Connect with us

Politike

Shqipëria porta europiane e gazit? Rama pohon nga Greqia: Miqtë amerikanë janë të interesuar

Kryeministri Edi Rama nga Forumi Ekonomik i Delfit pati një bisedë me Alexis Papahelas, kryeredaktor i gazetës Kathimerini. Rama foli për disa tema të marrëdhënieve dypalëshe me Greqinë, por edhe për zhvillimet ndërkombëtare.

I pyetur se a synon Shqipëria të bëhet një portë hyrëse për gazin në Europë, Rama tha: “Ne kemi shansin për ta patur këtë gjë, miqtë tanë amerikanë janë të interesuar dhe ndihmues për këtë gjë. Jemi shumë të lumtur që po bashkëpunojmë për energjinë që prej disa kohësh edhe me Greqinë.” Çështja e gazit vjen në vëmendje pas një takimi të kryeministrit Edi Rama me ambasadoren amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle gjatë muajit mars në Tiranë.

Alexis Papahelas: Dua të flas për energjinë. A do të bëhet Shqipëria një pikë hyrëse për gazin, për Evropën. A ka ndonjë diskutim të tillë?

Kryeministri Edi Rama: Tani, nuk i kërkova leje ambasadorit të SHBA-së këtu për të dhënë asnjë informacion, por mund të flas pa lejen e grekëve, pa lejen e europianëve, por nuk flas dot pa lejen e amerikanëve, sepse mund të bëhen shumë të këqij.

Alexis Papahelas: Ndoshta është e anasjellta.

Kryeministri Edi Rama:  Po, po. Ka një lloj konspiracioni për ta bërë Shqipërinë. Në fakt më pëlqen shumë, shumë kur të gjithë në rajon thonë duam të jemi qendra e kësaj, qendra e asaj dhe në fakt aty pa asnjë mendje është ideja për t’i ‘’gëlltitur’’ të gjithë, por jo. Ne nuk duam t’i gëlltisim të gjithë. Ne kemi shansin për ta pasur këtë gjë dhe miqtë tanë amerikanë janë të interesuar, janë mjaft ndihmues dhe nga ana tjetër jemi shumë të lumtur që jemi angazhuar në një bashkëbisedim të mirëfilltë me Greqinë, për çështjet e energjisë që është prej disa kohësh.

Kryeministri Edi Rama i jep garanci Athinës zyrtare se çështja e pronave të pakicës greke në Shqipëri po trajtohet me një vëmendje të veçantë. Gjatë punimeve të forumit ekonomik të Delfit në Greqi, kreu i qeverisë u kujdes të theksonte se minoriteti grek po trajtohet me të njëjtin standard para ligjit dhe pa asnjë diskriminim.

“Askush nuk mund të provojë të kundërtën e asaj që po ju them, se problemi me pronën, edhe në zonat ku ka qytetarë etnikë grekë, nuk është aspak ndryshe nga problemet që kanë qytetarët etnikë shqiptarë, në të njëjtën zonë apo kudo tjetër. Për shkak se kemi një nivel mjaft të rëndësishëm të kuptuari e respekti për pakicën greke, që është një thesar kulturor, ne ju kemi kushtuar vëmendje të posaçme. Këtu dua të përgëzoj Mitsotakis, që ka qenë vërtet këmbëngulës për këtë”, tha Rama.

Rama e pranon se “çështja Beleri” krisi marrëdhëniet me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, dhe thotë se rasti i Belerit është vetëm një nga shumë kryetarë bashkish të arrestuar, pa asnjë lidhje me origjinën e tij greke.

 

Advertisement