Connect with us

Politike

S’ka hapësirë për kompromis me Ramën/ Vasili: Reformat, farsë për të kontrolluar zgjedhjet lokale

Nisma e re e mazhorancës për reformën territoriale-administrative po konsiderohet si një lëvizje strategjike për të kontrolluar rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme lokale, dhe jo si një përpjekje për të përmirësuar qeverisjen vendore.

Ky është qëndrimi i shprehur nga ish ligjvënësi i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili gjatë intervistës në edicionin e lajmeve të mbrëmjes në Syri Tv, ku theksoi se hapësirat për kompromis me qeverinë aktuale janë inekzistente.

Sipas Vasilit, mazhoranca socialiste nuk ka asnjë kredibilitet moral apo politik për të ndërmarrë një reformë të tillë, duke iu referuar dështimit të plotë të reformës së vitit 2015. Qëllimi i vërtetë i kësaj nisme nuk është përmirësimi i shërbimeve për qytetarët, shpjegoi ndër të tjera Vasili, porse “riorganizimi i territorit në mënyrë që të fitohen zgjedhjet lokale”.

Kjo, sipas ish deputetit të PL, është një përpjekje për të rindarë hartën elektorale sipas interesave të partisë në pushtet, duke e kthyer procesin në një “farsë”. Në këto kushte, opozitës i sugjerohet një qëndrim i prerë kundër pjesëmarrjes në këtë proces. Përfshirja në diskutime do të shihej si një legjitimim i një skenari të paracaktuar nga mazhoranca, ku opozita do të përdorej thjesht si një dekor për të krijuar iluzionin e një procesi gjithëpërfshirës përpara partnerëve ndërkombëtarë.

Zgjidhja e vetme, sipas Vasilit, është refuzimi i prerë dhe përballja direkte me qeverinë nëpërmjet protestave. Teksa solli në vëmendje shkeljen e Marrëveshjes së 5 Qershorit 2020 për reformën zgjedhore, Vasili tha se ky precedent, së bashku me dështimin e reformës së kaluar, tregon se situata aktuale politike nuk lë asnjë hapësirë për dialog apo kompromis parimor, duke e çuar vendin drejt një tjetër përplasjeje politike me në sfond, zgjedhjet lokale.

Në këtë moment në të cilën ndodhemi, e vetmja gjë, domethënë e çmuar që opozita mund të bëjë për vendin edhe për vete, është qartësia dhe vendosmëria. Nuk ka në momentin aktual, me këtë mentalitet dhe me këtë egërsi mafioze të mazhorancës, asnjë hapësirë për kompromis.

Hapi i sotëm tregoi që mazhoranca do të shkojë deri në fund për të bërë, jo thjesht për të riorganizuar pushtetin lokal, absolutisht jo, as sepse ka ndonjë ngut, por do patjetër të riorganizojë territorin në mënyrë që të ketë të lehtë për të fituar zgjedhjet lokale që janë zgjedhjet më të afërta që presim.

Së pari, mazhoranca nuk thotë dot që nuk e pret koha. E së dyti, nuk mund të thotë që është kjo promotore, pra është kjo që do të bëjë reformë dhe opozita nuk e do.  Këtë të drejtë kjo mazhorancë, që për tetë vjet e thërret, e ka humbur.

Në vitin 2015, tre ishin arsyet e mëdha për të cilat reforma territoriale u bë. Ishte për të shtuar duke zvogëluar njësitë vendore për t’u dhënë sa më shumë funksione. Së pari. Së dyti, për të decentralizuar gjithmonë e më shumë kompetenca, pra gjithmonë e më shumë kompetenca të shkonin te pushteti lokal. Dhe e treta, për të ulur sa më shumë numrin e të punësuarve në pushtetin lokal. Po t’u kthehemi këtyre tre pikave në pak sekonda, del shumë mirë që kompetencat jo që nuk u shtuan, por u pakësuan sepse qeveria qendrore mori me ujësjellës, me hipoteka, me të gjithçka. Pra domethënë ai ka mbetur një pushtet rudimentar. Së dyti, nuk decentralizoi asgjë, përkundrazi çdo gjë e ka qeveria në dorë.

Ndërsa për sa i takon të punësuarve, këtu është edhe butaforia më e madhe. Në atë kohë u pretendua që do të binte numri i të punësuarve që të mos dubloheshin ndërmjet komuna dhe bashki. Nga rreth 19.000 e ca punonjës, kemi 34.000. Pra, fatura u shtua me 150 milionë euro. Për ta përmbledhur idenë, të vetmit që nuk kanë fytyrë, moral dhe asnjë mundësi politike për të bërë pretendime si anëtarë reformatorë, janë pikërisht Rilindja dhe Edi Rama. Të cilët praktikisht e kanë degraduar pushtetin lokal, e kanë rrënuar dhe reforma e tyre ishte thjesht dhe e vetëm një reformë farsë për të rindarë hartën elektorale, për të fituar më kollaj zgjedhjet sipas kombinacioneve, porse praktikisht, për ta mbyllur, është ditët më të këqija të pushtetit lokal, pa asnjë lloj kompetence, ku qytetarët po qajnë për komunat që kanë pasur, ku kishin kujt t’ia qanin hallin, dhe që sot paguajnë nga taksat e tyre mijëra patronazhistë që i keni parë me sytë tuaj, pikërisht për t’i futur nëpër zgjedhje, nuk kanë bërë asgjë.

