Thinking ...
Connect with us

Politike

Rama: “Prapambetjet” e pagave për gjyqtarët shkojnë në 130.5 milionë euro

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj vendimit të Gjykatës Administrative lidhur me pagat e gjyqtarëve, duke e cilësuar vendimmarrjen si të pazakontë.

Në një postim në platformën “X”, Rama ka deklaruar se vendimi nuk parashikon vetëm rritjen me 51% të pagave të gjyqtarëve, por edhe pagesën e shumave të prapambetura që nga prilli i vitit 2023.

Sipas kryeministrit, nëse kjo kërkesë do të zbatohej, detyrimet për pagesat e prapambetura do të arrinin në rreth 130.5 milionë euro. Rama ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën dhe bazën ligjore të kësaj vendimmarrjeje.

Kryeministri ka argumentuar se gjyqtarët, sipas vendimit, do të përfitonin jo vetëm rritjen e re të pagave, por edhe diferencat për periudhën nga prilli 2023, duke kundërshtuar mënyrën e përcaktimit të këtyre përfitimeve.

Rama ka publikuar gjithashtu një tabelë, për të cilën thotë se tregon shumën që do të përfitonte secili gjyqtar në rast se do të ekzekutoheshin pagesat e prapambetura.

“Ndjesë për informimin e pjesshëm mbi kuturisjen e djeshme të Gjykatës Administrative, e cila përmes  sigurimit të parë të padisë në historinë botërore jo për të ndaluar një akt po për të kryer një akt, nuk kërkon vetëm rritjen e menjëhershme të pagave me 51% për gjykatësit, po edhe “të prapambeturat” që nga prilli 2023, sepse sipas tyre pagat duhet t’u ishin rritur që atëherë aq sa duan t’i rrisin vetë tani.

Gjeni në tabelën bashkëngjitur sa do të merrte çdo gjykatës personalisht në dorë nesër si shumë të prapambetur, sikur ministri i financave të shkelte ligjin dhe të shkonte pas berihajit të kësaj vendimmarrjeje ekstra-parlamentare”, shkruan Rama.

Advertisement