Connect with us

Aktualitet

Rrëfimi i babait të tri vajzave nga Kukësi, që i vrau e ëma: Kush e mendonte se nuk ishin të sigurta me nënën e tyre

Dhjetë vjet janë shumë, por për Bashkim Dobrushin, 55 vjeç, koha ndaloi në atë ditë të tmerrshme kur ish-bashkëshortja e tij Edlira vrau tre vajzat e tij, Simonën, 13 vjeçe; Keisin, 10 vjeçe dhe Sidny, vetëm 3 vjeçe, në atë që është përcaktuar si masakra e Chiuso, një plagë ende e hapur në komunitetin Lecco.

Një masakër e tmerrshme – e cila ndodhi natën mes 8 dhe 9 marsit 2014 në një ndërtesë në Bergamo – ngjarje që tronditi jo vetëm komunitetin e vogël të Chiuso, ku familja dhe tre vajzat njiheshin mirë, por edhe qytetin dhe gjithë vendin.

Bashkimi, i cili tani është rimartuar dhe është baba i një djali 6 vjeçar, u largua të shtunën e kaluar nga Italia në orën 17:00 për në Kukës, qytetin e tij të origjinës, për përvjetorin. Atje ai do të falet te varri i vajzave të tij me rreth gjashtëdhjetë të afërm dhe miq. 55-vjeçari i varrosi vajzat pranë njëra-tjetrës dhe më pas ndërtoi një lapidar ku ato shfaqen së bashku.

Nëse ish-gruaja ime donte të më lëndonte, mund të më vriste mua – thotë Bashkimi me lot në sy në një rrëfim për Il Giornale – mund ta kishte bërë ndërsa unë isha duke fjetur; disa vite më parë në Shqipëri ka ndodhur që një grua të vrasë burrin e saj në gjumë. Por vajzat e mia jo. Nuk ka falje për këtë”.

“Ne kishim një muaj të ndarë, kisha shkuar të jetoja me vëllain tim. Ishte ajo që e mori këtë vendim.

Nuk u morëm vesh më. I thashë që e rëndësishme është që vajzat të mos vuajnë. Unë shkova tek ata për t’u përshëndetur më 7 mars, të nesërmen u nisa për në Shqipëri ku duhej të ndaloja për një javë.

Ata nuk mund të vinin me mua, sepse kishin shkollë. Nuk do ta kisha menduar kurrë se kjo ishte hera e fundit që do t’i shihja. Kurrë! Jetojmë në një botë të vështirë, por kush do të mendonte se fëmijët nuk janë të sigurt me nënën e tyre?

Një grua që i mbajti në bark për nëntë muaj, që kujdesej për ta… Mendoni vetëm për këtë: cilat janë kafshët më të rrezikshme në natyrë? Janë ato mbrojnë këlyshët e tyre. Nuk ishte kështu për vajzat e mia”.

Kur e mësuat se çfarë kishte ndodhur?

“U nisa më 8 mars, një udhëtim me makinë për në Bari dhe më pas mora tragetin prej andej. Dhjetë orë në total. Sapo mbërrita, u prita nga vëllezërit e mi. Askush nuk më tha asgjë. Kur hyra në shtëpi doja të ndizja televizorin, por më thanë se ishte i prishur, sepse lajmet italiane dhe shqiptare flisnin prej orësh për atë që kishte ndodhur. Vëllai më lejoi të bëja dush, pastaj më tha: “Bashkim, duhet të kthehemi në Itali, gruaja jote tentoi të helmonte vajzat, tani janë në spital”.

Kështu që ne nxituam në agjenci për të marrë një biletë avioni. Më pas fluturimi, në udhëtim jetoja me shpresën për t’i gjetur të gjallë, me mendimin që Zoti t’i mbronte. Por ata nuk ishin më aty. Nën shtëpinë e vëllait tim, në Chiuso, pashë një turmë të madhe; pastaj në atë moment më thanë: “Bashkim kanë vdekur, duhet të marrësh guxim, ajo i ka goditur me thikë gjatë natës”.
Dhe bota ime u shpërbë”.

Pastaj varrimi. Pse vendosët t’i varrosni në Shqipëri?

“Kryetari i bashkisë, Virginio Brivio, më pyeti nëse doja t’i varrosja në Lecco, por unë zgjodha t’i çoja në varrezat e Kukësit, ku janë prindërit, vëllai dhe disa nipër. Kështu që ata nuk do të jenë vetëm. At Angelo Cupini erdhi për t’u lutur në varrin e tyre dy herë; ne jemi muslimanë, por kjo nuk ka pasur kurrë pengesa për ne”.

Ju jetoni prej 24 vitesh në Itali, planifikoni të qëndroni në Lecco apo do të ktheheni në Shqipëri?

