Connect with us

Aktualitet

Shqipëria në flakë/ 22 vatra zjarri, 12 ende aktive, beteja për shuarjen vazhdon

12 vatra zjarri mbeten aktive në vend, ndërsa qindra forca po vijojnë operacionet në terren për të vënë flakët nën kontroll. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) bën të ditur se gjatë ditës së sotme janë raportuar gjithsej 22 vatra, prej të cilave 12 aktive, 9 nën mbikëqyrje dhe një e shuar.

Operacionet kanë angazhuar 498 forca vendore dhe lokale, si dhe 314 efektivë të Forcave të Armatosura. Strukturat në terren po përdorin mjete zjarrfikëse dhe mbështetëse, autoambulanca dhe dronë, ndërsa nga ajri janë zhvilluar katër operacione me helikopterë.

Një nga vatrat aktive ndodhet në Malin e Dajtit, në Tiranë, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me pyll ahu dhe shkurre. Në operacion marrin pjesë zjarrfikës, forca të ADM-së dhe të Forcave të Armatosura, ndërsa ndërhyrja mbështetet edhe nga një helikopter. Autoritetet bëjnë të ditur se zonat e banuara nuk janë në rrezik. Zjarri në Kryezi të Kavajës është shuar, ndërsa vatra në Malin e Bërzhitës është izoluar dhe po monitorohet.

Situata mbetet aktive edhe në Dibër, ku forcat po punojnë në Vajkal të Bulqizës, Lundre–Madhesh në Mat, Qafën e Helmes në Bulqizë dhe Cerrujë–Mali i Allushit në Klos. Sipas autoriteteve, flakët nuk rrezikojnë zonat e banuara.

Në Lezhë, zjarret vijojnë në Gallatë të Kurbinit dhe në zonën Kalivaç–Zimaj–Kashnjet. Operacioni në këtë të fundit ka mobilizuar 100 forca vendore, pyjore dhe vullnetare, së bashku me 124 efektivë të Forcave të Armatosura, 16 mjete, dy autoambulanca dhe një helikopter. Nuk raportohen banesa të rrezikuara.

Në Shkodër, vatra në Mnelë të Vogël të Vau-Dejës mbetet aktive dhe operacioni po mbështetet me forca të ushtrisë, mjete zjarrfikëse, autobot dhe helikopter. Forcat vijojnë punën edhe në Bardhaj–Myselim, ndërsa vatrat mbi Ludric dhe Shopel në Fushë-Arrëz dhe në Bërdicë janë nën mbikëqyrje. Në Malin e Tërbunit, në Pukë, flakët vijojnë në një zonë me pyll pishe.

Në jug të vendit, zjarri në Qesarat të Finiqit vijon aktiv në një sipërfaqe me shkurre dhe është ndërhyrë edhe nga ajri me helikopter. Vatra në Bolenë të Himarës mbahet nën mbikëqyrje.

Ndërkohë, në Fier, vatrat në Peshtan dhe Çërrilë po monitorohen për të parandaluar riaktivizimin. Në Kukës, nën mbikëqyrje mbetet zjarri në Mamëz të njësisë administrative Kolsh, ndërsa në Durrës, vatra në Halil të Krujës është izoluar dhe shuar.

AKMC bën të ditur se po monitoron situatën në të gjithë territorin në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile. Forcat mbeten në gatishmëri për ndërhyrje, ndërsa prioritet mbetet mbrojtja e jetës, banesave dhe pronës së qytetarëve.

Advertisement