✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Reforma zgjedhore në ngërç, socialistët zbusin tonet ndaj demokratëve

Një ditë pas ultimatumit të Taulant Ballës ndaj demokratëve për ligjin zgjedhor, bashkëkryetari socialist i Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, ka zbutur qëndrimin dhe u ka bërë thirrje palëve të rikthehen në dialog për të arritur një kompromis.

Në një prononcim për Top Channel, Gjiknuri pranoi se koha në dispozicion është e kufizuar dhe se arritja e një marrëveshjeje do të jetë e vështirë, por theksoi se socialistët mbeten të gatshëm për negociata. Ai kërkoi që të shqyrtohet paketa e propozimeve që do të paraqesin demokratët dhe mundësia e zbatimit të tyre.

Nxitimi për të përmbyllur reformën lidhet edhe me zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Ndryshimet në hartën territoriale kërkojnë ndërhyrje në Kodin Zgjedhor, veçanërisht për mënyrën e shpërndarjes së mandateve të këshilltarëve bashkiakë. Mungesa e rregullimeve ligjore mund të krijojë paqartësi për organizimin dhe legjitimitetin e procesit zgjedhor.

Ndërkohë, ndërsa reforma ka mbetur pezull, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar ndryshimin e sistemit zgjedhor. Nga ana tjetër, socialistët kanë paraqitur si kundërofertë një reformë kushtetuese, që parashikon edhe uljen e numrit të deputetëve në Kuvend.

Gjiknuri këmbënguli se PS mbetet te varianti i ndryshimeve kushtetuese dhe se një marrëveshje kërkon lëshime nga të dyja palët. Sipas tij, kompromisi nuk mund të nënkuptojë që njëra palë të heqë dorë nga avantazhi i saj elektoral.

Afati për arritjen e një marrëveshjeje është 30 nëntori, kur përfundon mandati i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Deri atëherë, palët duhet të përcaktojnë nëse do të arrijnë një konsensus për ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor.

Advertisement