Politike
Shteti ka rënë/ Blushi-Ramës: SHISH dhe Policia në duart e Gysit, Mbrojtja te Roni
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se strukturat kryesore të sigurisë dhe mbrojtjes janë vendosur nën ndikimin e personave të lidhur me interesa private.
Blushi ka ashpërsuar sulmet ndaj Edi Ramës, duke e cilësuar largimin e kryeministrit si një “emergjencë kombëtare”.
“Shteti ka rënë! Siguria kombëtare ka rënë!”, deklaroi Blushi, duke ngritur akuza për mënyrën se si, sipas tij, kontrollohen institucionet që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë e vendit.
Blushi pretendon se SHISH dhe Policia janë “në duart e Gysit”, ndërsa sektorin e mbrojtjes e lidh me “Ronin”. Ai i paraqet këto pretendime si dëshmi të asaj që e quan kapje të institucioneve shtetërore nga interesa kriminale.
“SHISH dhe Policia në duart e Gysit dhe Mbrojtja në duart e Ronit është zyrtarizim i kapjes së shtetit në çdo qelizë nga mafia”, deklaroi Blushi.
Deklarata vjen pasi Blushi ka ngritur gjatë shtatorit akuza të ngjashme lidhur me Ron Yeffet dhe kompaninë shtetërore KAYO. Ai pretendon se audiopërgjimet e bëra publike nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj tregonin lidhje mes interesave private dhe strukturave shtetërore.
Në deklaratën e fundit, Blushi e çon më tej akuzën politike dhe e lidh drejtpërdrejt përgjegjësinë me Edi Ramën.