Ekonomi
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut diskutojnë për lidhjen hekurudhore/ Lehtësi për biznesin dhe lëvizjen e qytetarëve.
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli dhe homologu i tij në Maqedoninë e Veriut, Bekim Rexhepi, diskutuan për lidhjen hekurudhore ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut përmes ndërtimit të pjesës perëndimore të Korridorit 8.
Në këtë takim palët shprehën gatishmërinë e tyre për një lidhje hekurudhore mes dy vendeve, duke e cilësuar këtë si një projekt të rëndësishëm si për biznesin ashtu edhe për lëvizjen e qytetarëve.
Linja hekurudhore që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut, pjesë e Korridorit 8 është prioritet i Qeverisë shqiptare.
Lidhja hekurudhore do të mundësojë përfitime ekonomike për dy shtetet, pasi Shqipërisë i krijohet mundësia për tu lidhur me linjë hekurudhore me Bullgarinë, ndërsa Maqedonia e Veriut do ketë mundësi të lidhet me portin e Durrësit, çka do të lehtësojë transportin e mallrave në këtë port.