“Kam marrë nënshtetësinë italiane më 3 prill 2018 (ditëlindja e Simonës) dhe dy ditë më vonë lindi fëmija im. Vitin e kaluar e mori edhe gruaja ime. Blemë edhe një shtëpi në Maggianico, do të vazhdojmë të jetojmë në Itali ku kam shumë miq. Falë dashurisë së të afërmve të mi dhe të gjithë qytetit i mbijetova masakrës, edhe pse dhimbja më shoqëron çdo ditë të jetës sime”.

Baskimi na tregon celularin, ka shumë foto të djalit të tij, por edhe të Simonës, Keisy-t dhe Sidny-t, shumë momente familjare, ku vajzat buzëqeshin dhe përqafojnë babanë e tyre.

“Thonë se femrat janë më afër baballarëve, meshkujt me nënave të tyre, mendoj se kjo është e vërtetë. Simona ishte si nënë me motrat e saj; një grua e vogël, edhe mësuesit e saj më thanë kështu. Ajo do të duhej të vendoste se cilën shkollë do të ndiqte, nuk e dinte ende, i pëlqente volejbolli. Po të ishte këtu sot do të ishte 23 vjeçe. Kush e di, ndoshta do të kisha qenë gjysh. Keisy ndoqi një shkollë kërcimi, ishte në shkollën fillore. Ajo gjithashtu doli mirë në shkollë, ishte më e egër. Dhe pastaj Sidny, e vogla, kur mbërrita nga puna ajo vrapoi drejt meje dhe më përqafoi.”

Pas asaj që ndodhi, e keni takuar ndonjëherë ish-bashkëshorten tuaj?

“Asnjëherë. Mësova nga ju në Il Giornale se pas pesë vjetësh i ishte besuar një komuniteti. Nuk më intereson nëse është në ferr apo në parajsë, sepse dhimbja ime nuk do të ndryshojë kurrë.”

Pas masakrës në Chiuso, ju rindërtuat jetën tuaj. Jeni i lumtur sot?

“Është një pyetje e vështirë për t’u përgjigjur. Djali im dhe gruaja ime janë gëzimi im dhe meritojnë dashurinë, vëmendjen dhe konsideratën time. Sigurisht, në zemër ka gjithmonë atë ankth të tmerrshëm që nuk largohet. Ka ditë kur ndihem i brishtë. Dhjetë vjet janë një kohë e gjatë dhe megjithatë ata janë gjithmonë pranë meje. Ndonjëherë unë shikoj lart dhe më djket sikur ata janë aty… pranë meje.

Aktualitet

Banesat e dy personazheve të ekranit u kontrolluan nga SPAK, hetuesit janë llahtarisur nga ato që kanë parë

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço tregoi se së fundmi janë kontrolluar nga SPAK banesat e dy personazheve të ekranit, ku i janë sekuestruar telefona dhe pajisje të tjera komunikimi.

Karamuço tha i ftuar mbrëmjen e djeshme në “Top Story” se disa politikanë të lartë janë nën hetim për transaksionet dhe pasuritë që ata zotërojnë.

Karamuço: Meqë jemi tek korrupsioni, aktualisht është duke u zhvilluar një kontroll i madh në disa banesa në Tiranë nga ana e SPAK-ut.

Dy prej tyre i përkasin njerëzve që ne i njohim në ekranet tona. Njërit prej tyre dje në njërën prej shtëpive i janë bllokuar celularë dhe pajisje të tjera të komunikimit.

Grida Duma: Si i njohim në ekranet tona, në çfarë kuptimi?

Karamuço: Janë njerëz të ekranit që dyshohet se janë të lidhur me politikanë shumë të lartë të vendit dhe mendohet që mund të jenë bërë bashkëpunëtorë për pastrimin e produkteve të veprave penale.

Ndërkohë është edhe një grua e moshuar e cila po hetohet si latifondistja më e madhe e rrethinave të Tiranës mbas Toptanësve, por e viteve të fundit që ka toka pafund deri në Rinas.

Grida Duma: Për çfarë hetohet?

Karamuço: Për pastrim të produkteve të veprës penale edhe ajo, transaksione dhe asete në emrin e saj.

Grida Duma: Kur shfaqet për publikun kjo e dhënë se cilët po hetohen me emra?

Karamuço: Janë politikanë të lartë që tani po hetohen dhe janë në fazën e fundit të asaj që ne i themi hinka për të dalë në konkluzione. Vijnë pafund kartela pasurie që shikohen transaksione të reja dhe është një çmenduri.

Ata aty janë llahtarisur nga gjërat që po ju vijnë në burime të ndryshme, nga institucionet shqiptare, lidhur me pasuritë se si janë ngurtësuar, transferuar dhe pastaj janë munduar të fshihen gjurmët.

