Politike
SPAK pritet të godasë sërish Ballukun? Berisha zbulon “luftën” brenda PS
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar mundësinë që SPAK të paraqesë në Kuvend një kërkesë të re për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke pretenduar se mes saj dhe kryeministrit Edi Rama ka një përplasje të fortë.
I pyetur nga gazetarët, Berisha tha se sipas informacioneve që ka marrë, mes Ramës dhe Ballukut ekziston një “tension real”. Ai e lidhi këtë situatë me arrestimin e Ergys Agasit, duke pretenduar se pas këtij zhvillimi qëndron Balluku.
“Këto ditë mësoj se ka një tension real midis Edi Ramës dhe Lubi Ballukut. Dhe ky tension real është rezultat i arrestimit të Ergys Agasit, ku thuhet se dora e zezë e Lubisë është prapa atij arrestimi”, deklaroi Berisha.
Ish-kryeministri tha se po ndjek me interes zhvillimet brenda mazhorancës dhe hodhi akuza të forta ndaj qeverisë, të cilën e cilësoi si një “klan mafioz”.
Sipas Berishës, situata e krijuar mund të ketë sjellë edhe një ndryshim në raportet e pushtetit brenda qeverisë. “Në këtë kuadër ka mundësi që Edi Rama të shohë qartë tani se kabineti i tij ekzistues nuk është më Rama-Balluku, por Balluku-Rama”, u shpreh ai.
Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur vijojnë zhvillimet e drejtësisë që lidhen me zyrtarë të lartë të qeverisë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse SPAK do të paraqesë apo jo një kërkesë të re në Kuvend për Ballukun.