Connect with us

Politike

RIKTHEHEN NE BRUKSEL BISEDIMET PER SHQIPERINE

Procesi i vlerësimit të progresit të Shqipërisë në negociatat me Bashkimin Evropian hyn sërish në fokus të diskutimeve këtë javë në Bruksel, ndërsa shtetet anëtare vijojnë harmonizimin e qëndrimeve të tyre mbi ecurinë e vendit.
Sipas një dokumenti zyrtar të Këshillit të Bashkimit Evropian, Grupi i Punës për Zgjerimin dhe Vendet që negociojnë anëtarësimin në BE do të zhvillojë sërish më 12 maj një “shkëmbim pikëpamjesh” mbi draft-pozicionin e përbashkët të përkohshëm për Shqipërinë.
Çështja është përfshirë në agjendën zyrtare të mbledhjes së grupit të punës në Bruksel, ku pika e dytë e diskutimit i kushtohet Shqipërisë dhe draft-pozicionit të përbashkët të BE-së.
Drafti bazohet në Raportin e Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve (IBAR), dokumenti përmes të cilit Komisioni Evropian vlerëson progresin e Shqipërisë në Grupkapitullin 1, “Themeloret”.
Fakti që diskutimet po zhvillohen në nivel politik mes shteteve anëtare konsiderohet tregues se procesi ka kaluar fazën thjesht teknike dhe ka hyrë në një etapë më të ndjeshme politike, ku vendet e BE-së po koordinojnë qëndrimet e tyre mbi progresin e Shqipërisë.
Megjithatë, formulimi “shkëmbim pikëpamjesh” tregon se ende nuk ekziston një konsensus i plotë mes vendeve anëtare dhe se procesi nuk ka hyrë ende në fazën e vendimmarrjes përfundimtare.
Burime evropiane me dijeni për zhvillimet kanë bërë të ditur më parë se dinamika e diskutimeve është pjesë normale e procedurave të Bashkimit Evropian, ku çdo hap kërkon dakordësi të plotë mes të gjitha vendeve anëtare.
“Nuk ka asgjë të re për t’u ndarë: diskutimet në grupin e punës vijojnë. Raundi i radhës është planifikuar dhe të tjerë mund të pasojnë, por kjo është krejtësisht normale në ritmin e zakonshëm të punës së COELA-s”, tha më herët një zyrtar evropian
Sipas të njëjtave burime, edhe periudhat pa zhvillime të dukshme janë pjesë e zakonshme e procesit, pasi grupi i punës trajton paralelisht të gjitha vendet kandidate dhe jo vetëm Shqipërinë.
Shqyrtimi i IBAR-it për Grupkapitullin “Themeloret” konsiderohet një nga fazat më të rëndësishme dhe më të ndjeshme të procesit të negociatave, pasi lidhet me fusha kyçe si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit – veçanërisht në nivelet e larta – liria e medias dhe funksionimi i institucioneve të drejtësisë.
Këto mbeten edhe elementët që kërkojnë vlerësim më të thelluar dhe konsensus më të gjerë politik mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Advertisement