Continue Reading

Aktualitet

Strategjia e përbashkët e Veliajt me kryeministrin është një kurth për opozitën

Analisti Lorenc Vangjeli sheh Erion Veliaj si fitues në sytë e Opinionit public në përballjen e tij me Berishën dhe Metën. Duke folur në emisionin “Opinion”, Vangjeli tha se strategjia e Veliajt është një kurth i përbashkët mes kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë, për ta tërhequr kundërshtarin e tyre politik dhe atje ku ata zakonisht fitojnë.

“Qëllimi i zotit Veliaj ishte befasues. Nisur nga ajo që pamë ai ka bërë atë që duhej për mbështetësit e tij dhe për të nisur luftën politike nga dyert e SPAK. Strategjia e tij është një kurth i përbashkët mes kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë, për ta tërhequr kundërshtarin e tyre politik dhe atje ku ata zakonisht fitojnë. I gjithë thelbi i kësaj strategjie qëndron tek e bëra e kontrastit mes gjuhës së Berishës dhe Metës për SPAK dhe gjuhës së Veliajt duke i quajtur kolegë dhe bashkëpunues. Duke i thënë publikut atë që do të dëgjojë, Erion Veliaj fiton betejën me publikun…. Të gjithë ata që ai sulmon, përfshi edhe kolegët tanë, njerëzit do thoshin – “He mo se edhe këta njësoj janë”. Dhe kjo është një gjetje inteligjente. Ka zgjedhur që në këtë mënyrë të bëjë numrin 2 të PS dhe të bëjë gardhin e mbrojtjes për PS dhe për Edi Ramën”, deklaroi Vangjeli.

 

Continue Reading

Aktualitet

Kronikë e një arrestimi të paralajmëruar

Nga Lutfi Dervishi

Në ditën kur supozohej ta arrestonin, ai u zgjua në orën 5:30 të mëngjesit dhe bëri një vrap të lehtë në të njëjtën shteg të parkut të liqenit ku kishte nisur prej javësh ushtrimet fizike, veçse atë ditë ajri dukej më i ngarkuar, a thua se ishte mbushur me pëshpëritje e thashetheme për një ngarje të madhe që pritej të ndodhte.

Për javë e muaj me radhë, që nga gushti i vitit të shkuar, kryeqyteti nuk ishte bllokuar nga trafiku, por nga parashikimet e analistëve, gazetarëve dhe komentatorëve politikë, të cilët paralajmëronin me një siguri profetike dhe kënaqësi që nuk e fshihnin dot se Ai, një politikan jo pa ndikim, do të arrestohej së shpejti.

Një tufë të ftuarish dhe tuafësh televizivë nën regjinë e moderatorëve gjithnjë të habitur, flisnin sikur të kishin qenë prapa kurrizit të gjykatësit që kishte firmosur urdhërin e arrestit. Detajet shkonin deri aty sa jepej jo vetëm ora, dhe vendi, por edhe se si do të ndodhte arrestimi.

Kafetë, që zakonisht gumëzhinin nga zhurma e ekspresit ishin shndërruar në falltore. Kokat e klientëve lëviznin sa nga filxhanet e kafeve te ekranet e mëdhenj duke, pritur me stoicizëm rënien e njeriut që kishte ecur në korridoret e pushtetit për 30 vjet me lehtësinë e dikujt që besonte se ishte i paprekshëm. “Durim a derëzi. Është vetëm çështje kohe,” “Akuzat mund të jenë të dobta, por provat janë shumë të forta”..

Gazetat, që në këtë vend historikisht kanë thënë vetëm të vërtetën, edhe të shtunen dolën me tituj të mëdhenj për arrestimin. Drejtuesit e emisioneve të mengjesit lexonin titujt si skenat përfundimtare të një drame politike që pritej të ndodhte orë e çast. Titujt që lexoheshin nga televizionet në mëngjes i referoheshin bisedave të darkës në ekran ku shkëlqenin fytyrat serioze të analistëve që analizonin çdo lëvizje të kaluar të Atij si të ishte një gjurmë që zberthente enigmën që do të çonte në fundin e tij të pashmangshëm.

Por në rrugë, jeta vazhdonte me ritmin e saj të zakonshëm. Leku, monedha vendase kishte shtrirë përtokë dhe po i merrte frymën euros dhe dollarit. 30 mijë profesionistë të lirë po lexonin faturat e Tatimeve per fitimin e 2024. Paradhenie! Qeveria vijonte me numërimin e turisteve që vinin nga vendet e BE-se, ndërsa Eurostat numëronte shqiptarët që kërkonin azil në BE!

Dita zgjatej çdo ditë me minuta në kurriz të natës, ndërsa entuziazmi i mëngjesit zbehej nën peshën e diellit të pasdites. Por me rënien muzgut, rritej siguria e babavangave të banaqeve televizive.

