Politike
“S’kam qenë kurrë në Aruba”/ Bardhi reagon pas deklaratave të Ramës, publikon pjesë nga dosja e SPAK
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit tha sot në mbledhjen e Grupit të PS-së se nuk ka qenë kurrë në Aruba dhe nuk e di çfarë është.
Me anë të një postimi në Facebook, Bardhi ka publikuar një pjesë nga dokumentet e dosjes së SPAK, duke pretenduar se të dhënat për takimet në Aruba nuk janë krijuar nga rrjetet sociale, por vijnë nga përgjime zyrtare të autoriteteve ligjzbatuese belge.
Bardhi thekson se në dosje përmenden të dhëna për takime dhe kontakte të personave nën hetim në vende të ndryshme, përfshirë edhe Arubën. Demokrati shprehet më tej se sipas dokumentave, këto takime lidhen me projekte pasurish të paluajtshme në Shqipëri, të cilat, sipas tij, mund të jenë financuar me fonde të paligjshme dhe me mbështetje politike.
Postimi i plotë i Gazment Bardhit:
Edi Rama ka deklaruar sot se: “Ndërkohë Auruba është bërë e vërtetë. Është nxjerrë në këtë fushën e algoritmit. Siç është bërë e vërtetë që unë jam konsumator kokaine.”.
NË FAKT “ARUBA” ËSHTË NJË E VËRTETË QË ULËRET DHE QË EDI RAMA NUK E FSHEH DOT ME BATUTA!
Të dhënat e dosjes së SPAK-ut nuk janë marrë nga fusha e algoritmit, por nga përgjimet zyrtare të autoriteteve ligjzbatuese belge!
Sipas SPAK-ut ????, nga këto përgjime ka rezultuar se: “Nga përmbledhja e dërguar nga autoritetet belge mësohen të dhëna të rëndësishme mbi takime dhe njohje ndërmjet personave nën hetim, takime këto të zhvilluara në Majorka, Gjermani, Aruba apo Belgjikë; të dhëna mbi takime të kryera nga ana e tyre me PËRFAQËSUES FUNKSIONARË TË LARTË SHTETËRORË TË SHTETIT SHQIPTAR në Aruba. Përmendim këtu takimet e vëzhguara në janar-shkurt 2019. Sipas provave të pjesshme të paraqitura, këto takime duket se kanë të bëjnë me projekte pasurish të paluajtshme në Shqipëri, potencialisht të financuara me fonde të paligjshme, me mbështetjen e AUTORITETEVE POLITIKE.”
Fatkeqësia e Edi Ramës në këtë rast është se provat nuk janë algoritëm, por realitet! Sa do të përdridhet, ato janë aty: me video dhe foto!
Kriminalizimi i ekonomisë dhe shndërrimi i Shqipërisë në parajsën e pastrimit të parave të drogës janë vepër e tij. Herët a vonë do të mbajë përgjegjësi për këtë./Dosja.al
