✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

SHISH NË QENDËR TË STUHISË/ REXHAJ: SULM NDAJ STABILITETIT TE SHTETIT

Çështja e ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, duhet të trajtohet me një nivel maksimal serioziteti, pasi në qendër është një prej institucioneve kryesore të sigurisë së shtetit.

Kështu u shpreh analisti Albatros Rexhaj pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për masën “arrest në shtëpi” ndaj Hysenit, e cila akuzohet për nxjerrje të të dhënave sekrete dhe përkrahje të autorit të krimit.

Rexhaj tha se mbrojtja e institucioneve shtetërore duhet të jetë mbi çdo interes tjetër.

“Ne jemi duke folur për SHISH dhe nuk jemi duke folur për kooperativën e një fshati. SHISH është një nga hallkat kryesore të shtetit”, deklaroi ai.

Analisti kritikoi edhe mënyrën se si janë formuluar akuzat, duke argumentuar se, nëse provohet se janë dhënë informacione sekrete, sipas tij çështja do të duhej të trajtohej në një kuadër tjetër penal.

“Nëse i ka dhënë sekretet shtetërore, ajo duhet të akuzohet për veprat e tradhtisë”, tha Rexhaj.

Ai u ndal edhe te momenti kur u bë publike masa e sigurisë ndaj Hysenit. Sipas Rexhajt, fakti që ish-drejtuesja e SHISH ndodhej në Baku, në një takim ku merrnin pjesë përfaqësues të shërbimeve të inteligjencës nga rreth 80 vende, e bën edhe më të ndjeshme situatën.

Rexhaj argumentoi se zhvillimi i kësaj çështjeje në atë moment mund të ketë pasoja për imazhin dhe interesat e shtetit shqiptar.

“Përfitojnë armiqtë e Shqipërisë më së shumti. Shteti ka pësuar një dëm shumë të madh… Ky është sulm ndaj stabilitetit të Shqipërisë”, deklaroi ai.

Vlerësimet e analistit vijnë ndërsa çështja penale ndaj Vlora Hysenit vijon në Gjykatën e Posaçme dhe organet e drejtësisë pritet të përcaktojnë përgjegjësinë ligjore mbi bazën e provave të administruara në dosje.

Advertisement