Connect with us

Politike

Rama përplaset me gazetaren e DW: Pyetja bazohet mbi një gënjeshtër, algoritmi pëlqen skandalet

Në intervistën për Deutsche Welle, Kryeministri Edi Rama u pyet mbi transformimin që synon për Shqipërinë, çmimin që është i gatshëm të paguajë për këtë vizion dhe mënyrën se si teknologjitë e reja, përfshirë inteligjencën artificiale, mund të ndikojnë në të ardhmen e vendit.

Gjatë intervistët ai është përplasur edhe me gazetaren e cila e pyeti për privatizimin e hapësirave publike, ndërsa kryeministri sqaroi se kjo është një gënjeshtër. dhe se pyetja e saj nuk është e bazuar në fakte.

Pjesë nga intervista: 

Gazetarja: A është privatizimi i hapësirës publike një çmim që jeni të gatshëm ta paguani për këtë transformim?

Rama:

Kjo është një tjetër gënjeshtër që është përsëritur intensivisht dhe tashmë është shndërruar në një “fakt”, të cilin ju po e përdorni për të bërë një pyetje. Sepse nuk ka privatizim të hapësirës publike. Pikë. Nuk ka. Është gënjeshtër.

Nuk është se unë mund ta garantoj këtë; është se ne jetojmë në një qytetërim që nga koha e romakëve ka vendosur një rregull shumë të thjeshtë: ai që bën një akuzë duhet të sjellë prova.

Tani, ju jeni gazetare, apo jo? Dhe jeni këtu për të informuar publikun tuaj. Por pyetja juaj bazohet mbi një gënjeshtër. Ju më kërkoni garanci, ndërkohë që duhet të më tregoni ku është privatizimi dhe cili është qoftë edhe një fakt që ju ka bërë të shqetësoheni se do të ketë privatizim të tokës publike.

Nuk do të ketë. Nuk ka ndodhur kurrë. Dhe nuk do të ndodhë.

Gazetarja:

Në vitin 2024, ligjet për mbrojtjen e mjedisit në Shqipëri u ndryshuan për t’i hapur rrugë turizmit me hotele luksoze. Kjo ka shqetësuar shumë njerëz në Shqipëri, së bashku me mungesën e konsultimit publik. Cila është përgjigjja juaj ndaj këtyre shqetësimeve?

Rama:

Mendoj se, edhe një herë, faktet janë shumë të rëndësishme. Por, përsëri, faktet lihen mënjanë. Po, ne kemi bërë ndryshime në ligj. Por e dini çfarë? Nuk kemi ndryshuar thelbin e ligjit.

Ndryshimet tona nuk bien ndesh me standardet dhe kriteret evropiane, dhe kjo do të verifikohet përmes procesit të negociatave me Bashkimin Evropian.

Pra, edhe një herë, paragjykimet nuk janë argumente dhe insinuatat nuk janë fakte. Faktet janë e vetmja gjë që kam.

Nëse keni fakte që kundërshtojnë faktet e mia, ju lutem, sillini. Por nëse keni paragjykime, ose doni të bëni beteja ideologjike me Trumpin, apo keni gjëra të tjera në mendje, jeni të lirë t’i keni, por unë nuk mund t’ju ndihmoj me përgjigjet e mia.

Gazetarja:

Në fjalimin tuaj kryesor folët për zemërimin dixhital dhe folët për përvojën shumë pozitive të qeverisë suaj me përdorimin e inteligjencës artificiale, duke përfshirë edhe prezantimin e një ministreje që, sipas jush, është vetë një algoritëm i inteligjencës artificiale.

Nëse gjendemi në një situatë ku kemi përdorim të mirë të algoritmeve dhe atë që ju do ta quanit përdorim të keq ose edhe të rrezikshëm të tyre, ku na çon kjo? A na çon drejt një situate ku qeveritë kontrollojnë algoritmet?

Rama:

Nuk ekziston diçka e tillë si “përdorim i mirë i algoritmit”, sepse algoritmi nuk i pëlqen të vërtetat e mërzitshme. Algoritmi i do gënjeshtrat argëtuese. Algoritmit nuk i pëlqejnë përgjigjet e mira. Atij i pëlqen skandali. Algoritmit nuk i pëlqen paqja dhe dashuria. Atij i pëlqejnë zemërimi dhe frika. Sepse natyra njerëzore tërhiqet më shumë nga këto gjëra.

Nuk më takon mua të them se si mund të zgjidhet kjo në një shoqëri demokratike si Evropa. Por mendoj se Evropa dhe bota demokratike po bëjnë një gabim që një ditë mund të bëhet arsyeja e fundit të demokracisë: po pranojnë lirinë e arritjes (freedom of reach) si një zgjatim të lirisë së shprehjes.

Liria e arritjes nuk është liri e shprehjes. Liria e arritjes është ajo që diktaturat e kanë pasur armën e tyre më vdekjeprurëse kundër lirisë: aftësinë për të hyrë në mendjen e çdo njeriu dhe për të mbjellë “të vërtetën” e tyre, duke shtypur çdo të vërtetë tjetër.

Algoritmi nuk ka nevojë të shtypë me polici sekrete apo me gjyqtarë të kontrolluar. Algoritmi shtyp përmes mbytjes së zërave dhe përmes amplifikimit.

Ai amplifikon gënjeshtrat dhe mbyt të vërtetën. Çdo studim tregon se ajo që shpërblehet në rrjetet sociale janë gënjeshtrat. Ndërsa ajo që pranohet më pak është e vërteta.

Advertisement