Connect with us

Politike

Rama reagon ndaj kritikave për protestën: ‘Mos e përfshini Shqipërinë në politikën tuaj dritëshkurtër’

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj kritikave për protestën e zhvilluar para Parlamentit, duke kundërshtuar pretendimet se pengimi i deputetëve për të hyrë në seancën plenare përbën një formë të “dissent”-it demokratik.

Përmes një reagimi në median sociale X, Rama i është drejtuar kritikëve duke i pyetur nëse konsiderojnë si “kundërshtim demokratik” bllokimin e deputetëve për të hyrë në Parlament.

Kryeministri tha se deputetët shqiptarë, si nga e majta ashtu edhe nga e djathta, janë detyruar të përballen me një “korridor” ofendimesh dhe dhune fizike për të arritur në vendin e tyre të punës.

Sipas Ramës, gjatë protestës ndaj deputetëve janë hedhur vezë dhe madje gurë, ndërsa ai e cilësoi të papranueshme që një sjellje e tillë të paraqitet si shprehje e kundërshtimit demokratik.

“A nuk keni turp të mbështesni një sjellje të tillë të neveritshme dhe ta shisni atë si kundërshtim demokratik?”, shkroi Rama.

“Një deputete, akademike dhe aktiviste për të drejtat e grave u sulmua”

Rama solli në vëmendje edhe rastin e një deputeteje (Iris Luarasi), të cilën e përshkroi si një anëtare të nderuar të Parlamentit, akademike të respektuar dhe mbështetëse të njohur të të drejtave të grave.

Sipas tij, deputetja është ofenduar dhe penguar teksa përpiqej të hynte në vendin e saj të punës.

Kryeministri tha se kjo nuk ishte as ngjarja më e rëndë me të cilën u përballën deputetët shqiptarë gjatë protestës.

Rama e sfidoi më tej kritikën duke pyetur nëse ka diçka për të thënë për këtë formë proteste, duke e vendosur debatin përballë asaj që ai e cilësoi si “fakte të pakëndshme”.

Ai ironizoi gjithashtu ata që, sipas tij, flasin për demokracinë nga distanca, ndërsa nuk marrin parasysh atë që ndodh në terren.

Rama: Shqipëria është një vend vërtet i lirë

Në reagimin e tij, kryeministri kërkoi që Shqipëria të mos përfshihet në debatet politike të të tjerëve.

“Jepini Shqipërisë një pushim dhe mos e tërhiqni Shqipërinë në këtë. Shqipëria është një vend vërtet i lirë dhe shumë më demokratik se politika juaj dritëshkurtër”, shkroi Rama.

Në përfundim, ai tha se Shqipëria nuk meriton të bëhet objekt i një debati politik ku, sipas tij, faktet zëvendësohen me angazhime të lira politike.

Reagimi i Ramës vjen pas protestës së zhvilluar para Parlamentit, ku pati përplasje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa disa persona u shoqëruan në komisariate.

Advertisement