Ndërkohë ai e mbylli ditën e ngjeshur me aktivitete fizike dhe postime në Facebook. Në orët e vona u pa në një kafe në qendër të Tiranës, duke qeshur me zë të lartë mbi një filxhan makiato. Njerëzit rreth e rrotull kishin porositur kafe turke, në një përpjekje për të lexuar fatin e tij.

Mbrëmja erdhi dhe shkoi, dhe asnjë sirenë nuk u dëgjua, përveç sirenave të ambulancave që pas djegies së urgjencës silleshin të çoroditura sa nga një spital në tjetrin. Drama nuk ndodhi.

Gazetarët e kronikës që prisnin me minuta ngjarjen e madhe befas u qetësuan si pëllumbat që çukisnin copa buke në sheshin e para Universitetit. Diçka nuk shkonte mire me burimet. Spektakli i pritur nuk ndodhi.

Ndërsa nata zbriti mbi Tiranë, një erë e freskët fëshfërinte përmes rrugëve, ndoshta si një ndjesë për stuhinë që kurrë nuk erdhi. Analistët nga istikamet e tyre në ekran i bënë thirrjen e radhës prokurorisë të mos luante me parashikimet e tyre, ndryshe do të përballeshin me zemërimin popullor.

Po afroheshin Pashkët dhe vendi (bashkë me njerëzit) e meritonte një shi (dush) të mirë.

Continue Reading

Aktualitet

Rënia e euros/ Këmbehet me 100 lekë, goditja më e madhe që nga korriku i vitit të kaluar

Që nga data 23 prill, 1 euro po këmbehet mesatarisht në nivelin e 100 lekëve. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se monedha evropiane është në pikën më të ulët në historikun e këmbimit që nga korriku i vitit të kaluar, atëherë kur ishte edhe piku i sezonit turistik.

Në atë periudhë Banka e Shqipërisë vendosi të ndërhyjë në treg duke rritur kufirin e blerjes së eurove si pjesë e operacioneve për të mbushur rezervat e saj valutore. Kjo solli menjëherë vlerësimin e së monedhës evropiane.

Por, pavarësisht faktit se Banka e Shqipërisë vendosi sërish ta mbajë të lartë kufirin e blerjes së monedhës evropiane gjatë këtij viti në 250 – 330 milionë euro, monedha kombëtare po shkon drejt thyerjes së barrierës psikologjike, ku 100 lek do të kushtojnë më shumë se 1 euro. Kjo po ndodh prej kohësh me dollarin, që vijon uljen në mënyrë të ndjeshme, aktualisht duke u këmbyer me 0.93 lek.

Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se leku i fortë ka ndihmuar në stabilizimin e inflacionit dhe çmimeve, duke marrë parasysh se dollari ndikon drejtpërdrejt tek çmimi i naftës dhe lëndëve të tjera të para, ndërsa euro tek importi i mallrave.

Në raportin e stabiliteti financiar për gjashtëmujorin e dytë Banka e Shqipërisë pranon se mbiçmimi i lekut është në përputhje të plotë me rritjen e konsiderueshme të prurjeve valutore nga turistët, ndërsa për herë të parë gjatë vitit të kaluar deficiti i llogarisë korrente ishte pozitiv; kjo do të thotë se më shumë euro mbetën në vend se dolën.

Ndërsa kjo po vijon edhe në tremujorin e parë të këtij viti ku më shumë se 1.5 milion turistë kanë ardhur në vend, me sezonalitetin e turizmi të shtrirë gjatë gjithë vitit.

Continue Reading

Aktualitet

VIDEO/ Mbetën të bllokuar në det, shpëtohen 11 turistë në Vlorë

Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare kanë shpëtuar 12 shtetas, nga të cilët 11 turistë nga vende të ndryshme, të cilëve ju rrezikohej jeta në mjetin lundrues që kishte pësuar defekt në det.

Pronari i mjetit lundrues u ndëshkua me masë administrative 100 000 lekë, ndërsa mjeti lundrues i tij u bllokua, pasi nuk ishte i pajisur me Çertifikatën e Operatorit Turistik Detar.

Njoftimi i Policisë së Vlorës:

Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare shpëtojnë 12 shtetas, nga të cilët 11 turistë nga vende të ndryshme, të cilëve ju rrezikohej jeta në mjetin lundrues që kishte pësuar defekt në det.

Pronari i mjetit lundrues u ndëshkua me masë administrative 100 000 lekë, ndërsa mjeti lundrues i tij u bllokua, pasi nuk ishte i pajisur me Certifikatën e Operatorit Turistik Detar.

Shtetasi E. L., 30 vjeç, banues në Vlorë, ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi përballë porit të Vlorës, mjeti i tij lundrues, kishte pësuar defekt në motor.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING