Bota
Sekonda nga tragjedia, 44-vjeçarja mbijeton pas përplasjes në ajër me avionin
“Nuk mund ta besoj që jam ende gjallë”
Një nga përplasjet ajrore më tronditëse të viteve të fundit është regjistruar në Austri, në Alpet austriake, ku një avion i vogël tip Cessna u përplas në ajër me një paraglider, duke e kthyer një fluturim rekreativ në një makth që zgjati vetëm pak sekonda.
Ngjarja ndodhi të shtunën, më 23 maj, në zonën Zell am See, pranë malit Schmittenhöhe, një nga destinacionet më të njohura për paragliding në Austri. Sportistja 44-vjeçare, e identifikuar vetëm si Sabrina, po fluturonte mbi zonën malore kur një avion i vogël me një motor u shfaq papritur pas saj dhe shqeu parashutën e saj në ajër.
Pamjet e regjistruara nga kamera që mbante me vete tregojnë momentin e përplasjes. Avioni kaloi vetëm pak metra larg trupit të saj, ndërsa helika dhe krahu i avionit copëtuan pëlhurën e paragliderit, duke e lënë atë të rrotullohej në mënyrë të pakontrolluar në ajër.
Sabrina dëgjohet duke bërtitur teksa përpiqet të zhbllokojë litarët dhe të aktivizojë parashutën rezervë të sigurisë. Për disa sekonda ajo ra në rënie të lirë, ndërsa pajisja e dëmtuar rrotullohej rreth saj. Sipas mediave ndërkombëtare, përvoja dhe gjakftohtësia e saj rezultuan vendimtare, pasi arriti të hapte parashutën rezervë pak çaste para përplasjes me tokën.
Parashuta rezervë u hap në momentin e fundit, duke ngadalësuar zbritjen e saj. Ajo u ul në një rrugë pyjore pranë Piesendorf-it me vetëm mavijosje dhe lëndime të lehta, diçka që ekipet e shpëtimit e cilësuan si “mrekulli”.
Pak më vonë, një helikopter i policisë austriake e transportoi drejt aeroportit të Zell am See për kontrolle mjekësore.
Avioni, i cili sipas mediave austriake dhe ndërkombëtare kryente një fluturim panoramik mbi Alpe, u ul gjithashtu në siguri në aeroportin e zonës.
Piloti 28-vjeçar nga Tirol deklaroi para autoriteteve se nuk kishte mundësi ta shmangte përplasjen pasi vuri re paragliderin vetëm në momentet e fundit.
Incidenti ka hapur debat në komunitetin e pilotëve dhe sportistëve të paragliding-ut lidhur me sigurinë në hapësirën ajrore të Alpeve. Në forume dhe komunitete pilotësh në Reddit, disa profesionistë theksojnë se paragliderët janë shumë të vështirë për t’u dalluar nga avionët, veçanërisht kur afrohen nga pas ose përballë. Të tjerë argumentojnë se në atë zonë fluturojnë shpesh dhjetëra paragliderë dhe pilotët e avionëve të vegjël duhet të tregojnë kujdes të shtuar.
Autoritetet austriake kanë nisur një hetim zyrtar për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit. Sipas raportimeve, çështja mund t’i kalojë prokurorisë së Salzburgut, ndërsa po shqyrtohet nëse ka përgjegjësi penale për “rrezikim të sigurisë fizike”, vepër që në Austri mund të dënohet edhe me burg.