Kronike
Të shtëna me armë zjarri në Laprakë, dy të plagosur, gjendet automjeti i braktisur nga autorët (EMRAT)
Të shtëna me armë zjarri kanë tronditur mbrëmjen e kësaj të marte zonën e Laprakës në Tiranë.
Ngjarja ka ndodhur pranë fushës së sportit, ndërsa dy persona kanë mbetur të plagosur.
Të plagosurit janë Bledar Dauti, 39 vjeç, dhe Dashamir Tahiri, 35 vjeç.
Të dy kanë marrë plagë në këmbë dhe, sipas informacionit të Policisë, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pas ngjarjes, dy të plagosurit janë dërguar në spital, ku kanë marrë ndihmën mjekësore.
Ata pritet të merren në pyetje nga hetuesit për të sqaruar rrethanat e konfliktit, dinamikën e të shtënave dhe motivin që qëndron pas ngjarjes.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e Policisë, të cilat kanë nisur mbledhjen e provave dhe marrjen e dëshmive të para.
Një nga pistat e rëndësishme të hetimit është edhe automjeti i dyshuar i përdorur nga autorët.
Policia ka gjetur një makinë të braktisur vetëm pak metra larg vendit ku ndodhën të shtënat.
Automjeti është marrë në shqyrtim nga grupi hetimor për të përcaktuar nëse është përdorur nga personat që qëlluan me armë.
Paralelisht, efektivët po këqyrin kamerat e sigurisë në zonën përreth, me shpresën për të identifikuar autorin ose autorët dhe për të rindërtuar lëvizjet e tyre para dhe pas ngjarjes.
Për momentin, motivi i të shtënave mbetet i paqartë dhe nuk ka ende një autor të identifikuar apo të arrestuar.
Policia njofton se vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këtë ngjarje që tronditi mbrëmjen në Laprakë.