Connect with us

Sport

Skandali i kartonit të kuq nuk e ndal/ Infantino drejt mandatit të katërt, mbi 200 federata i japin mbështetjen

Gianni Infantino është shumë pranë rizgjedhjes për një mandat të katërt në krye të FIFA-s, pasi ka siguruar mbështetjen zyrtare të më shumë se 200 prej 211 federatave anëtare, pavarësisht klimës së tensionuar të krijuar pas polemikave për pezullimin e anuluar të sulmuesit amerikan Folarin Balogun.

Sipas gazetës britanike The Guardian, vetëm një numër i vogël federatash nuk kanë dërguar ende letrat e mbështetjes. Mes tyre është edhe Federata Gjermane e Futbollit, një nga emrat më të rëndësishëm që ende nuk ka shprehur zyrtarisht qëndrimin.

Afati për paraqitjen e kandidatëve për zgjedhjet e FIFA-s është 18 nëntori, ndërsa deri në atë datë federatat mund të tërheqin ose të transferojnë mbështetjen e tyre. Megjithatë, aktualisht Infantino është kandidati i vetëm, edhe pse disa federata pretendojnë se kanë ndier presion nga brenda FIFA-s për të konfirmuar publikisht mbështetjen, një praktikë që teorikisht bie ndesh me kodin etik të organizatës.

Edhe pse polemikat janë shtuar pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili pranoi se kishte lobuar pranë FIFA-s për të rishikuar kartonin e kuq të Balogun ndaj Bosnjë-Hercegovinës, kjo nuk duket se ka ndikuar në pozitat e Infantinos.

Pakënaqësitë janë përqendruar kryesisht në Evropë, por kjo nuk rrezikon seriozisht rizgjedhjen e tij. Madje, shumica e federatave evropiane, përfshirë edhe Federatën Angleze, e kanë dërguar tashmë mbështetjen zyrtare.

Në ditët e fundit është diskutuar mundësia që UEFA të mbështesë një kandidat alternativ, por deri tani nuk ka një emër konkret që mund të sfidojë Infantinon. Burime pranë futbollit evropian besojnë se edhe një kandidat që do të siguronte 30-40 vota do të shërbente për të hapur një debat mbi mënyrën se si qeveriset FIFA.

Federatat anëtare të FIFA-s do të mblidhen këtë të shtunë në Nju Jork, ku pritet të diskutohen kryesisht rezultatet financiare të Botërorit dhe përfitimet ekonomike për federatat, ndërsa polemikat e fundit nuk pritet të jenë pjesë e axhendës zyrtare.

Advertisement