Aktualitet
Rama për rezultatet e PISA 2025: Shqipëria ka marrë një dëftesë të jashtëzakonshme
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për rezultatet e Shqipërisë në testimin ndërkombëtar PISA 2025, duke i cilësuar ato si një arritje të rëndësishme për sistemin arsimor në vend.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se rezultatet e këtij vlerësimi përbëjnë një dëshmi të punës së bërë në arsim, duke theksuar se Shqipëria ka shënuar rezultatin më të mirë të regjistruar ndonjëherë në PISA.
“Ka ditë që shkohet në punë me ndjesinë që kjo është detyra dhe ka ditë që shkohet në punë me kënaqësi të madhe. Dje kemi marrë një dëftesë, një rezultat shumë të mirë. Shqipëria ka marrë një dëftesë të jashtëzakonshme, kemi dalë si asnjëherë më mirë në testin PISA, test që përcakton nivelin e të nxënit”, deklaroi Rama.
Kryeministri e cilësoi rezultatin si produkt të një pune të gjatë dhe të konsiderueshme në sektorin e arsimit, ndërsa shprehu ambicien që Shqipëria të renditet në krye të rajonit.
“Jemi të parët në rajon që kemi ambicie që të zëmë vendin e parë në çdo gjë. Kemi bërë një punë kolosale”, u shpreh Rama.
Rezultatet e PISA-s matin aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në fusha kryesore si leximi, matematika dhe shkencat, duke ofruar një krahasim të performancës së sistemeve arsimore në vende të ndryshme.