Aktualitet
PRODA-HYSENI, TERMET NE SIGURINE E SHTETIT
SPAK ka kërkuar dhe GJKKO ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, si dhe pezullimin e saj nga detyra. Në të njëjtën dosje janë kryer kontrolle edhe ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ndërsa mbetet ende pa u bërë publike akuza konkrete që ka çuar SPAK te drejtuesit e dy strukturave kryesore të sigurisë në vend…
Një zhvillim i paprecedentë prek drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit. GJKKO ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, pas kërkesës së paraqitur nga SPAK.
Krahas masës së sigurisë, ndaj Hysenit është vendosur edhe pezullimi nga ushtrimi i detyrës.
Hyseni drejton SHISH-in që prej vitit 2023. Masa ndaj saj krijon një precedent për institucionin, pasi drejtuesja e shërbimit sekret përfshihet drejtpërdrejt në një procedim të SPAK dhe përballet me një masë sigurie personale. Nuk dihet nëse masat e vendosura nga GJKKO do të pranohen ose jo nga Qeveria, pasi drejtuesi i SHISH-it emërohet nga Kryeministri dhe dekretohet nga Presidenti.
Përpara se të merrte drejtimin e SHISH-it, Vlora Hyseni kishte ndërtuar pjesën kryesore të karrierës së saj në strukturat e inteligjencës dhe sigurisë në Kosovë. Ajo iu bashkua Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në vitin 2010, ndërsa në shkurt 2019 u emërua zëvendësdrejtoreshë e AKI-së. Nga dhjetori 2020 deri në prill 2021 ushtroi edhe detyrën e drejtoreshës së Agjencisë.
Pas largimit nga AKI, Hyseni kaloi në Tiranë. Nga shtatori 2021 ajo u angazhua në kabinetin e kryeministrit Edi Rama si këshilltare për Sigurinë Kombëtare, detyrë që e mbajti deri në mars 2023.
Rama i propozoi Presidentit emërimin e Hysenit në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit, duke zëvendësuar Helidon Bendon.
Nga informacionet e deritanishme rezulton se SPAK po kryen veprime edhe ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të tjerë. Mes tyre është ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Për Prodën, GJKKO ka autorizuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal. Me vendim të së njëjtës gjykatë janë kryer kontrolle edhe në banesa të personave të tjerë.
Pikërisht këtu mbetet edhe pjesa kryesore që SPAK nuk e ka bërë ende publike.
Nuk dihet zyrtarisht se cila vepër penale po hetohet dhe çfarë faktesh konkrete kanë çuar prokurorët te drejtuesja e SHISH dhe ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit.
Emri i Vlora Hysenit është përmendur më herët në raportimet mediatike për hetimet që lidhen me Ergys Agasin. Por, pa një njoftim zyrtar të SPAK ose një vendim të zbardhur të GJKKO, nuk mund të përcaktohet nëse masa e re ndaj shefes së SHISH lidhet drejtpërdrejt me këtë dosje.
Kjo është edhe pika që pritet të sqarojë SPAK: çfarë ka zbuluar hetimi që ka çuar prokurorët nga Ergys Agasi te drejtues të strukturave më të larta të sigurisë dhe rendit në vend.