Politike
Revolucioni flamingo/ Ish deputeti i PD alarmon: Bojkoti do e çojë Berishën në eleminim fizik
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Edmond Spaho, ka komentuar protestën e cila tashmë prej 44 ditësh zhvillohet në Tiranë, si edhe përfshirjen e PD në të.
Sipas Spahos, protesta ka arritur në pikën e nostalgjisë për të shkuarën, dhe nuk ka më efektivitet për të sjellë ndryshim.
“Protesta ka arritur te pika e nostalgjisë për të shkuarën. Filloi i një protestë e fuqishme, por sot po jep shpirt. Opinioni është i qartë që me një protestë të dimensioneve të tilla, asgjë nuk ndryshon”, tha ai për ReportTv.
Ai po ashtu e ka konsideruar strategjinë e bojkotit nga PD si një metodë e tyre për t’iu shmangur përgjegjësisë dhe detyrës.
“Është në natyrën e PD që kur nuk ka mjete të tjera për të qenë prezent në politikë, kur nuk ka aftësi të përballet me sfidat, zgjedh rrugën e bojkotit. Më habit paaftësia për të mos mësuar nga e shkuara. Nuk di nëse ka një forcë politike në Ballkanin Perëndimor që të jetë djegur kaq shumë nga bojkoti. Vazhdon me kokëfortësi në të njëjtën rrugë. Kjo është arma strategjike e Sali Berishës, nuk di tjetër. PD po vrapon drejt eliminimit të saj fizik. Edi Ramën e mban në pushtet PD dhe Berisha. Se janë mësuar komod me këtë situatë. U pëlqen të qëndrojnë në opozitë. Edhe pas 14 vitesh që kemi dalë në opozitë, nuk shoh asnjë lëvizje serioze në këtë parti që të reformohet, të ndryshojë, të jetë aktive në terren dhe të krijojnë kushte që në zgjedhjet e ardhshme të fitojë”, tha Spaho. Teksa më tej shtoi se demokratëve iu nevojitet një reformim i thellë për largimin e figurave të vjetra.