Këtu nuk bëhet fjalë për vullnet politik, për nevojë, për hapje për kompromis, por është thjesht dhe vetëm të bëjmë sikur kemi një proces, të jetë edhe opozita që të paktën edhe në planin, në diskutimet që bëhen në institucione ndërkombëtare, të thonë që po, edhe opozita atje ishte, nuk ka problem, po nuk patëm ndonjë dakordësi të madhe dhe ne e zgjidhëm me vota. E këtij, këtij skenari, opozita në mënyrë të vendosur duhet t’i thotë jo, pa asnjë lloj kompleksi. Kjo përballet duke qenë në terren, duke qenë në protestë dhe duke qenë ballë për ballë me këta. Sepse këta nuk kanë asnjë mundësi që të realizojnë kompromise politike parimore. Këta e reformën e kanë konceptuar si pronë të tyre, Shqipëria është një copë e madhe, 28.000 km që janë të tyre, që do t’i ndajmë dhe do t’i copëtojmë si të duam, do t’i vjedhim, do t’i plaçkisim si të duam, por për të kriposur pak dhe për të thënë që kemi pak si pluralizëm dhe pak si demokraci, le të jetë dhe prezente opozita aty, që s’duhet të na pengojë, por vetëm të jetë aty që ne nuk do ta dëgjojmë, sepse dhe votat i i blejmë edhe në parlament, i bëjmë ato 84 vota dhe vijmë në këtë situatë.

Sepse, e ndryshme nga reforma e dikurshme territoriale, ka disa dallime. Reforma territoriale e vitit 2014, është koha vendi për ta kujtuar, mundësitë për kompromis ishin shumë më të mëdha. Dhe ju e dini që nuk ka pasur një bojkot të njëanshëm, që lidhej, që ishte i detyruar nga kryetari i PD-së së asaj kohe, Lulzim Basha. Sepse, kryetari i parlamentit, Ilir Meta, në atë kohë, duke qenë njëkohësisht dhe kryetar i LSI-së, e cila kishte votën përcaktuese për këtë reformë, që ishin mbi 19 mandate që zotëronte, i kërkoi opozitës në mënyrë të hapur që ajo të binte propozimin e saj dhe vuri si garanci votën e Lëvizjes Socialiste për Integrim në funksion të kësaj gjëje. I propozoi Partisë Demokratike në atë kohë që të binin një variant, qoftë edhe me një shtesë të rëndësishme në njësive vendore, nga ato 61 që ishin propozuar nga komisioni, që mund të shkonin edhe më shumë, 100, 110 sipas strategjisë që Partia Demokratike mendonte, e në funksion të cilës, në atë kohë ju mund ta bini në memorie, unë edhe i ndjeri Bashkim Fino, që ishte kryetar i komisionit, si përfaqësues të opozitës kemi marrë pjesë edhe në një takim të hapur në një sallë të madhe që Partia Demokratike organizoi për çështjen e reformës territoriale. Për të treguar vullnet të mirë, pra kishte një hapësirë goxha të rëndësishme politike për kompromis.Sigurisht pas sipas një skenari që kohët më vonë e zbuluan cilat ishin, Basha refuzoi në atë kohë çdo lloj bashkëpunimi për të realizuar në atë kohë një reformë të qëndrueshme, por thashë, kishte disa hapësira të mëdha dhe të rëndësishme për të realizuar një kompromis parimor. Ndërsa sot këto hapësira janë zero.

Nuk ka asnjë kosto për opozitën. Ka vetëm vlera të shtuara. Sistemi legjislativ dhe zgjedhor sot është në duart të një mazhorance mafioze që përdor mazhorancën me votat që ka, vetëm e vetëm për të shkatërruar vendin. Në vitin 2020, si produkt i Këshillit politik në atë kohë, ju e mbani mend, përfaqësues kam qenë unë zoti Bylykbashi dhe unë, edhe ishte Gjiknuri andej nga pala tjetër, u arrit një marrëveshje, marrëveshja e famshme e 5 qershorit, e cila ishte e vetmja, e vetmja marrëveshje në historinë e Shqipërisë, për një reformë zgjedhore që nuk është gjëja më fondamentale e këtij vendi, u përshëndet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, nga Bashkimi Europian, nga OSBE-ODIHR, nga Këshilli i Europës dhe nga të gjithë institucionet si asnjëherë ndonjëherë tjetër. Është kaq e vërtetë, saqë dhe në momentin kur marrëveshja është firmosur, pra kur ka firmosur zoti Bylykbashi dhe unë, dhe mbaj mend edhe Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, në mbrapa shpinës tonë, kemi pasur ambasadoren Kim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ambasadorin britanik, të Britanisë së Madhe dhe mbani mend ambasadorin e Bashkimit Europian, Soreca, prapa kurrizit tonë. Pra të gjitha garancitë ndërkombëtare maksimale për të arritur. Çfarë ndodhi? Tre javë më vonë, Edi Rama e bëri copë e thërrime këtë marrëveshje, ndryshoi dhe kushtetutën siç e dini… por me parlamentin e korporatave.

Advertisement