Politike
RAMA: NUK KA NEGOCIATA ME ATA QE DHUNOJNE
Kryeministri Edi Rama ka dalë sot në një konferencë, ku ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj protestave të ditëve të fundit, duke deklaruar se shteti nuk duhet të negociojë me persona që përdorin dhunën.
“Nuk negociohet me askënd që mban në dorë këtë. Ka rënë shteti nëse negocion me të. Në momentin që ai fiton, logjika e tij bëhet vetë shteti. Shqipëria e ka parë këtë film më shumë se një herë dhe pasojat kanë lënë plagë.
Kjo nuk do të thotë se vajzat dhe djemtë e rinj, jeta e të cilëve është TikTok, nuk mund të bëjnë më të mirën. Por ata shpesh nuk janë në gjendje të lidhin dot shtatë fjalë bashkë dhe janë tërhequr në këtë situatë.
Janë nxënëse dhe nxënës, pa dyshim, por janë edhe pengje të një fryme të re, e cila ka vetëm një mision: të shkatërrojë, të kthejë gjithçka përmbys, të rrafshojë gjithçka me idenë se do të fillojë nga e para.
Ata që janë këtu dhe janë pak më të rritur i kanë ende kujtimet e asaj kohe, kur dolëm pas 50 vitesh iluzionesh me idenë se duhej të rrafshonim gjithçka për të nisur nga e para.
Do ta quaja fatkeqësi kombëtare që forcat e policisë, burra dhe gra, të gjithë ju që mbani uniformën dhe jeni këtu për të mbrojtur qytetarët, jeni nën sulmin edhe të ekraneve”.
Dje është kaluar vija e kuqe. Nuk mund të quhet më protestë studentore, nuk mund të quhet më as protestë. 295 të lënduar, 186 prej tyre janë punonjës policie, raporti tregon vetëpërmbajtjen e policisë. Protestuesit kanë gjetur azil politik në një parti të caktuar”, tha MINISTRI Demo.
Rama: Si mund të jenë studentë ata që duartrokasin djegien e një polici?
Kryeministri Rama thotë se këta që po përmbysin vendin nuk mund të jenë studentë
“Kjo nuk është revoltë për arsimin. Ishin 20 mijë nxënës, e bllokuan i bllokuan universitetet, e bllokuan mësimin, por ishin paqësorë dhe kishin kërkesa për universitetin. Çfarë studentësh janë këto? Si mund të jenë studentë këta që adhurojnë gurin, që duartrokasin djegien e policit, me djegien e bizneseve, që duartrokasin djegin e bankave, si mund të jenë studentë. Këta nuk janë studentë. Këta nuk ka si të jenë studentë, edhe pse mund të jenë regjistruar në shkollë. Vullneti i popullit do kthehet përmbys?”, tha Rama.
Rama për protestën në Tiranë: Rusia dhe Irani të përfshirë, sulme të mirëkomanduara nga forca të huaja
Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin e Brendshëm Ervin Demo dhe drejtues të Policisë së Shtetit, mbajti një konferencë për shtyp, ku foli për protestën në Tiranë, përplasjet e dhunshme dhe zhvillimet e fundit në kryeqytet.
“Këto protesta janë paralajmëruar se do të ndodhin në çdo vend të botës, por asnjë parti politike nuk ka dalë të mbështesë dhunuesit dhe të hyjnizojë hordhitë e një mase me kapuçë të zinj, pas të cilëve nuk ka studentë që duan një Shqipëri të mirë, por ka njerëz të pashkollë që nuk dinë as nga vijnë, as nga shkojnë.
Këta përdoren nga Antifa, nga shërbimet e huaja dhe nga armiqtë e Shqipërisë. Rusia nuk është partnere e Shqipërisë, nuk e do Shqipërinë në BE. Nuk është rastësi që babai i Vladimir Vladimiroviçit përshëndet ortodoksët. E dimë që ditën e parë kur u shfaqën Flamingot, Rusia ka gisht në këtë, edhe Irani. Këto nuk janë rastësi.
