketime mund të perceptohen si “të vërteta të qëndrueshme” në hapësirën online, pavarësisht përmbajtjes së tyre faktike, duke krijuar një cikël që ushqehet nga algoritmet e platformave.

Ai dha dhe shembuj nga këto etiketime që i janë bërë atij.

“Siç është bërë e vërtetë që unë jam bërë konsumator i kokainës, fjala drogaxhi është një refren që mua më ndjek si e vërtetë. Siç është e vërteta që unë kam akuzuar tim atë për marrëdhënie me timen shoqe dhe atësinë e djalit tim, është e vërtetë çfarëdo që të them unë. Algoritmi e ka bërë të vërtetë përfundimisht këtë gjë. Çfarë rëndësie ka se çfarë them unë. Natyrisht për këtë arsye unë nuk e them këtë gjë rregullisht, se nuk ka asnjë vlerë. Nuk jemi më në një marrëdhënie sociale, politike, demokratike, por jemi në një laborator ku në kohë reale algoritmi, virusi i realitetit, simbolika dhe gënjeshtra prodhojnë një realitet paralel, që është bërë e vërteta“, u shpreh ai.

Rama iu përgjigjet protestuesve: Jo vetëm ju, por një planet të mblidhet e s’na frikësoni dot! Nuk e jap dorëheqjen

Rama ia faturon protestat rrjeteve sociale për nxitje të histerisë kolektive dhe shpikjen e një trendi të ri, për të qenë në krye të vëmendjes.

“Shteti ndërtohet duke mos e humbur drejtimin e historisë. Kam pasur shumë mesazhe sikur më ka shkuar ndërmend të jap dorëheqjen. Se gjithmonë e më shumë njerëzit fillojnë, shohin që kjo është diçka që nuk rri as në qiell, as në tokë. Nuk mundet dot asnjë shqiptar i arsyeshëm që të pranojë që Tirana të bëhet një territor sfilate për një turmë që shkon të bllokojë aeroportin. Nuk e pranon dot askush këtë. Natyrisht, tërheqja pak nga pak e syve të atyre që shkuan atje për të dalë në skenë dhe mbetja e një grupi ku ka një përzierje të hatashme dhe është një përzierje mbarëkombëtare. Vijnë njerëz nga Kosova, nga Maqedonia, për të shpëtuar Shqipërinë në emër të shqiptarëve. Ujërijnë të mblidhet këtu kombi.

Njerëzit që funksionojnë me arsye, edhe ata të pagave, të mirëpaguarit, e kuptojnë që këtu ka diçka që nuk shkon fare. S’i kam dhënë përgjigje kujt, se më është dukur sikur një qeveri nuk ka të drejtë të mbyllë veshët; ajo duhet të dëgjojë. Duhet ta dëgjojë një grup parlamentar, flas për një grup qeverisës, duhet ta dëgjojë gjithçka që thuhet në atë sheshin e xhirimeve.

Nga diskutimet e para, është e qartë që janë dëgjuar, do të dëgjojnë kritikën dhe zërimin. Nuk është e mundur që një qeveri ta skualifikojë, t’ia hedhë të gjithë fajin algoritmit. Nuk është e drejtë. Por një qeveri nuk mund ta bëjë kurrë, nëse është aty me një destinacion. Një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma. Një grup udhëheqës nuk i jepet zhurmës dhe sa më shumë zhurma zmadhohet, aq më shumë një grup udhëheqës forcon identitetin e vet, duke bashkuar të gjithë në emër të destinacionit.

Nuk ndërtohet një shtet si ai që ne po ndërtojmë dhe nuk çohet deri në fund një mision historik si ky që na ra ne ta mbarojmë, për ta bërë Shqipërinë vend të Bashkimit Europian. Një grup udhëheqës që ka një mision shkon deri në fund. Unë jam shumë aktiv në rrjetet sociale. E kam ndarë me ju disa herë që një nga gjërat që unë pres me shumë dëshirë të më vijë kur unë të mos jem në këtë detyrë, është të mos kem nevojë t’i trokas algoritmit. Por unë nuk besoj kurrë që aty te pasqyra e Facebook-ut e Instagram-it dhe te komentet, kurrë nuk besoj që unë mund të drejtohem prej zhurmës, prej erës dhe prej dallgëve që mund të ngrihen aty.

Më kanë sugjeruar më të urët: lëri, mos fol, rri, dëgjoji. Unë mund të ndihem përgjegjës për shumë gjëra që duhet të shkojnë më mirë, por unë dhe ju, PS, të ndihemi me faj, se vetëm fajtorët nuk flasin; të ndihemi me faj pse mblidhet jo ajo turmë, po pse mblidhet planeti po të dojë, që të na tregojë dhe të na imponohet në opinion, që të na detyrojë që ne të pranojmë të jemi skllevër të algoritmit dhe si forcë politike, kjo nuk është e mundur të ndodhë, se kjo është tradhtia e vërtetë”, tha Rama.

Advertisement