Kronike
Trafikimi i lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt Europës, SPAK çon për gjykim 15 të pandehur
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 15 të pandehur, të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar se grupi kriminal ka organizuar trafikimin e lëndëve narkotike nga vendet e Amerikës Latine, si Brazili, Ekuadori dhe Kolumbia, si edhe nga Spanja e Maroku drejt disa vendeve evropiane, përfshirë Italinë, Belgjikën, Holandën dhe Spanjën. Në total, hetimet kanë dokumentuar trafikimin e 8.126 kilogramëve lëndë narkotike, konkretisht:
7.261 kg kokainë;
590 kg hashash;
275 kg kanabis.
Sipas dosjes hetimore, të pandehurit kanë koordinuar aktivitetin kriminal edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar Sky ECC, të siguruara nga autoritetet franceze në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.
SPAK thotë se Artur Hoxhosmani, Genti Nderjaku, Nazmi Shahini, Devid Patrut, Ermir Ndreaj dhe Erion Alibej kanë pasur rolin e drejtuesve dhe financuesve të grupit kriminal, ndërsa pjesa tjetër e të pandehurve akuzohen si pjesëmarrës në organizatë.
Përveç akuzave për trafik ndërkombëtar droge dhe grup të strukturuar kriminal, disa prej të pandehurve përballen edhe me akuza për armëmbajtje pa leje, si dhe futje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar pushimin e hetimeve për tre persona. Për një nga episodet që i atribuohej Devid Patrutit është zbatuar parimi “ne bis in idem”, pasi ai ishte dënuar më herët nga autoritetet belge për të njëjtën vepër penale. Ndërsa për Ilir Lloshin dhe Julian Pjetrin, SPAK konkludoi se nuk u provua ekzistenca e veprës penale.
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë të Francës, Spanjës, Belgjikës, Britanisë së Madhe, Holandës, Brazilit, Italisë dhe Ekuadorit, si edhe me Byronë Kombëtare të Hetimit, Europol dhe Eurojust.