Shqipëria është bërë pjesë e një sulmi të mirëkomanduar nga një forcë e verbër, e një organizate që është shpallur terroriste nga Donald Trump”, tha Rama.
Rama për protestuesit e maskuar: Adhurojnë dhunën dhe kaosin, kanë nevojë për psikolog
Kryeministri Edi Rama i cilësoi protestuesit e maskuar si njerëz që adhurojnë dhunën, molotovët dhe kaosin, ndërsa tha se ata kanë nevojë për psikolog.
“Nuk ka dalë të himnizojë dhunën, gurin, drurin, hurin e një mase kapuçzinjsh të maskuar, pas të cilëve nuk ka studentë, pas të cilëve nuk ka të reja dhe të rinj që duan një Shqipëri më të mirë, por ka vetëm qorra, njerëz pa shkollë, njerëz që nuk dinë as nga vijnë, as ku shkojnë, viktima të shumëçkaje, të cilët adhurojnë këtë, adhurojnë molotovin, adhurojnë ato llastiqet me vida, me të cilat godasin kafkat e policëve, adhurojnë rrëmujën dhe kaosin.
Dhe pastaj u turren dyqaneve si brumbuj që brejnë jetën, brejnë djersën, brejnë gjakun e familjeve që jetojnë me ato dyqane.
Si mund të përkrahet, si mund të himnizohet, si mund të adhurohet kjo masë, e cila ka nevojë për psikolog, e cila ka nevojë për t’u trajtuar nga shoqëria si një masë njerëzore vajzash dhe djemsh që vijnë nga periferitë për të shkatërruar qendrën dhe që kanë brenda të gjitha keqkuptimet e mëdha të një kohe kur shohin në ekranin e telefonit se si disa të tjerë e disa të tjera, që jetojnë me online-in dhe marrin e bëjnë nga dhjetëra mijëra euro në muaj pa paguar asnjë taksë, mund të hanë e të pinë, të vishen e të jetojnë në luks.
Dhe ata pastaj përdoren nga këto forca të tjera, nga Antifa, nga shërbime të huaja dhe nga armiqtë e Shqipërisë”, tha Rama.
Rama për protestat e dhunshme: Shoqëria shqiptare nuk mund ta tolerojë këtë flamë vulgariteti
Kryeministri Rama po mban një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit.
“Rezistenca juaj i bën nder Republikës. Pashë dje një police, që kishte një tjetër vajzë, të veshur e të mbathur nga koka te këmbët si e dalë nga Instagrami e me kufje në vesh, që i kthehej vajzës me uniformë me fjalor rrugaçëror, prej burrash të dehur. Ja simbolet e protestës. Shoqëria shqiptare nuk mund ta tolerojë këtë flamë vulgariteti. Dua të shpreh solidaritet me të gjithë efektivët dhe familjet e tyre”, u shpreh Rama.
Rama: PD u dha strehim politik protestuesve të dhunshëm! Ëndërrojnë që një polic t’i marrë jetën një të mituri, duan të rikthejnë 21 Janarin
Kryeministri Edi Rama tha se Partinë Demokratike se u dha strehim politik protestuesve të dhunshëm, ndërsa tha se të miturit po përdoren si “mish për top” në përplasjet me Policinë. Sipas Ramës, ata që qëndrojnë pas protestave ëndërrojnë që një efektiv policie t’i marrë jetën një të mituri, për të rikthyer një tjetër 21 Janar dhe për të vendosur shenjën e barazimit mes qeverisë së tij dhe atyre që, siç tha, vrisnin protestues në bulevard.
“Ata që mbrëmë u dhanë strehim politik, duke bërë të njëjtën gjë edhe kur ishin në kohë të tjera, refuzimin për ta lënë Policinë të bëjë punën e vet. Por s’e kishin deri në fund kurajën të bënin këtë që po bëjnë sot.
U gjetën të miturit, që merren dhe vihen përpara me shufra hekuri dhe çohen atje mish për top, duke ëndërruar që një polici t’i shpëtojë dora dhe t’i marrë jetën një të mituri, që pastaj të justifikohet e keqja edhe më e madhe.
Duke ëndërruar që të kthehet këtu prapë 21 Janari, për të bërë shenjën e barazisë mes meje dhe nesh, që e kemi sjellë Shqipërinë deri këtu dhe e kemi ndërruar faqen e këtij vendi dhe e kemi ngritur dinjitetin e këtij vendi, me ata që në bulevard i vrisnin protestuesit.
Dinjiteti me të cilin ju po i rezistoni kësaj flakë, kësaj lodhjeje, dhe kuraja me të cilën ju po i qëndroni këtij presioni, i bën nder uniformës suaj, shtetit shqiptar dhe është borxh që të gjithë qytetarët e kthjellët dhe familjet e zakonshme të këtij vendi, që sot duan të shkojnë në punë, nuk duan të rrinë para televizorit, nuk duan të jenë nën presionin e lloj-lloj analistësh që u tregojnë se Policia po gjuan me gurë protestuesit, ua kanë borxh”, tha Rama.
Protestat e dhunshme/ Rama: Janë të rinj të ideologjizuar e ekstremizuar nga fryma e Antifa-s, SHBA e ka shpallur organizatë teroriste

Kryeministri Edi Rama tha se të rinjtë që marrin pjesë në protestat e dhunshme janë të ideologjizuar dhe të ekstremizuar nga fryma e Antifa-s, të cilën, siç theksoi ai, presidenti amerikan Donald Trump e ka shpallur organizatë terroriste. Rama u shpreh se kjo nuk do të thotë që të rinjtë janë terroristë, por se janë pengje të një ideologjie që synon të shkatërrojë dhe të përmbysë gjithçka.
“Natyrisht që kjo nuk do të thotë aspak që kush sot proteston paqësisht, edhe pse janë shumë pak ata që protestojnë paqësisht, sepse edhe vajzat dhe djemtë që i bashkohen këtij, në thelb nuk duan paqe, duan përmbysje. Janë të rinj e të reja të ideologjizuar, të ekstremizuar, nën trysninë apo nën frymëzimin e asaj force të errët dhe të re që është shfaqur në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, të cilën presidenti i Shteteve të Bashkuara e ka shpallur organizatë terroriste, Antifa-n. Organizatë terroriste e ka shpallur presidenti i Shteteve të Bashkuara.
Kjo nuk do të thotë që vajzat dhe djemtë që mendojnë se jeta është TikTok dhe se me TikTok dhe pa lidhur dot shtatë fjalë bashkë mund ta bëjnë Shqipërinë më të mirë, janë terroristë. Aspak! Janë studentë dhe studente? Po, patjetër. Janë nxënës dhe nxënëse? Po, patjetër. Por janë pengje të një fryme, të një ideologjie të re, e cila ka vetëm një mision: shkatërro, ktheje të gjithën përmbys, rrëno gjithçka. Bëje rrafsh se do ta fillojmë nga e para.
Ata që janë këtu pak më në moshë i kanë ende kujtimet e asaj kohe nga ku ne dolëm pas 50 vitesh iluzion se do bëhej rrafsh dhe do fillonte nga e para. Kështu që, po, është fatkeqësi shumë e madhe. Unë do ta quaj një fatkeqësi kombëtare sot që forcat e Policisë, që djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë dhe, mbi të gjitha, të gjithë ju nën uniformë që jeni aty për të mbrojtur shtetin, jeni jo vetëm nën sulmin e gurëve, por jeni edhe nën sulmin e ekraneve.
Kjo është absolutisht rrëqethëse, pasi, siç e tha ministri, kjo po ndodh në Francë, kjo po ndodh në Itali, kjo po ndodh në Portugali, kjo po ndodh në Belgjikë. Kjo paralajmërohet se do të ndodhë kudo, por në asnjë nga këto vende, asnjë parti politike nuk ka dalë të mbajë anën e dhunuesve. Nuk ka dalë t’u bëjë hyzmet flakëve mbi institucione”, tha Rama.
LAJMI NE PERDITESIM